Intervistë Ekskluzive për ARGUMENTUM.al me z. Kreshnik Osmani, Ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Kryetar i “Levizjes Atdheu”
Intervistoi: Marjana Doda
Tensionet etnike dhe politike, sfidat e brendshme e të jashtme të Shqipërisë dhe Rajonit, integrimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtarë, marrëdhëniet ndëretnike, sfidat ekonomike, radikalizimi fetar, gara për armatime në Ballkan, mitet që shoqërojnë këtë rajon, influencat e huaja që diktojnë qeveritë e brishta, janë disa nga temat që trajtohen në këtë intervistë shteruese, për Argumentum.al nga Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, z. Kreshnik Osmani.
“Ne jemi dëshmitarë të njërës prej epokave më të rëndësishme të historisë së njerëzimit dhe kjo mundësi nuk i jepet çdokujt në këtë jetë. Një epokë e ndërmjetme ndërmjet dy Rendeve Botërore ka nisur, ku ka vdekur njëri sistem dhe po pamundësohet lindja e një Sistemi të Ri. Parë nga ky këndvështrim, sfidat e jashtme dhe të brendshme janë ngushtësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe diktojnë pashmangshmërisht dështimin dhe suksesin e secilës”, thekson z. Osmani.
Ai më tej shpjegon konkretisht se cilat janë sfidat e bredshme dhe të jashtme të Shqipërisë duke thënë: “Sfidat e brendshme të Shqipërisë janë të lidhura direkt me Sistemin politik dhe me funksionimin e Demorkacisë. Goditja e shtetit të së drejtës, e ekonomisë, e sigurisë kombëtare dhe një drejtësi e kapur dhe jo funksionale, mund të krijojnë një vakum të rrezikshëm që destabilizon në themel funksionimin e demokracisë dhe të shtetit”.
Sa i përket sfidave të jashtme është shumë e rëndësishme që të ndjekim me kujdes dhe të analizojmë imtësisht dinamikat e zhvillimeve të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, pasi Bota ndryshoi me pushtimin dhe agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ky tërmet i jashtzakonshëm ndërkombëtar, do të ndiqet nga postlëkundjet në Ballkan.
Lidhur me integrimin europian të vendit tonë, z. Osmani thotë se Shqipëria duhet të ketë në fokus të orientimit të saj të përgjithshëm strategjik në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, (si një shtet i pafuqishëm për të prodhuar gjeopolitikë), krijimin e klimës dhe të kushteve optimale për të ndërtuar dhe për të kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera veçanërisht me fqinjët e saj, pasi besoj se komshiu është po aq i rëndësishëm sa shtëpia.
“Mendoj se Shqipëria duhet të vijojë ta shohë me interes të lartë proçesin e integrimeve evropiane dhe realizmin e ëndrrës madhore për një Shqipëri si e gjithë Europa, që iu ushqye shqiptarëve nga politika 30 vjeçare e mashtrimit, për integrim evropian dhe nuk bëjmë pjesë tek euroskeptikët”, vijon ai
Megjithatë ndërsa procesi i rrugëtimit të integrimit europian të Shqipërisë është i gjatë, paralelisht me këtë, z. Osmani thotë se duhet punuar ngushtësisht për afrimin e proçesit të Bashkimit Kombëtar nëpërmjet përshpejtimit të proçeseve integruese ndërshqiptare, afrimin e mëtejshëm të shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe koordinimin e interesave strategjike në kushtet gjeopolitike të momentit historik nëpër të cilin po kalon rajoni dhe bota.
“Ne besojmë se interesat madhore të shqiptarëve do të sigurohen në tryezat ndërkombëtare vetëm atëherë kur dinamikat e integrimeve politike, kulturore, shtetërore dhe ekonomike ndërshqiptare, brenda proçesit të bashkimit dhe të përafrimit kombëtar ndërmjet tyre, të jenë dominante ndaj tentativave të lojtarëve të Serbisë në shtetet e shqiptarëve për të ofruar formula të tjera të bashkëpunimit dhe të kooperimit rajonal që e sigurojnë rikthimin e hegjemonisë dhe të domonancës së Beogradit në rajon, siç ishin nisma “Ballkani i Hapur” apo “Minishengeni Ballkanik” si dhe nisma të tjera që tashmë kanë shpallur dhe deklaruar falimentimin e tyre”, shprehet z. Osmani.
I pyetur për të ardhmen e afërt të rajonit tonë dhe nëse mund të ketë paqe Ballkani përmes integrimit ekonomik, z. Osmani thotë se Stabiliteti i Ballkanit dhe paqja e tij janë emergjencë gjeopolitike Evropiane dhe Perëndimore përpara se të jetë të tilla për vetë banorët e rajonit pasi një Ballkan i destabilizuar nuk është në interesin e Perëndimit.
