Intervistë me Z.Anton Lulgjuraj , Ish -kryetari i Forumit Demokratik për Integrim, Mali i Zi , pedagog i së drejtës ndërkombëtare pranë Universitetit Europian të Tiranës
“Shqiptarëve çdo herë në Mal të Zi u është imponuar që nga dy të këqija, të zgjedhin të keqen më të vogël”, kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Argumentum.al” ish- kryetari i Forumit Demokratik për Integrim, Mali i Zi ,z.Anton Lulgjuraj. Shqiptarët si pakicë nuk kanë patur fuqinë politike të vendosin për të bërë ndryshime në favor të demokratizimit të Malit të Zi, kjo dhe për vetë faktin se as opozita nuk u kanë ofruar shqiptarëve realizimin e të drejtave të tyre të parapara me konventa ndërkombëtare dhe as me kushtetutën e Malit të Zi
Bashkimi i subjekteve politike në territorin e Malësisë me qendër Tuzin konsiderohet si arritje e madhe por për efektin e këtij bashkimi Z.Lulgjuraj duket se është skeptik, pasi edhe kuadrot që po punësohen në Komunën e Tuzit lënë hapësirë për të diskutuar, thotë ai.
Mali i Zi nuk është shtet demokratik, vetëvetiu nënkupton se të drejtat e pakicave, cilat do qofshin ato, nuk janë realizuar deri në fund. Shqipëria si shteti amë, e ka detyrim të kërkojë nga Mali i Zi që të ua respektojë të drejtat e shqiptarëve në territoret e tyre autoktone dhe etnike. Deri me tani, ky veprim i Shtetit amë, për ne shqiptarët në Mal të Zi nuk është aq i dukshëm.
Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë faktor politik, jo vetëm për shkak të kaluares historike ku për fatin e tyre atëherë vendosën fuqitë e Mëdha, kurse sot përçarjet e brendshme të shqiptarëve nuk lejojnë faktorizimin e tyre, vijon më tej Z.Lulgjuraj.
Megjithatë ai thotë se falë Amerikës, Austrisë dhe disa shteteve të tjera perëndimore, sot ekziston Shteti shqiptarë, edhe pse i cunguar, por ka bindjen se perëndimi mund të bëje edhe më shumë për trevat shqiptare. Lidhur me marrëveshjen e pritur Kosovë-Serbi , ai shprehet se për shqiptarët e Malit të Zi është e pranueshme çdo marrëveshje që lind si vullnet i popullit shqiptarë të Kosovës.
Intervistoi: Marjana Doda
Z.Lulgjuraj , Mali i Zi pas aderimit në NATO duket sikur ka krijuar një stabilitet politik dhe marrëdhënie të mira ndërkombëtare, po si është situta sot për shqiptarët e Malit të zi pas 2 viteve nga aderimi në NATO?
Shqiptarët në Mal të Zi e kanë mbështetur pa asnjë rezervë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO sepse e kemi kuptuar rëndësinë e aderimit në organizatën politiko-ushtarake më të madhe të globit. Në Mal të Zi, për fat të keq nuk ka ardhur deri tek një stabilizim i demokracisë. Gjithnjë Mali i Zi është i përçarë brenda në taborre nacionaliste, të cilat për shqiptarët janë shumë të rrezikshme, sepse çdo përplasje e popujve shumicë serbo-malazez, krijon pasoja negative për shqiptarët në Mal të Zi.
Zgjedhjet lokale të vitit 2019 në Tuz ”Malësia na bashkon” – solli dhe bashkimin e partive shqiptare Forumi shqiptar ASH-LDSH-UDSH, e trumbetuar edhe nga Tirana Zyrtare si një arritje e madhe për shqiptarët. Çfare solli në të vertetë ky bashkim politik në këtë proces dhe sa efektiv është aktualisht ai?
