Intervistë me Ministrin e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, Z. Hysni Ismaili ekskluzivisht për portalin Argumentum.al
Në këtë intervistë ekskluzive për argumentum.al , Ministri i Kulturës në Maqedoninë e Veriut shprehet për disa nga çështjet kryesore në Maqedoninë e Veriut por dhe në raport me Shqipërinë.
Marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Maqedoni për themelimin e Qendrave Kulturore dhe Informative në të dy vendet, Marrëveshja e Ohrit, Prespës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare , platforma shqiptare , janë disa nga çështjet e prekura në këtë interviste.
Qendrat kulturore në Tiranë dhe në Shkup do të jenë një pikë e lidhjes institucionale mes njerëzve të kulturës dhe të artit nga të dyja vendet, për çka kemi nevojë veçanërisht ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Sikundër besoj besoj se edhe në Shqipëri ka interes për njohjen e kulturës shumetnike të Maqedonisë së Veriut andej, shprehet Ministri i Kulturës në Maqedoninë e Veriut Z.Hysni Ismaili.
Marrëveshja e Ohrit është penguar në implementimin e saj,nga maqedonasit ndërsa shqiptarët – nga ana tjetër – shpesh për shkak të veseve të tjera, e kanë fragmentizuar atë vetëm në punësime dhe jo në frymën e ndërtimit të kohezionit dhe besimit ndëretnik në vendin tonë. Për këtë arsye partia që unë përfaqësoj – AlternAtivA – ka ofruar një rimodelim të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, duke e sintetizuar në nocionin RIDEFINIM.
Marrëveshja e Prespës është një pikë e këtij ridefinimi, është një gur themeltar për historinë e shtetit tonë dhe, madje, të rajonit,vijon Ministri,vijon Z.Ministër
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 12 Prillit, Z.Ismaili shprehet : “Një shtet për të gjithë”,do të jetë motoja e në programin zgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit. Jam i bindur se, pas zgjedhjeve në Kosovë, edhe te ne vjen në epokë tjetër e përfaqësimit të shqiptarëve dhe, rrjedhimisht, edhe e artikulimit ndryshe të pritjeve të qytetarëve tanë.
Së fundi Z.Ismaili flet dhe për Tiranën zyrtare duke thënë se , Tirana dhe Prishtina janë vëllezërit tanë dhe fqinjët më të mirë të shtetit tonë.
Intervistoi: Marjana Doda
– Z.Ministër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me qëllim themelimin e Qendrave Kulturore dhe Informative në të dy vendet. Çfarë përmban konkretisht kjo marrëveshje dhe sa e nevojshme është ajo ?
Themelimi i qendrave kulturore dhe informative është një praktikë e vendeve të zhvilluara për promovimin e kulturës së ndërsjellë, ndaj mendoj se ngritja e një qendre të tillë kulturore në Tiranë dhe anasjelltas, do ta fuqizojë bashkëpunimin institucional kulturor mes dy vendeve, ndërsa duke pasur parasysh se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një pjesë e konsiderueshme e këtij shteti, bashkëpunimi kulturor me shtetin shqiptar sigurisht që paraqet lajm veçanërisht të mirë. Në anën tjetër, besoj se edhe në Shqipëria ka interes për njohjen e kulturës shumetnike të Maqedonisë së Veriut andej.
– Si e komentoni ju reagimin e ish-ministrit të jashtëm Z. Bushati i cili ka theksuar se kjo marrëveshje barazon statusin e pakicave kombëtare. Ai thotë se kjo marrëveshje nuk ka asnjë vlerë të shtuar për shqiptarët, pasi në Maqedoninë e Veriut shqiptarët janë shtetformues kurse maqedonasit në Shqipëri janë pakicë kombëtare?
