Intervistë Ekskluzive për ARGUMENTUM.al me Ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, SHTZ. Volodymyr Shkurov
Intervistoi: Marjana DODA
“33-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës përkoi me ditën e 913-të të kësaj lufte të tmerrshme që Rusia nisi kundër Ukrainës. Natyrisht, askush me mendje të shëndoshë nuk mund ta kishte imagjinuar se diçka e tillë – dua të them kjo luftë – mund të ndodhte. Por lufta vazhdon; njerëz po vdesin, ushtarë dhe civilë, fëmijë; qytete dhe fshatra po shkatërrohen, infrastruktura kritike po asgjësohet”, kështu shprehet Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, SHTZ. Volodymyr Shkurov në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al.
Një intervistë e shoqëruar me emocion dhe trishtim ndërsa Ambasadori Shkurov flet për një bilanc në humbje njerëzore, zhvendosje popullate, ku 7 milionë ukrainas janë detyruar të jetojnë jashtë vendit për shkak të kësaj lufte, shkatërrim të infrastrukturës, por mbi të gjitha për krime ndaj njerëzimit që janë të dokumentuara.
E kur bëhet fjalë për dëshmi e dokumentime, Ambasadori Shkurov insiston të shohim një video, të cilën e gjeni në fund të kësaj interviste me dëshmi të rënda që flet për dhunimin e vajzave dhe grave ukrainase pa marrë parasysh as moshën e mitur të tyre.
“Njerëz të pafajshëm janë në rrezik të vdesin, sepse një diktator në një vend fqinj vendosi të pushtonte Ukrainën, duke menduar se kishte të drejtë ta bënte këtë në Shekullin i 21-të, në zemër të Evropës”, shprehet Ambasadori Shkurov.
I pyetur në këtë intervistë për solidaritetin dhe ndihmën e Perëndimit, kryesisht atë ushtarake, Ambasadori thekson se kjo ndihmë është e fuqishme, por ende e pamjaftueshme.
” E kuptoj se pyetja juaj ka të bëjë kryesisht me ndihmën ushtarake për Ukrainën. Kjo ndihmë është e fuqishme, por ende e pamjaftueshme. Behet fjalë për municione me rreze të gjatë veprimi, për mjete të blinduara, avionë luftarakë, dhe të tjera. Për momentin, vendimet e duhura nga partnerët tanë strategjikë ende nuk janë marrë, por presidenti ynë po e këmbëngule për këtë në menyrë të argumentuar. Bombardimet e fundit në Kharkiv, Sumy dhe qytete të tjera afër kufirit rus dëshmojnë për nevojën ekstreme për të ndalur shkatërrimin kriminal të popullatës civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës përmes përdorimit të armëve me rreze të gjatë për të sulmuar bazat, nga të cilat rusët kryejnë këto sulme terroriste.”
Lidhur me Tiranën zyrtare, nisur dhe nga Samiti që u mbajt në Tiranë më 28 shkurt 2024 mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, Ambasadori vlerësoi ndër të tjera dhe nënshkrimin nga Ukraina dhe Shqipëria të Traktatit Bazë për Miqësinë dhe Bashkëpunimin.
“Rolin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit në mbështetje të Ukrainës e vlerësoj shumë lartë. Ne tashmë përmendëm Samitin e 28 shkurtit, i cili u zhvillua në Tiranë. Gjatë samitit, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi takime të frytshme dypalëshe me të gjithë përfaqësuesit kryesorë të vendeve të rajonit të Ballkanit që morën pjesë në samit. Sa i përket bashkëpunimit tonë me Shqipërinë, ne aktualisht po punojmë në përgatitjet për samitet (në nivel shtetëror dhe parlamentar) që i kushtohen Platformës së Krimesë, si dhe po përgatisim takime të tjera ndërkombëtare në nivel ministrash sektorialë. Të mos harrojme edhe për perspektivën e hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë, e cila do të forcojë më tej parametrat e bashkëpunimit mes vendeve tona miqësore”, thekson Ambasadori Shkurov.
Për tju rikthyer ndihmës ndërkombëtare.