“Projekti i Paqes dhe i dialogut në rajon, mund të përshpejtohet përmes integrimit ekonomik të rajonit, por ky integrim duhet të jetë i vërtetë, gjithëpërfshirës, i barabartë dhe proporcinal, jo integrim i cili zgjeron disa shtete në kurriz të disa të tjerëve më të dobët për llogari të axhendave të padukshme shoviniste e hegjemoniste që nuk kanë munguar në Ballkan”, shprehet ndër të tjera z. Kreshnik Osmani në intervistën e mëposhtme:
Intervista e plotë;
Marjana Doda: Z. Osmani, ndërsa ndodhemi përballë zhvillimeve të reja gjeopolitike, cilat janë sfidat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë? Po rajonit në tërësi?
Z.Kreshnik Osmani: Pak kohë përpara se të ndahej nga jeta, ish shefi i diplomacisë amerikane dhe njëri prej arkitektëve që ka diktuar fizionominë e asaj politike në shekullin që lamë pas dhe në çerekshekullin në të cilin jemi, Henry Kisinger ka thënë: “Njerëzimi ka hyrë në një epokë krejtësisht të re.”
Duhet që të gjithë të jeni të bindur për diçka shumë të rëndësishme: Ne jemi dëshmitarë të njërës prej epokave më të rëndësishme të historisë së njerëzimit dhe kjo mundësi nuk i jepet çdokujt në këtë jetë. Një epokë e ndërmjetme ndërmjet dy Rendeve Botërore ka nisur, ku ka vdekur njëri sistem dhe po pamundësohet lindja e një Sistemi të Ri. Bota sot është njëlloj si një grua shtazënë që i kanë plasur ujërat, por nuk po e lind dot atë me të cilin është shtatzënë dhe nëse lindja vonohet, rrezikon jetën edhe nëna edhe foshnja. Politologët dhe filozofët (jo domosdoshmërisht me bindje të ngjashme me të miat) e kanë quajtur këtë epokë të ndërmjetme si “Koha e monstrave”
Epoka e monstrave është gjithashtu, intervali historik dhe kohor që përfaqëson fundin (vdekjen) e një Rendi Botëror dhe pamundësia e lindjes së një Rendi të Ri. Ne jetojmë sot pikërisht në këtë kohë, që me veçantitë e saj, e bën atë unike, shumë të rrezikshme dhe vendimtare për të ardhmen e racës njerëzore. Nga ana tjetër, sa më e rrezikshme të jetë një kohë dhe sa më të mëdha të jenë sfidat e saj, aq më të mëdha janë edhe ndarjet dhe çarjet e grupeve të ndryshme shoqërore, kulturore, intelektuale, sociale dhe politike në shoqëri të ndryshme dhe kjo e bën edhe më të ndërlikuar situatën.
Njerëzimi po përjeton kohëra të jashtëzakonshme tronditjesh, tërmetesh dhe ciklonesh të mëdha politike, ekonomike, sociale, kulturore, fetare, ekonomike, psikologjike, madje unike për nga situatat e krijuara dhe agjendat e larmishme që janë hedhur dhe që i imponohen racës njerëzore. Secila agjendë ka për synim të projektojë një formë të caktuar të të menduarit dhe të përjetuarit të ngjarjeve, ngushtësisht të lidhura me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të secilit pol.
Parë nga ky këndvështrim, sfidat e jashtme dhe të brendshme janë ngushtësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe diktojnë pashmangshmërisht dështimin dhe suksesin e secilës.
Sfidat e brendshme të Shqipërisë janë të lidhura direkt me Sistemin politik dhe me funksionimin e Demorkacisë. Goditja e shtetit të së drejtës, e ekonomisë, e sigurisë kombëtare dhe një drejtësi e kapur dhe jo funksionale, mund të krijojnë një vakum të rrezikshëm që destabilizon në themel funksionimin e demokracisë dhe të shtetit.
Fatkeqësisht institucionet shtetërore në Shqipëri janë në krizë të thellë, ato vazhdojnë të qëndrojnë larg standardeve të shtetit ligjor dhe demokratik dhe shumë larg nevojave strategjike të anëtarësisë së kombit. Korrupsioni i lartë, vrafëria ekstreme, shpopullimi i vendit, rritja e borxhit të jashtëm, lidhjet e ngushta të zyrtarëve të lartë shtetërore me kartelet e drogës dhe me krimin e organizuar sic e kemi parë herë pas here në raportet ndërkombëtare tregojnë qartë dekompozimin e brendshëm të shtetit dhe të regjimit i cili nuk respekton ligjin, parimet dhe vlerat themelore të lirisë dhe të Demokracisë.