Nuk do të doja ta komentoj z. Bushati. E respektoj mendimin e tij, por më duhet të saktësoj se këto qendra nuk kanë të bëjnë me përqindjen e përfaqësimit etnik të një komuniteti ose të një tjetri. Këso qendra Maqedonia e Veriut tashmë ka edhe në Nju-Jork, në Stamboll dhe në Sofje, ndërsa së shpejti do të hapë edhe në Zvicër. Ato janë qendra që shërbejnë për promovimin e kulturës së shtetit tonë nëpër qendra të ndryshme botërore. Qendrat kulturore në Tiranë dhe në Shkup besoj se do të jenë një pikë e lidhjes institucionale mes njerëzve të kulturës dhe të artit nga të dyja vendet, për çka kemi nevojë veçanërisht ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
-Përpos kësaj marrëveshje, a ka një axhende të përbashkët ndërmjet ministrive tëdy vendeve tona në fushat ekulturës, arsimit ,etj?
Ne kemi pasur takime, madje edhe trepalëshe – me ministrin e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, dhe kemi diskutuar, porse derisa po flasim nuk kemi arritur të përfundojmë një agjende ose një kalendar të përbashkët të aktiviteteve kulturore. Megjithatë, kam shumë shpresë se – me themelimin e këtyre qendrave – kjo do të lehtësohet, sepse ato vetë do të kenë më shumë mundësi komunikimi për ta projektuar kalendarin vjetor kulturor. Tek ne ka vullnet të mirë dhe mendoj se kjo më është vetëm çështje teknike.
-Z.Ministër , sa e mundur është zbatimi i projekteve në fushën e kulturës që janë në interes të të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke qene se Maqedonia është një shtet multikulturor në të cilën jetojnë maqedonasit, shqiptarët, romët, vllehët turqit dhe të tjerët?
Sigurisht që kjo është një mjeshtri e veçantë. Sepse gjithnjë duhet pasur parasysh përbërja e ndryshme etnike dhe religjioze e komuniteteve të ndryshme në vendin tonë dhe ndër detyrat tona kryesore është që ta ruajmë këtë baraspeshë. Madje, nëse më lejoni, do të shtoja se në këtë drejtim nuk kemi pasur asnjë ankesë. Puna jonë ka rezultuar e suksesshme në këtë plan dhe, për këtë arsye, sa herë që lexoj komente pozitive nga pjesëtarë të komuniteteve të tjera për mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, vërtet ndjehem mirë, kjo për arsye se si komb që kemi qenë të diskriminuar nuk do të doja të jemi diskriminues ndaj askujt.
-Nisur dhe nga arritja e marrëveshjes më problematike siç ishte “Marrëveshja kolektive për kulturë”, një sukses që i’u atribuohet personalisht Juve si Ministër i Kulturës dhe që është përshëndetur nga të gjitha palet. A ka ardhur koha që shqiptaret dhe maqedonasit të mos kenë ndasi mes veti. Pra jo më shqiptarët për shqiptarët dhe maqedonasit për maqedonasit, por të gjithë për Maqedoninë e Veriut?
Ministria e Kulturës, që e drejtoj unë, mund të jetë ndoshta ndër dikasteret e vetme që ia kemi dalë të jemi përtej këtyre kufizimeve. Marrëveshja kolektive, një kërkesë dhjetëravjeçare, u kurorëzua pikërisht me ne dhe me të përfitojnë të gjithë punonjësit e kulturës, pra jo vetëm shqiptarët. Kjo mënyrë e perceptimit të shtetit na ka bërë që ne programin zgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit ta titullojmë me “Një shtet për të gjithë”, duke nënkuptuar se shteti duhet të jetë i barabartë dhe i drejtë për të gjithë njësoj. Duke shpresuar se ne do të vazhdojmë të mbetemi edhe në qeverisjen e ardhshme, besoj se koha qe vjen do të jetë në frymën e një shteti për të gjithë.
-Në konferencën e fundit në Baku, UNESCO ngriti alarmin duke paralajmëruar se qyteti i Ohrit një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë mund të humbase mbrojtjen e UNESCO-s ,pikërisht pasi rrezikohet nga ndërtimet e reja .Cili është qëndrimi juaj për këtë rast ?