Edhe pse i vonuar, më në fund u arrit bashkimi i subjekteve politike që vinin nga radhët e shqiptarëve që jetojnë në territorin e Malësisë me qendër Tuzin. Më e mira e këtij bashkimi ishte se u arrit bashkimi i shqiptarëve të dy konfesioneve kryesore në këtë treve. Në proces e sipër është konstituimi i organeve të vetëqeverisjes lokale, kështu që për efektin e këtij bashkimi gjykoj se është heret të flasim, edhe pse tek kuadrot që po punësohen në Komunën e Tuzit lenë hapësirë për të diskutuar.
Mali i Zi në fillim viti ka qene i përfshirë për jave të tëra nga protestat kundër Presidentit Gjukanoviç, po shqiptaret a kanë protestuar , cili është qëndrimi i tyre ndaj qeverisjes malazeze ?
Subjektet shqiptare nuk kanë protestuar, për arsye të partecipimit në pushtet në nivel qëndror me partinë DPS, gjegjësisht të z. Gjukanoviç. Roli i shqiptarëve ndaj qeverisjes malazeze ka qenë nënshtrues dhe skajshmërisht servil. Për fat të keq, shqiptarëve çdo here në Mal të Zi u është imponuar që nga dy të këqija, të zgjedhin të keqen më të vogël; nënkuptohet se shqiptarët si pakicë nuk kanë patur fuqinë politike të vendosin për të bërë ndryshime në favor të demokratizimit të Malit të Zi, por çdo herë i ka vënë në pozitën anuese ndaj të keqes më të vogël. Nënkuptohet se as pushteti e as opozita nuk u kanë ofruar shqiptarëve realizimin e të drejtave të tyre të parapara me konventa ndërkombëtare dhe as me kushtetutën e Malit të Zi. Kjo ka patur pasoja të rënda edhe për vetë shqiptarët të cilët kanë patur përplasje të brendshme politike dhe ndarje e përçarje shumë të dëmshme për vetë ata. Kjo më së miri shihet në themelimin e shumë subjekteve politike, të cilat në vend që të merren me zgjidhjen e problemeve politike të shqiptarëve në Mal të Zi, ato, energjinë e tyre politike e kanë përdorë duke sulmuar njëri-tjetrin.
Sa të respektuara janë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi? Cilat janë problematikat ?
Duke u nisur nga fakti se Mali i Zi nuk është shtet demokratik, vetëvetiu nënkupton se të drejtat e pakicave, cilat do qofshin ato, nuk janë realizuar deri në fund. Shqiptarët gjithnjë, në Mal të Zi, janë popull i padëshiruar nga shumica sllave dhe kjo situatë do të kërkojë në vazhdimësi nga shqiptarët që të luftojnë për të drejtat e tyre duke u mbështetur në shtetin amë, i cili e ka edhe detyrim të kërkojë nga Mali i Zi që të ua respektojë të drejtat e shqiptarëve në territoret e tyre autoktone dhe etnike. Deri me tani, ky veprim i Shtetit amë, për ne shqiptarët në Mal të Zi nuk është aq i dukshëm, por duam të shpresojmë që edhe Shqipëria të stabilizojë demokracinë e brendshme dhe kështu të ketë kohë të merret edhe me të drejtat e shqiptarëve edhe jashtë territorit administrative të Shqipërisë. Nënkuptohet se edhe faktori i brendshëm shqiptar në Mal të Zi, duhet të leje luftat e brendshme dhe përçarjet politike duke u marrë vetëm me të drejtat e shqiptarëve brenda shtetit malazez.
Problematikat më të mëdha janë: punësimi, zhvillimi infrastruktural, arsimi universitar, respektimi i simboleve kombëtare, e drejta e informimit në gjuhë amëtare, ndalimi i migrimit gjegjësisht zhvillimi ekonomiko-social, etj.
Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi me 21 maj 2006, solli mobilizimin e shqiptarëve nga e gjithë Europa e Amerika me qëllimin e vetëm shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi. A janë sot faktor shqiptarët e Malit të Zi nisur edhe nga kjo mbështetje për pavarësinë e këtij vendi?