E keqja vazhdon të jetë më e organizuar sesa liria dhe demokracia; ajo është duke menaxhuar shkatërrimin e ekonomisë tonë, moralit tonë, psikologjisë tonë, intelektit tonë. Ka shkaktuar emigrimin e trurit të kombit dhe forcave aktive të punës dhe cënon seriozisht sovranitetin e Shqipërisë. Siç mund të vihet re, klasa aktuale politike nuk e konsideron politikën si artin e ngritjes së shtetit dhe të institucioneve të tij, apo si mirëqeverisje, por si një luftë klanesh për kontroll dhe si një mënyrë të shpejtë për t’u pasuruar.
Paqëndrueshmëria e institucioneve të dobëta shtetërore veçanërisht të atyre të drejtësisë është tregues i boshllëkut historik, i cili kërcënon të vrasë ndjenjat dhe nervin që ngacmon ringritje dhe riorganizim shtetëror. Pavarësisht përpjekjeve për të shkaktuar konflikte politike, krahinore, madje edhe fetare, populli shqiptar, falë urtësisë së tij të dhuruar nga Zoti dhe instinkteve të tyre natyrale, kanë arritur tradicionalisht t’i shkatërrojnë këto përpjekje të cilat synojnë t’i mbajnë shqiptarët të dobët dhe të përçarë.
Unë besoj se Shqipëria posedon resurse humane, materiale shpirtërore dhe morale të mëdha. Ajo është një vend i pasur me një pozitë gjeografike të jashtëzakonshme, me një bio-diversitet të veçantë dhe shumë resurse e vlera të tjera.
Siguria është garancia më e madhe për stabilitet shoqëror, kulturor, ekonomik dhe mental të shoqërisë dhe të individit shqiptar dhe si e tillë ajo konsiderohet e shenjtë dhe e pacënueshme prej askujt.
Duhet të angazhohemi seriozisht për të luftuar ekonominë e përqëndruar të monopoleve, shkuljen e shtetit nga duart e dhjetë oligarkëve pranë qeverisë, nxitjen e prodhimit vendas, goditjen e importeve që shkatërrojnë prodhimin vendas, nëpërmjet politikave të subvencionimit për prodhimin vendas, mbështetjen e eksporteve, mbështetjen e bujqëisë, të turizmit, krijimit të klimës dhe të kushteve ligjore dhe pronësore për investitorët e mëdhenj strategjikë, lehtësimi i procedurave burokratike për investitorët e huaj që janë krijuar për të mbjellë korrupsion e rryshfet, si dhe nxitja e trurit dhe e inteligjencës shqiptare që të ndjekë ritmet më të fundit të teknologjisë, të botës digjitale, të inteligjencës artificiale dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sa i përket sfidave të jashtme është shumë e rëndësishme që të ndjekim me kujdes dhe të analizojmë imtësisht dinamikat e zhvillimeve të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, pasi Bota ndryshoi me pushtimin dhe agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ky tërmet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, do të ndiqet nga postlëkundjet në Ballkan ku Rusia synon bashkë me Kinën që të kenë ndikimin e tyre, në Lindjen e Mesme, në Detin e Kinës së Jugut dhe në Evropë, ku tashmë po ndjehen pasojat e vërteta ekonomike dhe politike të asaj që është duke ndodhur në të gjithë botën dhe veçanërisht në Ukrainë.
E shoh Shqipërinë në lojën e re të kombeve si një shtet të vogël, por me mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo bëhet duke përmbushur me përpikmëri detyrat që rrjedhin prej angazhimeve të saj ndërkombëtare, prej traktateve dhe aleancave politike, ushtarake dhe qytetërimore ku ajo bën pjesë, duke i rezervuar Shqipërisë të drejtën për të mos u bërë pjesë, as mbështetëse, as nxitëse, as investitore e konflikteve në zona të tjera të botës, ndërmjet shteteve të tjera dhe ku nuk janë në lojë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. E shoh Republikën e Shqipërisë duke ndërtuar marrëdhënie me të gjitha ato shtete dhe popuj që janë të gatshëm të rezervojnë miqësi, reciprocitet dhe ofrojnë garanci për interesat e shqiptarëve.