I pyetur për Samitin e fundit të NATO-s mbajtur në Uashington dhe angazhimit të saj për Ukrainën, Ambasadori përgjigjet:
“NATO mbetet një nga partnerët më të fuqishëm të Ukrainës në përballimin e agresionit rus. Asistenca ushtarake dhe llojet e tjera të ndihmës së NATO-s për Ukrainën. Ato përfshijnë pajisje teknologjike të avancuara, zgjidhje të shumta logjistike, trajnim për ushtarët tanë, municion, armë dhe shumë gjera të tjera. NATO mbështeti operacionin e Ukrainës në drejtim të Kurskut. Gjithashtu, shefi i NATO-s pas fillimit të këtij operacioni theksoi se Ukraina rrezikon duke ndërmarrë veprime sulmuese në territorin rus, por Kyivi duhet të vendosë vetë se si do të zhvillojë fushatën e tij ushtarake”
Sa i përket inkursionit nga Ukraina në rajonin e Kurskut të Rusisë, Ambasadori Shkurov në këtë intervistë, thekson se Operacioni i Kurskut ndryshoi parametrat e asaj që Rusia e quan operacion special ushtarak.
“Në përgjigje të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ky operacion tregoi aftësinë për sulme të suksesshme nga ana e Ukrainës pikërisht në territorin rus. Sot është e vështirë të flitet për të gjitha aspektet e këtij operacioni, por është e qartë për të gjithë se Rusia mund të vazhdoj pa mbarim luftime në territorin e Ukrainës, duke mbajtur kështu në shënjestër edhe vendet fqinje evropiane”.
Po ndërsa lufta në Ukraine ka hyrë në vitin e tretë, ka patur paralelisht propozime dhe tentativë për ndërmjetësim në zgjidhjen e këtij konflikti nga shtete të ndryshme si Kina, si Turqia, Afrika, githashtu nga Hungaria, Brazili, etj.
“Ne vlerësojmë rolin e të gjithë ndërmjetësve ndërkombëtarë, shumica e të cilëve, për hir të së vërtetës, njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë dhe deklarojnë respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Megjithatë, Ukraina mbështetet në parimet themelore e formulës së saj të paqes. Është mbajtur Samiti i parë i paqes. Tani po përgatitet Samiti i dytë i paqes, i cili pritet të mbahet deri në fund të këtij viti. Ukraina dhe partnerët e saj ndërkombëtarë ndjekin formulën “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”. Ukraina po kërkon një paqe të drejtë dhe të garantuar”, thekson shprehimisht Ambasadori.
“Si diplomat, më vjen keq që dialogu për paqen nuk po zhvillohet në tavolinën e negociatave, por në vijën e frontit”, shprehet Ambasadori në intervistën e mëposhtme.
Intervista e plotë:
Znj. Marjana Doda: I nderuar Ambasador,
Ju falënderoj për intervistën dhe dëshiroj t’Ju uroj Ju dhe popullin ukrainas për 33-vjetorin e Pavarësisë!
-Ky përvjetor përkon me një moment historik të rëndësishëm, por tragjik–tashmë numërohen 30 muaj të luftës gjithëpërfshirëse që Rusia ka nisur kundër Ukrainës, dhe ky është viti i tretë që Ukraina feston Pavarësinë e saj ndërsa përballon një luftë ekzistenciale. Pra është një kohë e mjaftueshme për të berë një bilanc. Në këtë kontekst, cilat janë mendimet tuaja mbi situatën aktuale dhe pasojat e saj për të dy palët, duke marrë parasysh gjithashtu sfidat dhe pritshmëritë për të ardhmen?