Ohri është ndër qytetet më të rëndësishme në vendin tonë, por për fatin e tij duke qenë mes dy shteteve kujdestare dhe disa resorëve të shtetit, që duhet të kujdesen për të, ai shpesh vihet në rrezik për shkak të moskoordinimit të mirë, duke u hedhur faji herë andej e herë këndej. Interesi ynë është që Ohri të mbetet nën mbrojtje të UNESCO-s dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ky fakt të mos ndryshojë. Në këtë pikë nuk mund të ketë kompromis me asnjë ministri tjetër dhe me asnjë interes tjetër.
-Qyteti i Ohrit, na rikujton edhe Marrëveshjene Ohrit. Tani që kemi hyrë në vitin e 19-të që nga nënshkrimi i saj , sa e suksesshme ka rezoltuar kjo marrëveshje ? A jemi në kushtet e ripërtërimit të një kontrate të re midis shqiptarëve dhe maqedonaseve?
Një gjë që nuk duhet harruar është se Marrëveshja e Ohrit erdhi në kushte të luftës ose, më saktë, u nënshkrua si marrëveshje paqësore, që e ndali konfliktin e vitit 2001. Dhe, kjo nuk është e parëndësishme, sepse ky fat e ka ndjekur vazhdimisht atë. Maqedonasit e kanë perceptuar atë marrëveshje si fitore të shqiptarëve dhe janë munduar shpesh ta sabotojnë dhe pengojnë implementimin e saj, ndërsa shqiptarët – nga ana tjetër – shpesh për shkak të veseve të tjera, e kanë fragmentizuar atë vetëm në punësime dhe jo në frymën e ndërtimit të kohezionit dhe besimit ndëretnik në vendin tonë. Kjo ka bërë që Marrëveshja e Ohrit të ngelë e parealizuar ashtu siç ishte projektuar. Për këtë arsye partia që unë përfaqësoj – AlternAtivA – ka ofruar një rimodelim të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, duke e sintetizuar në nocionin RIDEFINIM. Me këtë kemi menduar se Maqedonisë së Veriut i duhet një ridefinim i gjithë sistemit të ndërtimit të shtetit, që nga simbolet, çështja e sovranitetit, politikat gjuhësore, ndarja e buxhetit dhe e pushtetit, marrëdhëniet ndëretnike etj. Mendimi ynë është se kjo duhet të bëhet në kushte të paqes e jo nën trysninë e tytave. Dhe, tjetra: kjo nuk duhet të bëhet që të kënaqen vetëm shqiptarët, por kjo duhet të bëhet që shteti të bëhet funksional. Sepse, kështu siç është asimetrik – shteti njëetnik me shoqëri multietnike – detyrimisht që ky shtet shkon duke prodhuar kriza politike, ekonomike, sociale e ndëretnike.
-Sa i përket marrëveshjes historike Greqi-Maqedoni e Veriut, pertej impaktit politik , a ka i zgjidhur tensionet kulturore Marrëveshja e Prespës ?
Mendoj se Marrëveshja e Prespës është njëra nga pikat e ridefinimit që edhe ne e kishim kërkuar. Për fat të keq, kjo nuk ishte pranuar nga kërkesa e brendshme, por nga presioni i jashtëm. Pas ridefinimit të emri të shtetit, duke i dhënë një atribut gjeografik, u hap rruga që vendi ynë të bëhet anëtar i NATO-s dhe, si asnjëherë më parë, të jetë afër BE-së. Kjo është një mundësi historike për të gjithë neve si shtet, por edhe si shqiptarë që jetojmë këtu. Vetëm në këtë mënyrë mendoj së mund të vihet rend edhe në sistemin e drejtësisë, për të cilin kemi aq shumë ankesa dhe vetëm kështu edhe shteti ynë mund të futet në binarë të shtetit me perspektivë zhvillimore. Kjo është arsyeja që gjykoj se Marrëveshja e Prespës është një gur themeltar për historinë e shtetit tonë dhe, madje, të rajonit.