Shqipëria duhet të ketë në fokus të orientimit të saj të përgjithshëm strategjik në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, (si një shtet i pafuqishëm për të prodhuar gjeopolitikë), krijimin e klimës dhe të kushteve optimale për të ndërtuar dhe për të kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera veçanërisht me fqinjët e saj, pasi besoj se komshiu është po aq i rëndësishëm sa shtëpia. Por, kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë pa angazhimin e vullneteve të përbashkëta shtetërore për të korigjuar padrejtësistë e të kaluarës dhe mbi kurrizin e të drejtave të pakontestueshme historike të popullit shqiptar në Camëri, të shqiptarëve në Dardani, në Iliridë dhe në Mal të Zi. Mendoj se Shqipëria duhet të vijojë ta shohë me interes të lartë proçesin e integrimeve evropiane dhe realizmin e ëndrrës madhore për një Shqipëri si e gjithë Europa, që iu ushqye shqiptarëve nga politika 30 vjeçare e mashtrimit, për integrim evropian dhe nuk bëjmë pjesë tek euroskeptikët.
Por deri sa të krijohen kushtet për integrimin e plotë të Shqipërisë në Familjen Evropiane, zhvillim të cilin e diktojnë edhe zhvillimet e mëdha globale pas agresionit rus në Ukrainë, ne përkrahim angazhimin për përafrimin e proçesit të Bashkimit Kombëtar nëpërmjet përshpejtimit të proçeseve integruese ndërshqiptare, afrimin e mëtejshëm të shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe koordinimin e interesave strategjike në kushtet gjeopolitike të momentit historik nëpër të cilin po kalon rajoni dhe bota. Ne besojmë se interesat madhore të shqiptarëve do të sigurohen në tryezat ndërkombëtare vetëm atëherë kur dinamikat e integrimeve politike, kulturore, shtetërore dhe ekonomike ndërshqiptare, brenda proçesit të bashkimit dhe të përafrimit kombëtar ndërmjet tyre, të jenë dominante ndaj tentativave të lojtarëve të Serbisë në shtetet e shqiptarëve për të ofruar formula të tjera të bashkëpunimit dhe të kooperimit rajonal që e sigurojnë rikthimin e hegjemonisë dhe të domonancës së Beogradit në rajon, siç ishin nisma “Ballkani i Hapur” apo “Minishengeni Ballkanik” si dhe nisma të tjera që tashmë kanë shpallur dhe deklaruar falimentimin e tyre.
Të gjitha këto sfida paçka se përfaqësojnë në dukje sfidat e shqiptarëve sipas këndvështrimit tim, në një pjesë të konsiderueshme të tyre ato përfaqësojnë edhe sfidat e të gjithë rajonit, i cili duhet të sigurojë sot infrastrukturën politike, ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë, me një formulë të tillë që nxit bashkëjetesën në paqe të banorëve të rajonit, ndërveprimin ekonomik, politik dhe ushtarak, të bazuar mbi respektin dhe mbrojtjen e interesave reciproke të popujve të Ballkanit. Dhe të gjitha këto, nuk kanë për tu arritur në rast se Serbia ngul këmbë të mos njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos lejojë që flamuri i Kosovës të valëvitet në Beograd, njëlloj siç valëviten flamujt e të gjitha vendeve të tjera të botës, me të cilët Serbia ka marrëdhënie diplomatike.
-Viteve të fundit kemi parë një garë armatimi në Ballkan sidomos ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë. Ndërsa pas luftës në Ukrainë, i gjithë Ballkani po armatoset. Çfarë fshihet pas garës së re të armatimeve në Ballkan?
Gara e re e armatimeve në Ballkan tregon qartësisht se të gjitha shtetet dhe të gjithë popujt e Ballkanit janë duke u përgatitur për këtë botë të re që po lind dhe për sfidat e reja gjeopolitike, ushtarake dhe ato të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Armatosja e Ballkanit është tregues i qartë se të gjitha shtetet ballkanike nuk ndjehen më të sigurtë në fushëbetejën e ekulibrave të rinj në lojën e re të Kombeve dhe nuk janë më shumë të sigurtë se status-quo-ja mund të zgjasë pafundësisht. Duke patur parasysh ekuilibrat e brishtë të rajonit por edhe tentativat e qarta dhe të dukshme të lojtarëve të tretë për të patur ndikim malinj në rajon, na duhet të jemi gati edhe për këtë fazë shumë të rëndësishme dhe delikate pasi çdo pakujdesi mund të ketë strategjikisht kosto shumë të larta.
Lojtarët e tretë me ndikim botëror në tentativë për rritje siç janë Rusia dhe Kina po përpiqen të krijojnë situata dhe ekuilibra të rinj gjeopolitikë dhe ushtarakë në Ballkan dhe po tentojnë që ta zëvendësojnë influencën tradicionale të boshtit euroatlantik, me skema të tjera të sigurisë dhe të mbrojtjes dhe kjo është shoqëruar natyrshëm edhe me një garë armatimesh, ku bie në sy Serbia, Kroacia, Greqia, dhe në vitin e fundit edhe Shqipëria me mundësi armatimi më të kufizuara, sigurisht.