SHTZ. Volodymyr Shkurov: Ju falënderoj për interesimin Tuaj dhe për urimet Tuaja me rastin e 33-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës. Këtë vit, Dita e Pavarësisë përkoi me ditën e 913-të të kësaj lufte të tmerrshme që Rusia nisi kundër Ukrainës. Natyrisht, askush me mendje të shëndoshë nuk mund ta kishte imagjinuar se diçka e tillë – dua të them kjo luftë – mund të ndodhte. Por lufta vazhdon; njerëz po vdesin, ushtarë dhe civilë, fëmijë; qytete dhe fshatra po shkatërrohen, infrastruktura kritike po asgjësohet. Më shumë se 7 milionë ukrainas janë detyruar të jetojnë jashtë vendit për shkak të kësaj lufte, gjë që, siç e kuptoni, ndikon ndjeshëm në situatën demografike në terresi në Ukrainë. Është e vështirë të vlerësosh situatën aktuale, sepse është praktikisht e pamundur të distancohesh nga perceptimi emocional i asaj që po ndodh. E them këtë, duke pasur parasysh para së gjithash numrin e madh të njerëzve që për fat të keq kanë humbur jetën dhe krimet e shumta kundër njerëzimit që janë dokumentuar. Unë do të doja t’i sugjeroja audiencës suaj një video të shkurtër, që biseda jonë (sidomos kur flasim për elementin ekzistencial të kësaj lufte) të jetë më konkrete dhe që ne të kuptojmë sadopak atë që po ndodh me njerëzit në Ukrainë. [Videon-e gjeni në fund të kësaj interviste]
Problemi kryesor, sipas mendimit tim, është se kjo luftë e gjatë po vazhdon dhe po përshkallëzohet, dhe njerëz të tjerë të pafajshëm janë në rrezik të vdesin, sepse një diktator në një vend fqinj vendosi të pushtonte Ukrainën, duke menduar se kishte të drejtë ta bënte këtë. Shekulli i 21-të. Në zemër të Evropës.
–Duke marrë parasysh se lufta në lindje të Evropës ka hyrë në vitin e saj të tretë dhe ka pasur sfida të mëdha si mungesa e municioneve dhe dyshimet mbi ndihmën perëndimore, si mund të ndikojnë këto faktorë në të ardhmen e Ukrainës dhe çfarë masash mund të merren për të përmirësuar situatën e saj? Sa ndihmë më shumë mund të presë Ukraina nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi?
-Solidariteti me Ukrainën është shprehur pothuajse nga e gjithë bota. Ukraina merr një ndihmë të madhe nga SHBA dhe partnerët tanë evropianë. Akset e rëndësishme të ndihmës përfshijnë përdorimin e aseteve të ngrira ruse, mbështetjen e stabilitetit ekonomik, mbrojtjen dhe energjinë, përditësimin sistematik të tregut të punës në Ukrainë, mënyrat për të rritur të prurjet në buxhetin e shtetit dhe për të tejkaluar deficitin buxhetor, dhe nevojat financiare për vitin 2025. Një aspekt i rëndësishëm i negociatave aktuale me SHBA është për mundësinë e zgjerimit të eksportit të çelikut ukrainas në tregun amerikan, veçanërisht duke shtyrë për një vit tjetër pezullimin e tarifës shtesë prej 25% për importin e çelikut ukrainas. Po ashtu vazhdojnë diskutime për përforcime reale të mbrojtjes sonë ajrore (PVO), që na nevojitet jashtë mase. Përveç kësaj, diskutohet gjithashtu me SHBA dhe partnerët për nevojat urgjente të mbrojtësve tanë, trajnimin e ushtarëve ukrainas dhe prodhimin e përbashkët të armëve. Së fundmi, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, njoftoi një paketë të re ndihme prej 2 miliardë dollarësh. Ukraina është e interesuar të përdorë këto fonde për prodhimin e armëve në Ukrainë së bashku me kompanitë amerikane, veçanërisht përmes krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta mbrojtëse. E kuptoj se pyetja juaj ka të bëjë kryesisht me ndihmën ushtarake për Ukrainën. Kjo ndihmë është e fuqishme, por ende e pamjaftueshme. Bëhet fjalë për municione me rreze të gjatë veprimi, për mjete të blinduara, avionë luftarakë, dhe të tjera. Dua të theksoj se kompleksi ushtarak-industrial i Ukrainës është tani duke punuar fuqishëm dhe efektivisht. Ne prodhojmë lloje të rëndësishme të armatimeve, mjete speciale transporti, dronë dhe të tjera. Sigurisht, mbetet e ndjeshme nevoja për armë me rreze të gjatë dhe për aftësinë reale për të shkatërruar bazat ushtarake dhe mjete armike, nga ku bëhen sulme ndaj qyteteve civile të Ukrainës. Për momentin, vendimet e duhura nga partnerët tanë strategjikë ende nuk janë marrë, por presidenti ynë po e këmbëngule për këtë në menyrë të argumentuar. Bombardimet e fundit në Kharkiv, Sumy dhe qytete të tjera afër kufirit rus dëshmojnë për nevojën ekstreme për të ndalur shkatërrimin kriminal të popullatës civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës përmes përdorimit të armëve me rreze të gjatë për të sulmuar bazat, nga të cilat rusët kryejnë këto sulme terroriste.