Shqiptarët e kanë përkrah ndarjen e Malit të Zi nga bashkësia shtetërore me Serbinë, sepse ata gjithmonë e kanë përceptuar se Serbia ka qenë gjithëherë ajo fuqia më e madhe anti-shqiptare e cila në programet e veta ka patur shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Shqiparët nuk ia kanë sjellë Malit të Zi pavarësinë, sepse dihet që ajo është sjellë në Kongresin e Berlinit në 1878, për ndryshe sikur të ishte realizuar dëshira e shqiptarëve që sot gjinden në territorin e Malit të Zi, Mali i Zi do të kishte kufij të tjerë. Rrjedhimisht as atëherë dhe as sot, shqiptarët në Mal të Zi nuk janë faktor politik, kjo për shkak se atëherë vendosën fuqitë e Mëdha, kurse sot përçarjet e brendshme të shqiptarëve nuk lejojnë faktorizimin e tyre.
Shqiptarët u bashkuam duke vepruar në interes të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, madje duke qenë deçiziv në rezultatin përfundimtarë, por pse nuk kërkuan bashkim kombëtar?
Vlerësimi i shqiptarëve në bazë edhe të sugjerimeve të aleatëve tanë për Bashkimin Kombëtar, në këtë faze ishte i parakohshëm dhe i parealizueshëm, e kjo nënkupton se shqiptarët gjithnjë e dinë shumë mire se cila do të ishte e drejta e tyre e fundit dhe e dinë shumë mirë se sa jetë njerëzish është sakrifikuar për këtë çeshtje, por në të njëjtën kohë, shqiptarët dinë të jenë edhe pragmatik dhe të kuptojnë se çështjet e popujve të vegjël janë në duar të fuqive të cilat kanë vendosur dhe gjithnjë vendosin edhe për fatin tonë. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk duhet të bashkohen në të gjitha fushat ku u krijohet mundësia.
Marrëdhënia e shqiptarëve të Malit të Zi me Perëndimin, në saje të emigrimit në Amerike duket një lidhje shpirterore, e ekonomike-politike. Nisur nga ky fakt, sa e kanë ndjerë përkrahjen amerikane shqiptarët e Malit të Zi?
Falë Amerikës, Austrisë dhe disa shteteve të tjera perëndimore, sot, ekziston Shteti shqiptar, edhe pse i cunguar. Kjo marrdhënie e shqiptarëve me këto fuqi është përforcuar gjatë kohës dhe kjo ka sjellë që shqiptarët të kenë edhe Kosovën si shtet dhe gjysmën e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Ky bashkëveprim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe mendojmë se kësaj here Amerika dhe perëndimi, kanë edhe mundësi më të mëdha për të ndihmuar shqiptarët në realizimin e të drejtave të tyre. Mirëpo, duhet të kemi kujdes në disa devijime që lindin brenda faktorit shqiptar të cilat mund ta dëmtojnë ose së paku ta ngadalësojnë realizimin e të drejtave përfundimtare të shqiptarëve.
Prej 1 viti në dialogun Kosovë –Serbi është përmendur mundësia e shkëmbimit të territoreve, apo e korrigjimit të kufirit nga presidenti Thaçi, cili është qëndrimi i shqiptarëve të Malit të Zi?
Shqiptarët në Mal të Zi, besoj edhe më gjërë, e kanë të qartë se shqiptarëve u është marrë territor padrejtësisht edhe në të kaluarën, por e kanë të qartë se shumë të drejta të tyre nuk janë realizuar për hir të balancimit të gjeopolitikës dhe se nganjëherë kanë qenë të kushtëzuar të humbin ndonjë gjë më të vogël, për të ruajtur ndonjë gjë më të madhe. Dëshira e shqiptarëve në Mal të Zi do të ishte që shqiptarët mos të humbin territore, por t’u kthehen edhe territoret e tjera të humbura padrejtësisht, por shumë gjëra nuk varen vetëm nga ne shqiptarët. Për ne është e pranueshme çdo marrëveshje që lind si vullnet i popullit shqiptar të Kosovës.
Milo Gjukanoviç , është kundër korrigjimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për shkak se rrezikon efektin zingjir në Ballkan e në Evropë .Po ashtu Ministri i jashtëm i Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq tha se korrigjimi i territoreve, “nuk është ideja më e mirë”. Në këndvështrimin tuaj cili do të ishte pozicionimi i Malit të Zi ndaj kësaj çështjeje ?