Le të marrim një shembull tek forcat ajrore lidhur me Serbinë që po armatoset fuqimisht:
Forcat Ajrore të Serbisë sot janë 3000 persona. Këto forca posedojnë avionë MIG 29-13 COPE 10 për sulm 3 për stërvitje.
Planifikojnë blerjen e 12 RAFALE Francezë në varësi të qëndrimit të presidentit Emanuel Macron ndaj Serbisë në të ardhmen.
Kanë J-22B JUGOSLLAVE 17 COPE.
MI-17 13 COPE.
MI-35-4 +3 COPE.
GAZELE 29 COPE.
S-300 DHE HQ-22 NJEJTE ME S-300/S-350.
22 Raradarë të rinj Thales Franceze BP me kompaninë amerikane.
Raythone me rreze 470KM.
Radarë Ground Master GK60, GM-200, GM-400 SHORT RANGE-30 KM.
Dronë kinezë TETOR 2020-CH-92A 6 COPE. (250 KM 2 RAKETA FT8C
9KM.)
TB-2 BAYRAKTAR TURQ.
DRONE PEGAS ISRAELITE ISR-SKUADRONI 353 ISR SERB.
SAM MISTRAL TOKE-AJER.
LONG-RANGE=170 KM.
HQ-22 LONG-RANGE 4 BATERI. (KINA) 50M-27 KM
PANTSIR SA-22 MEDIUM-RANGE 1 BATERI NE POROSI 2 BATERI (R).
S-125 NEVA 8 BATERI MEDIUM-RANGE(R).
2 K-12 KUB M2, 12 BATERI MED RANGE (SOVJETIKE).
28 USH+20 XHAN.
Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione. Batalioni katërt përbëhet nga 600 pjestarë të forcave Kobra, njësive anti-terroriste dhe një force elitë policore. Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin. Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe ekzekutohen nga 4 pjesëtarë të armatosur me:
• 2 persona AK-47 model i përmirësuar Serb.
• 1 Automatik/mitraloz M-84 (prodhin serb) 7.62 x 54 mm.
• 1 sniper Crna Strela 12.7 mm (prodhin serb) ose M 76 7,92 x 57 mm.
Të gjitha këto të dhëna na tregojnë qartësisht se gara e armatimit është një zhvillim konkret dhe real që po ndodh në terren çdo ditë dhe se të gjithë ne duhet të përgatitemi që t’i lexojmë me kujdes dhe me thellësinë e duhur mesazhet që na vijnë prej kësaj gare armatimi në Ballkan dhe jo vetëm.
-Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi vendeve të Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht municion. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në gjendje këto vende që të përmbushin nevojat e Ukrainës? Çfarë mund të bëjë konkretisht Shqipëria?
Ftesat e presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski, për të prodhuar municion në vendet e Ballkanit Perëndimor diktohen nga nevojat imediate të Ukrainës për municion dhe armatime, në tentativë për të ndryshuar ekuilibrat e forcës në terren në përballjen me ushtrinë ruse. Rezervat e mëdha në municione të Rusisë e kanë gjetur Ukrainën dhe Perëndimin të papërgatitur për luftën e nisur më 24 shkurtin e 2022 dhe kjo ka diktuar krijimin e kapaciteteve të reja prodhuese të municioneve dhe të armatimeve, si e vetmja mundësi për të ndryshuar ekuilibrat e forcës sot në terrën. Kjo është arsyeja përse presidenti Zelenski, e ka parë edhe Ballkanin si një fabrikë të re të mundshme të armatimeve, si një rajon përgjithësisht nën ndikimin gjeopolitik të aleatëve të Ukrainës.
Edhe pse të dhënat e luftës dhe ekuilibrat e forcës nga terreni, kanë shtyrë shumë prej personaliteteve të rëndësishme të botës së agjensive të inteligjencës, agjensive të sigurisë dhe ato ushtarake, që të flasin për pamundësinë e Ukrainës për ta fituar luftën ndaj Rusisë, paketa e fundit e ndihmave e miratuar në Kongres dhe në Senatin Amerikan, tregojnë qartësisht se Aleanca e Atlantikut të Veriut NATO dhe Perëndimi e kanë marrë vendimin për të shkuar drejt armatosjes së Ukrainës dhe përshkallëzimit të përballjes ushtarake me Rusinë.
Këtë e vumë re edhe në takimin e fundit të Sekretarit Amerikan Antony Blinken në Pekin dhe ftesa e Kinës për të mos mbështetur Rusinë kryesisht me paketa mikrocipash (semikonduktorë), që e ndihmojnë Rusinë të prodhojë teknologji të zhvilluar ushtarake.