–Pas 30 muajsh luftë në Ukrainë, a kanë pasur ndikim të dukshëm sanksionet perendimore kundër Rusisë dhe si kanë ndikuar ndarjet gjeopolitike dhe politikës ndërkombëtare në eficiencën e tyre?
-Po, sanksionet ndërkombëtare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Rusisë. Duke përmendur mosmarrëveshjet gjeopolitike, ju me siguri keni parasysh ndihmën që Rusia ka marrë nga vende si Irani dhe Koreja e Veriut. Sigurisht, deri më tani, gjendeshin elemente që zvogëlojnë efektin e këtyre sanksioneve ndërkombëtare, por ato nuk kanë një ndikim të madh në efektivitetin e vetë të sistemit e sanksioneve, lista dhe specifikat e të cilave vazhdojnë të përmirësohen. Procesi i stagnacionit të ekonomisë ruse është nisur pikërisht për shkak të veprimeve të sanksioneve. Shpresoj se sanksionet e reja do të thellojnë shkatërrimin e ekonomisë ruse.
–Gjatë Samitit mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, që u mbajt më 28 shkurt, në Tiranë, Presidenti Zelensky kërkoi bashkëprodhimin e municioneve në fabrikat e vendosura në Ballkan. Si do të ndikojë kjo kërkesë në përpjekjet e Ukrainës për të përballuar mungesën e municioneve dhe për të arritur një fitore në luftë, dhe çfarë roli mund të luajnë vendet e Ballkanit në këtë proces?
-Samiti që u mbajt në Tiranë më 28 shkurt ishte shumë i suksesshëm. Para së gjithash, në aspektin e konfirmimit të mbështetjes së qartë për Ukrainën nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore, gjë që u pasqyrua, veçanërisht, në miratimin e Deklaratës përkatëse nga vendet pjesëmarrëse në samit. Dëshiroj të theksoj veçanërisht, formatin dypalësh të eventit të përmendur, përkatësisht mbajtjen e negociatave konstruktive dypalëshe dhe nënshkrimin nga Ukraina dhe Shqipëria të Traktatit Bazë për Miqësinë dhe Bashkëpunimin. Lidhur me tematikën e mbrojtjes, edhe ajo u diskutua në detaje. Janë arritur dakordësime përkatëse, të cilat aktualisht janë duke u përpunuar në nivel ekspertësh. Të mos harrojmë se, për shembull, Shqipëria është gjithashtu e interesuar për reformimin dhe restaurimin e kompleksit të saj ushtarak-industrial ende relativisht të fuqishëm pak kohë më parë si dhe aktiviteteve të ndërmarrjeve përkatëse të mbrojtjes.
-Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përurua baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, a do të luaje rol kjo baze për Ukrainën dhe si mund ta ndihmojë atë?
-Baza ajrore taktike e NATO-s, e cila u inagurua më 4 mars në Kuçovë (me që ra fjala, edhe unë isha atje në ceremoninë e hapjes), para së gjithash ka rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për një element i rëndësishëm i balancës së forcave në një rajon strategjikisht të rëndësishëm të Ballkanit në përgjithësi. Për sa i përket rëndësisë së kësaj baze për Ukrainën, ende nuk mund të flasim për këtë. Të paktën tani për tani. Ndoshta në të ardhmen kjo do të bëhet e aktualitetit.
–Lufta mes Izraelit dhe palestinezëve në Gaza, e cila për disa muaj e eklispoi Ukrainën nga vëmendja perëndimore, tregoi se sa e brishtë mbetet rezistenca ukrainase nga zhvillimet në rajone të tjera dhe se sa të kufizuara janë mundësitë e Perëndimit (veçanërisht të ShBA-së) për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Cfarë duhet bërë më shumë nga Perendimi në ndihme të Ukrainës ?