Nga vetë fakti se ata janë deklaruar në nivelet më të larta shtetërore, dihet se ata janë kundër korrigjimit të kufijve sepse ata i frikohen reaksionit zinxhir që mund të prodhonte kjo marrëveshje, me qenë se Mali i Zi në brendinë e vetë ka popuj e territore të cilat mund të kërkonin të njëjtën gjë.
Ajo që i karakterizon shqiptarët në Mal të Zi ashtu sikurse shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës është mosuniteti dhe ndarja nëpër shumë parti të vogla,si mund të pretendohet bashkim kombëtare kur ekzistojnë ndasi të tilla për interesa personale politike?
Siç kemi shpjeguar edhe më lartë, ky unitet duhet të fillojë nga Shteti amë dhe pasojë e të gjitha përçarjeve politike jashtë Shqipërisë është mosuniteti politik i shqiptarëve brenda territorit të shtetit të vet dhe kjo situate e krijuar brenda Shqipërisë u jep mundësi shteteve përreth të cilat në brendinë e vetë kanë shqiptarë, ti përçajnë këta të fundit për interesat e veta politike. Pra, përçarja politike e shqiptarëve është pasojë e mos interesimit të Shtetit amë për unitetin e tyre.
Kohet e fundit ka një përplasje në Mal të Zi nga pretendimet e kishes ortodokse serbe ,cila është e verteta dhe çfarë synohet pas këtij pretendimi? Pse ka hasur në kundërshti?
Kisha ortodokse Serbe asnjëherë nuk e ka pushuar konceptin e Serbisë së Madhe e cila në brendësinë e atij koncepti e sheh edhe Malin e Zi dhe kjo politike e Kishës Serbe vazhdon edhe sot. Të gjitha forcat pro Malit të Zi të pavarur e kanë të njohur këtë veprimtati të Kishës ortodokse Serbe dhe kjo ka prodhuar përplasjet e fundit që kanë ndodhur në mes të pushtetit dhe Kishës ortodokse. Ky problem nuk mund të zgjidhet shumë shpejtë, sepse është problem shekullorë dhe si pasojë e këtij veprimi të kësaj Kishe, një pjesë e madhe e popullatës malazeze deklarohen se i takojnë kësaj Kishe. Mali i Zi në të ardhmen, duhet të punojë që të forcohet Kisha Autoqefale Malazeze nëse mendon ta ruajë pavarësimin e saj.
A mund të mbyllen në Ballkan çështjet e hapura dhe si ?
Sot çështjet e hapura në Gadishullin Ilirik mund të mbyllen vetëm perms dialogut si e vetmja alternative në epokën bashkohore. Zgjidhja e këtyre çështjeve nuk është vetëm në duart e shteteve të Gadishullit, por më tepër është pasojë e luftës gjeopolitike të fuqive dhe Gadishulli Ilirik do të mbetet gjithnjë një territor i cili do të varet nga vullneti i Fuqive të Mëdha me qenë se këtu ka përzierje të disa faktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë, në rend të parë SHBA dhe Rusia, por edhe të BE, Turqisë etj.
Dhe së fundi cilat janë kerkesat apo pritshmërite e shqiptarëve të Malit të Zi ndaj Tiranës zyrtare?
Siç e kemi cekur edhe më lartë, shqiptarët së pari dëshirojnë që të vijnë deri tek një stabilizim politik në Shqipëri. Të fillojë funksionimi i shtetit të së drejtës, demokracisë parlamentare si kusht që Shqipëria të bëhet një ruajtës i të drejtave jo vetëm të shqiptarëve në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve jashtë kufirit administrativ. Shqipëria duhet të ndryshojë bindjen e saj se çdo here duhet të sillet me servilizëm ndaj fqinjëve, por përkundrazi Ajo duhet të marrë rolin që i takon si një nga faktorët kryesorë në Ballkan. Kjo sjellje e tillë e Shqipërisë, vetëvetiu do të prodhojë edhe respektimin më të madh të shqiptarëve në shtetet fqinje. /argumentum.al
© Argumentum