Në rast se Shqipërisë do ti kërkohet prej aleatëve të saj strategjikë, kryesisht prej SHBA-ve dhe NATO-s që të zhvillojë kapacitetet e saj prodhuese Shqipëria do të jetë e detyruar që ta përmbushë këtë obligim që rrjedh prej detyrimeve që lindin prej të qënit anëtar në NATO dhe aleat i SHBA-ve. Kjo do të realizohet sigurisht me mbështetjen e partnerëve dhe të aleatëve.
-Ndërhyrjet nga jashtë. Influenca ruse përdoret rëndom në diskursin politik, por a mund të themi konkretisht se Rusia ka influence në Shqipëri? Kush janë ato palë të treta që kanë influence në vendin tonë?
Influenca ruse si diskurs politik në Shqipëri është diçka, ndërsa influenca e vërtetë ruse në Shqipëri është diçka krejt tjetër. Diskursi politik në Shqipëri është i diktuar herë pas herë nga nevojat dhe strategjia politike që ka zgjedhur secili kamp politik në Shqipëri, apo secili politikan më vete, për të treguar besnikëri ndaj Perëndimit dhe përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë, të cilat ndjekin me kujdes të imët qëndrimet e aktorëve dhe të faktorëve kryesorë politikë në Shqipëri. Akuzat e palëve politike në Shqipëri për lidhje me Rusinë janë të rëndomta dhe pjesë e luftës së brendshme politike, shpesh pa skrupuj dhe moral. Këtë e vumë re edhe në procesin e agjentit Amerikan McGonigal të FBI i cili ka pranuar në SHBA se është shtyrë nga aktorë politikë të niveleve të larta nga Tirana që të kërkojë dhe të hetojë për lidhje ndëmjet opozitës dhe Rusisë.
Shqipëria për Rusinë është një ëndërr e vjetër e cila realizon njërën nga portat e saj të mundshme për të mbërritur në ujërat e ngrohta në Mesdhe dhe synimet e Rusisë për ndikim në Shqipëri nuk janë të padukshme. Nuk shoh ndonjë ndikim agresiv të drejtpërdrejtë të Rusisë në Shqipëri në këtë moment, por influenca e saj është duke ndodhur ose nëpëmjet lojtarëve shqiptarë të lidhur me Serbinë, ose nëpërmjet vendeve të treta anëtare të NATO-s, të cilat mbajnë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë edhe me Kinën.
Ajo e ka rritur ndjeshëm ndikimin në Ballkan, nëpërmjet Serbisë kryesisht, nëpërmjet grupeve të saj terroriste që i përdor për luftën PROXY, por edhe në Mal Të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Bosnjë me Milorad Dodik që kërcënon vazhdimisht për ndarjen e Republika Serpska nga Bosnja, çka ka do të sillte destabilizim tërësor të Ballkanit. Ndikimi ka nisur pak nga pak edhe në sektorin financiar, bankar, mediatik, që kryhet kryesisht nëpërmjet vendeve aleate që mbajnë lidhje edhe me NATO-n edhe me Rusinë. Pra Kina dhe Rusia janë lojtarët kryesorë më agresivë që tentojnë ndikim në Ballkanin Perëndimor, por ka edhe shtete të tjera rajonale dhe ndërkombëtare të cilat tentojnë herë pas herë ta krijojnë këtë ndikim qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet xhepave që ua krijojnë fuqitë e mëdha, aleatë të tyre me ndikim në Ballkanin Perëndimor.
Problemi më i madh i këtij ndikimi janë specifikat malinje të tij, pasi influenca nuk përkthehet në një nxitje të projekteve dhe të proceseve ekonomike e zhvillimore që i shërbëjnë zhvillimit të rajonit, por për të krijuar ekuilibra të rinj që zhvendosin forcat e brendshme rajonale nga njëri kah në tjetrin, për të krijuar destabilitet në përputhje me natyrën e agjendave gjeopolitike dhe të synimeve strategjike të tyre për rajonin.
Cilat janë ato mite dhe realitete që shoqërojnë gjeopolitiken e Ballkanit Perëndimor që herë-herë e ka minuar bashkëpunimin me vendet fqinjë?
Në tërësinë e tyre por edhe me specifikat që përfaqëson secili, mitet janë projeksione imagjinare që i kanë kultivuar në vazhdimësi popuj të ndryshëm të botës (diku më shumë diku më pak) që shërbejnë kryesisht për të justifikuar sjellje sociale, politike, kulturore por edhe krime masive, që ngjasojnë shumë me legjendën dhe me ëndrrën. Mitet në përgjithësi, janë të ndara në mite religjioze dhe mite historike. Në varësi të strukturës dhe të fizionomisë kulturore të secilit popull mitet religjioze, historike dhe ato që i ka shpikur vetë imagjinata njerëzore, kanë shërbyer përgjatë historisë për të motivuar dhe mobilizuar popujt për llogari sundimtarësh apo të grupeve shoqërore, etnike, religjioze të ndryshme që kanë interesa, agjenda, aspirata dhe ëndrra të ndryshme.