-Lufta e Izraelit me grupin terrorist Hamas u bë një problem i madh jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën. Ne e dimë për numrin e madh të viktimave civile si në Izrael ashtu edhe në Rripin e Gazës, dimë për përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar problemet humanitare dhe për përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar këtë luftë. Kam patur përvojë pune në rajonin në fjalë dhe e përjetoj këtë tragjedi me shumë dhimbje, përsëri, nga një këndvështrim njerëzor. Megjithatë, dua të theksoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë perëndimorë, edhe në këtë situatë të ndërlikuar në Lindjen e Mesme, vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën, duke zbatuar marrëveshjet përkatëse.
–Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit në krijimin e një koalicioni më të gjerë për mbështetje dhe ndihmë për Ukrainën, dhe cilat janë hapat e ardhshëm që do të ndërmerrni për të forcuar këtë bashkëpunim?
-Rolin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit në mbështetje të Ukrainës e vlerësoj shumë lartë. Ne tashmë përmendëm Samitin e 28 shkurtit, i cili u zhvillua në Tiranë. Gjatë samitit, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi takime të frytshme dypalëshe me të gjithë përfaqësuesit kryesorë të vendeve të rajonit të Ballkanit që morën pjesë në samit. Pothuajse të gjitha këto vende të rajonit po përfundojnë procesin e negociatave me Ukrainën për përgatitjen dhe nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse të sigurisë. Proceset të sinkronizuara integruese përsa i përket Bashkimit Evropian, po vazhdon bashkëpunimi në kontekstin e shkëmbimit të përvojës ligjore dhe të tjera. Sa i përket bashkëpunimit tonë me Shqipërinë, ne aktualisht po punojmë në përgatitjet për samitet (në nivel shtetëror dhe parlamentar) që i kushtohen Platformës së Krimesë, si dhe po përgatisim takime të tjera ndërkombëtare në nivel ministrash sektorialë. Të mos harrojmë edhe për perspektivën të hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë, e cila do të forcojë më tej parametrat e bashkëpunimit mes vendeve tona miqësore.
-Deklarata e Samitit të Uashingtonit e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s më 10 korrik 2024 përmban disa angazhime kryesore dhe prioritete strategjike. Cilat janë masat konkrete që NATO ka marrë për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës pas këtij samiti?
-NATO mbetet një nga partnerët më të fuqishëm të Ukrainës në përballimin e agresionit rus. Asistenca ushtarake dhe llojet e tjera të ndihmës së NATO-s për Ukrainën, është e vështirë të mbivlerësohet. Ato përfshijnë pajisje teknologjike të avancuara, zgjidhje të shumta logjistike, trajnim për ushtarët tanë, municion, armë dhe shumë gjera të tjera. NATO mbështeti operacionin e Ukrainës në drejtim të Kurskut. Gjithashtu, shefi i NATO-s pas fillimit të këtij operacioni theksoi se Ukraina rrezikon duke ndërmarrë veprime sulmuese në territorin rus, por Kyivi duhet të vendosë vetë se si do të zhvillojë fushatën e tij ushtarake. “Presidenti Zelenskyy e ka bërë të qartë se operacioni ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë për të parandaluar sulmet e mëtejshme ruse përtej kufirit. Si çdo operacion ushtarak, kjo është e lidhur me rreziqe. Por ky është një vendim që i takon Ukrainës të vendosë se si të mbrohet”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
-Inkursioni i befasishëm i Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, i dha luftës një kthesë befasuese, lëvizje që mund të ndikojnë në trajektoren e luftës. Por a po e largon mundesinë e paqes sulmi ushtarak i Ukrainës brenda territorit rus? Si ndihmon ky veprim në planin e mbrojtjes dhe ofensivës? A mund të na thoni më shumë rreth mënyrës se si Ukraina planifikon të përdorë këtë momentum për të forcuar pozitat e saj dhe për të arritur qëllimet strategjike?
-Operacioni i Kurskut ndryshoi parametrat e asaj që rusia e quan operacion special ushtarak. Sulmi në Kursk tregoi mundësinë e zhvendosjes së luftimeve në territorin rus me perspektivën e parandalimit të krijimit nga rusia të ashtuquajturave zona tampon; ky operacion dobësoi ndjeshëm intensitetin e veprimeve ushtarake të rusisë drejt Kharkivit dhe Sumit. Në përgjigje të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ky operacion tregoi aftësinë për sulme të suksesshme nga ana e Ukrainës pikerisht në territorin rus. Sot është e vështirë të flitet për të gjitha aspektet e këtij operacioni, por është e qartë për të gjithë se Rusia mund të vazhdoj pa mbarim luftime në territorin e Ukrainës, duke mbajtur kështu në shënjestër edhe vendet fqinje evropiane.