– Kohët e fundit pati një frymë kushtëzimesh nga ana e Bullgarisë e cila dhe ajo ka pretendime kulturore e historike ndaj Maqedonisë së Veriut. Cili është qëndrimi juaj si Ministër Kulture por dhe si përfaqësues i një partie politike shqiptare në MV?
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy vende fqinje që gati se i kanë mbyllur kontestet. Me Traktatin e Miqësisë, të nënshkruar më 2017, është hapur një perspektivë e re dhe mendoj se ne gjatë rrugës për integrim në BE do t’ia dalim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet dhe dilemat e pakta që kanë mbetur. Në parim Bullgaria është një vend aleat i Maqedonisë së Veriut dhe, madje, shtet që lobon për integrimin tonë në BE.
-Krahas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare , në MV a është e mundur që gjatë vitit 2020-të të mbahet dhe Censusi? Mendoni se Shqiptaret nuk do të quhen më pakice e 20% apo e rrezikojnë dhe këtë përqindje nisur nga largimet masive të tyre në emigrim?
Siç e dini, në vendin tonë nuk ka pasur census që nga viti 2002. Duke pasur në konsideratë se numri i popullsisë është kriter edhe për marrëdhënie të brendshme të shtetit, konsideroj se ne duhet të kemi guxim për ta bërë regjistrimin e popullsisë dhe të amvisërive, sepse kjo përveç impaktit politik, na duhet si informacion edhe për tema ekonomike, sociale etj. Kam shpresë se gjatë këtij viti do të mbyllet edhe kjo temë.
-Pak muaj para zgjedhjev eparlamentare është zyrtarizuar Koalicioni “Alternativa” dhe” Aleanca për Shqiptaret”, sa i sukseshëm do të jetë ky koalicion dhe a do të jetë ky koalicion force e parë politike nga partitë e tjera shqiptare ?
Koalicionet gjithnjë bëhen nga bindja se ashtu fitojnë më shumë. Rrjedhimisht, edhe koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët është krijuar për të mos e lënë të shkapërderdhur votën shqiptare dhe unë jam i bindur se ky do të jetë blloku fitues i zgjedhjeve të 12 prillit. Nëse u referoheni numrit të votave të vitit 2016, kur shqiptarët votuan me 150 mijë vota kundër BDI-së, por që për arsye se vota ishte e përçarë, ajo mbeti në pushtet, i bie se në këto zgjedhje mjafton ky koalicion që e akumulon atë votë, që rezultati të jetë efektiv. Por, për neve më e rëndësishme është ajo që do të vijojë pas 12 prillit sesa para tij. Ne kemi hartuar një program zgjedhor dhe jemi të përkushtuar në implementimin e tij të plotë. Vetëm ashtu mendojmë se do ta arsyetojmë praninë tonë jo vetëm në pushtet, por edhe në skenën politike. Jam i bindur se, pas zgjedhjeve në Kosovë, edhe te ne vjen në epokë tjetër e përfaqësimit të shqiptarëve dhe, rrjedhimisht, edhe e artikulimit ndryshe të pritjeve të qytetarëve tanë.
-A do të ketë në këto zgjedhje një platforme shqiptare numër 2? Çfarë pritshmërie kanë realisht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga Tirana zyrtare?
Nuk besoj se ka nevojë për diçka të tillë. Ne kemi kapacitete të mjaftueshme vendore që ta artikulojmë interesin e shqiptarit tonë. Natyrisht, çdo mbështetje nga Tirana dhe Prishtina është e mirëseardhur dhe ne do të jemi mirënjohës. Tirana dhe Prishtina janë vëllezërit tanë dhe fqinjët më të mirë të shtetit tonë.
/argumentum.al/
© 2020 Argumentum