Popujt e Ballkanit, veçanërisht sllavët, kanë qenë vazhdimisht të shoqëruar nga mite primitive ksenofobe, raciste dhe ultranacionaliste, religjioze që i kanë shtyrë ata të kryejnë krime ndaj popujve të tjerë të Ballkanit.
Mitet shfaqen zakonisht në intervalet historike të krizave të mëdha të identitetit apo të krizave gjeopolitike, ekonomike, kulturore, politike dhe ringjallja e miteve shërben për të mobilizuar pjesën indiferente dhe të lodhur të popullatës. Kjo energji gjenerohet përgjithësisht nëpërmjet krijimit të pikave historike të referencës dhe të levave mitologjike nëpërmjet të cilave popujt mund të zhvendosin krizat me peshë të vdekur, që pllakosin herë pas herë për arsye të lidershipit të krimbur në korrupsion dhe prej sundimtarëve autoritaristë dhe diktatorë. Sa herë pllakos varfëria shtohet nevoja e sundimtarëve për të thirrur në ndihmë mitet, pasi synohet të zëvendësohet ushqimi dhe mirëqënia me lugën bosh të mitologjisë.
Edhe pse instrumentalizimi i mitologjisë mund të ketë në raste të caktuara efekte mobilizuesve nëpërmjet gjetjes së pikave të referencës përbashkuese në kohë krizash të shoqërive për anëtarët e asaj bashkësie etnike apo religjioze, mitet ballkanike kanë patur ndikim malinj tek historia e popujve të Ballkanit dhe kanë shërbyer përgjithësisht, si bombula gjenocidale të mbushura me urrejtje, racizëm, spastrim etnik dhe ksenofobi.
Prej miteve më të përhapura në Ballkan, janë miti i shpëtimtarit, miti i heroit, miti i kohës së artë, miti i racës superiore, miti i Aleksandrit të Madh, miti i konspiracionit. Ky i fundit shërben herë pas here për të kërkuar fajtorët e vërtetë të krizave tek faktorë imagjinarë dhe të stisur.
Konspiracionistët dhe mitologjia janë komerdare ose barka shpëtimi për regjimet autoritare, ultranacionaliste, për regjimet raciste dhe për diktaturat, dhe shpesh ata do ti gjesh të investuar tek emisionet qëndrore të mediave kryesore me audiencë shumë të lartë. Synimi i tyre i fshehur është që të kërkojnë një fajtor imagjinar për të justifikuar qeveritë e korruptuara dhe të dështuara.
E ku mund të gjendej një justifikim më spektakolar, për një qeveri të krimbur në krim dhe në korrupsion se t’u thuash njerëzve se për të gjitha fatkeqsitë që u ndodhin dhe për varfërinë e tyre të tejskajshme, fajin e ka psh Iluminati dhe Kabala. Ku ka metoda më të rafinuara dhe shërbim më të madh për qeveritë e korruptuara se të marrësh masat e paditura mediokre dhe t’i bindësh ato se arsyeja e vuajtjeve të tyre nuk janë qeveritë e korruptuara, por janë disa llozha të padukshme që komandohen nga ufot dhe nga xhindët.
Prej miteve më të rëndësishme në Ballkan, ka qenë dhe është: “Pasardhësit e Aleksandrit të madh” që konsumohet në Maqedoninë e Veriut, apo miti i “Vëllazërisë Ortodokse”. Këto mendësi dhe mite janë shumë të pranishme në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, ku pjesë të rëndësishme të atyre popujve kultivojnë një lidhje të fortë me Rusinë, e frymëzuar kjo nga ndjenja e Vëllazërisë Ortodokse.
Po t’i referohemi një studimi të bërë nga qeveria serbe në vitin 2017, rezulton se 24% e popullsisë serbe mendojnë se Rusia është mbështetësi, investitori dhe furnizuesi kryesor me ndihma i Serbisë. Ndërkohë që 75% e donacioneve dhe e ndihmës financiare vjen nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Kështu ndodh edhe me investimet e huaja, të cilat prej vitit 2010 deri në vitin 2017, 70% e tyre kanë qenë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe vetëm 10% e tyre kanë ardhur nga Rusia, referuar shifrave të Bankës Kombëtare Serbe.