–Kemi parë propozime për ndërmjetësim të këtij konflikti nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, si Turqia, Kina, Afrika, githashtu nga Hungaria, Brazili, Katari, dhe se fundmi nga India. Cili nga këto propozime i afrohet kërkesave të Ukrianes? Si është vlerësuar roli i këtyre ndërmjetësve në proceset e negociatave dhe arritjen e paqes?
-Pala ukrainase i kushton vëmendje të madhe të gjitha propozimeve ndërkombëtare për ndërmjetësim për përfundimin e luftës. Ne vlerësojmë rolin e të gjithë ndërmjetësve ndërkombëtarë, shumica e të cilëve, për hir të së vërtetës, njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë dhe deklarojnë respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Megjithatë, Ukraina mbështetet në parimet themelore e formulës së saj të paqes. Është mbajtur Samiti i parë i paqes. Tani po përgatitet Samiti i dytë i paqes, i cili pritet të mbahet deri në fund të këtij viti. Ukraina dhe partnerët e saj ndërkombëtarë ndjekin formulën “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”. Ukraina po kërkon një paqe të drejtë dhe të garantuar.
– Kremlini ka deklaruar se i vetmi zhvillim që mund të pranonte për dialog është dorëzimi i Ukrainës dhe kërkesat për “denazifikim” dhe “demilitarizim”. A ka ndonjë shpresë për një zgjidhje paqësore duke marrë parasysh këto kushte? Nga ana tjetër, cilat janë termat e propozuar nga Ukraina dhe sa të realizueshme janë ata për të arritur një marrëveshje që të pranohet nga të dy palët?
-Fatkeqësisht, gjendja aktuale e gjerave në lidhje me vendosjen e paqes mban karakterin ultimativ. Kjo është e keqe nga përkufizimi, pasi kjo qasje objektivisht çon në një rritje të numrit të viktimave. Mendoj se edhe idetë për armëpushim edhe për vendosjen e paqes janë konstruktive sipas natyrës se tyre, por, për fat të keq, tani nuk funksionojnë në kuptimin e tyre të aplikuar. Jo vetëm Ukraina, por edhe e gjithë bota e qytetëruar është bindur se të besosh Putinin do të thotë të mashtrosh veten. Në të njëjtën kohë, asgjë nuk është e pamundur në politikë. Nisur nga kjo, shpresojmë në një rol përkatës të SHBA-së dhe BE-së, si dhe të vendeve të Lindjes globale.
–Së fundmi, Z. Ambasador-Cilat janë sfidat kryesore në procesin e negociatave për paqe? Dhe më e rendisishmja a ka vullnet për paqe dhe zgjidhjen përfundimtare të këtij konflikti?
Po, sigurisht. Vullneti për paqe ekziston. Dhe dëshira për paqe është dëshira më e madhe e ukrainasve, të cilët po paguajnë një çmim të tmerrshëm në këtë luftë. Si diplomat, më vjen keq që dialogu për paqen nuk po zhvillohet në tavolinën e negociatave, por në vijën e frontit. Do të doja shumë që kjo luftë të përfundonte sa më shpejt, dhe që njerëzit të mund të ktheheshin në jetën e tyre të zakonshme. Pasi tashmë erdhi dhe shtatori, i cili për të gjithë ne lidhet me fillimin e vitit shkollor. Fëmijët tanë janë të privuar nga mundësitë elementare të një jete në paqe, dhe për të tretin vit radhazi ata po përballen me sfidat e tmerrshme të luftës. Kjo është e tmerrshme…
VIDEO
TRANSKRIPTIMI I VIDEOS
Folësi 1 (00:00)
21 shtator 2022. Brigada 41. Reparti 21 i Forcave të Armatosura ka hyrë në pozita. Më 8 shtator, ai pati betejën e tij të parë në Avdiivka. Në këtë rajon, ata thjesht kërkonin një pozicion. Aty shkonin vetëm makina me municione, ushqime dhe për të marr të të plagosur. Nga 19 shkurt, kishim si urdher kapjen, asgjësimin, pastrimi dhe rregullimin…. Ata thjesht po kërkonin një vend në Vodianyvka, një vend ku ndodhet bodrumi dhe gjetën dy vendas. Komandanti i departamentit tonë mendoi se ishin « korrigjues »
Ishin tridhjetë e shtatë. Tridhjetë e tetë vjet. Sipas tyre, ata na u fshehën.
Folësi 2 (01:18)
Cfare keni bere atyre ?
Folësi 1 (01:19)
Ishin njerez nga zona. Pastaj ne i eliminuam. Në fillim, e rrahim me bishtin e automatikun, rrahën në duar. Në këmbë. Pastaj gjetën litarë, i mbytën dhe i varën.
Folësi 2 (01:42)
Domethënë, të vdekurit keni varur, apo jo?
Folësi 1 (01:44)
Ishin pa vetëdije.
Folësi 2 (01:46)
Si kryheshin veprimet lidhur me dhunën?
Folësi 1 (01:49)
Avdiivka nga 8 shkurt deri më 19 shkurt 2024. Në bodrume u gjetën gra dhe fëmijë. Ata thjesht shkuan për të kërkuar strehim nga mortajat. U gjetën gra dhe fëmijë atje.
Folësi 2 (02:13)
Na tregoni për natën e pare?.
Folësi 1 (02:15)
8 shkurt 2024. Ata gjetën një grua me dy fëmijë në bodrumin e një shtepie pranë Avdiivkës. U gjetën 19 gra rreth të 20-tave dhe dy fëmijë. Pse jeni ketu, pyetem? Thjesht nuk kishin ku të shkonin. Pas kësaj, na erdhi një urdhër për të mbuluar gojën atyre me shirit, në mënyrë që askush të mos e degjonte.
Folësi 2 (02:58)
Kush e dha një urdhër të tillë?
Folësi 1 (03:00)
Komandanti i grupit tone, “Omsk”-u. Mbyllim gojat me shirit. Pastaj filluan veprime perdhunuese, dhunen….
Folësi 2 (03:15)
Cfare moshe? Edhe një herë për vajzat.
Folësi 1 (03:17)
10.
Folësi 2 (03:18)
Sa kohe ?
Folësi 1 (03:21)
2 ore. Pastaj ata u vendosën pas murit dhe u qëlluan. Pastaj, në rrugën Lesnaya në Avdiivka, aty, në shtëpi u gjetën dy gra. Dy gra që pas bisedes me ta, kuptuam se erdhen në shtëpi për të ngrënë, ashtu jetonin, në bodrum. Mbyllem gojën e tyre me shirit ngjitës. Me urdher. Filluan veprime te dhunshme ndaj tyre…
Folësi 2 (03:59)
Sa ishit? Dhe cfare moshe ksihin?
Folësi 1 (04:01)
20. Dyzet vjet. Dy. Dy gra. Pastaj i çuam në bodrum. Është gjetur një fëmijë dhjetë vjeç. Vajza është gjithashtu rrethuar me shirit. Dhunuam dhe ate. E gjithë kjo zgjati rreth dy ore. Pastaj ata u vendosën pas murit dhe u qëlluan.
Folësi 2 (04:26)
Sa raste të tilla ka pasur gjatë kësaj kohe?
Folësi 1 (04:30)
Tre djem? Pesë vajza. Gjashtë gra.
Folësi 2 (04:36)
Si ju kapen?
Folësi 1 (04:37)
Në kallamishte. Në llogore. Isha vetëm, humba brigade. Ata iken. Grupi më humbi. Thjesht nuk i gjeta. Fillimisht hyra në pjesën e pasme të Forcave të Armatosura, më pas gjeta llogoret përmes të cilave duhej të kaloja. Hyra në llogore, desha te ndrohesha dhe lash armen me nje ane. Papritmas gjeta veten I rrethuar nga tre. Në çantën e shpinës nuk kishte asnjë granatë, arma ishte shumë larg.
Folësi 2 (05:29)
Sa kohë gjithsej luftuat atje?
Folësi 1 (05:34)
tetë muaj.
© 2024 Argumentum