Të tilla reminishenca na shfaqen herë pas here edhe në Shqipëri kur personazhe të caktuar publikë janë shumë të investuar tek mitologjia. Besoj se të tilla qasje humoristike më shumë u bëjnë dëm shqiptarëve sesa ndërtojnë krenarinë e tyre. Tendencat e disa personazheve mediokër dhe me profil psikologjik të dyshimtë, me formim akademik mediokër dhe me “IQ” nën nivelin e mesatares, për të gjetur Shqipërinë dhe shqipen tek çdo cep i Planetit dhe i Universit dhe tek themelet e çdo qytetërimi dëmtojnë rëndë të vërtetat historike dhe qasjet racionale të bazuara mbi metoda shkencore dhe studimore me standarte të larta akademike.
Këto qasje qesharake dëmtojnë gjithashtu qasjet nacionaliste natyrale të anëtarësisë së Kombit të cliruara prej racizmit dhe ksenofobisë dhe ato patriotike racionale të moderuara që i shërbejnë të gjithë popujve të botës, për të barrikaduar sulmin agresiv neoliberist që synon shuarjen e të gjitha identiteve për llogari të një identiteti të vetëm uniform për të gjithë banorët e Planetit, nën petkun e kozmopolitanizmit pa kufi. Të atyre barrikadave natyrale humane që mobilizojnë popujt dhe shoqëritë njerëzore për të gjeneruar energjitë që i nevojiten shoqërisë për t’u ringritur në kohëra krizash të mëdha, të pashmangshme për të gjithë.
Po të bësh një analizë të imtësishme të lidhjeve politike të këtyre personazheve, do t’i gjesh gjithmonë pranë pushtetit dhe duke i shërbyer atij në forma nga më të ndryshmet. Kjo, pasi siç e shpjeguam më sipër, të tilla qasje i ndihmojnë qeveritë e dështuara dhe të korruptuara që të transferojnë popujt nga hallet e tyre të vërteta për tek mitologjia dhe kjo është pra strategjia e ushqimit me lugën bosh. Ushqimi për një kohë të gjatë me lugën bosh, shkakton tek stomaku i vetëdijes kolektive “puçra ulçeroze” të shoqëruara me hemoragji që ndihmon tretjen dhe shkatërrimin e plotë të asaj vetëdije.
-A rrezikohet stabiliteti i Ballkanit nga një aleancë fetare, ortodokse përballë fesë myslimane? Kohët e fundit shohim një trysni fetare fanatike nga të dyja rrymat.
Siç e përmenda më sipër ndërtimi i miteve me frymëzim religjioz është i pranishëm fuqimisht tek popujt Ballkanit dhe ndërkohë që serbët kanë qenë më shumë të përqendruar tek “Vëllazëria Ortodokse”, shqiptarët edhe pse në shumicën e tyre muslimanë, kanë qenë përgjithësisht të investuar tek fryma e trashëguar prej Rilindjes Kombëtare, që i formatonte shqiptarët të bashkuar rreth Shqipërisë, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Pra, shqiptarët ia kanë dalë deri në këtë moment që të formatojnë bashkimin dhe të ndërtojnë themelet e Kombit mbi vëllazërinë Shqiptare dhe mbi harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Me ndikimin në rritje të religjionit ndër shqiptarët, sot kemi oferta të herëpashershme që na vijnë nga larg, për të zëvendësuar trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare me vëllazëri aleternative me natyre fetare. Sot kemi të pranishme në Shqipëri dhe në Ballkan, krahas vëllazërisë ortodokse, vëllazëri ungjillore, vëllazëri muslimane, vëllazëri katolike, vëllazëri protestante e kështu me radhë. Shumë prej shqiptarëve kanë kërkuar të rivendosen kulturalisht tek ofertat alternative religjioze për arsye të shumta, ndër më të rëndësishme e të cilave janë:
- Dështimi i narrativës së Rilindjes Kombëtare për të prodhuar energji, frymëzim dhe motivimin që I duhet popullit për të projektuar ringritjen e tyre dhe daljen prej krizës së fortë të varfërisë, shpopullimit, keqqeverisjes, zhbërjes, zhdukjes dhe asimilimit. Marrja peng e narrativës nacionaliste nga personazhe mediokre, të paditura dhe injorante, apo nga nga qarqe ekstremiste ultranacionaliste, raciste dhe ksenofobe, duke lënë në hije qasjet patriotike racionale që janë nevojë natyrale dhe fondamentale e popujve dhe e kombeve, ka shtyrë segmente të caktuara të popullatës të gjejë strehë tek vëllazëritë religjioze, pasi ato ofrojnë më shumë garanci për mirëqënien dhe prosperitetin e grupit shoqëror në këtë botë dhe në të përtejmen. Kjo sepse garancia sipas tyre në këtë rast është vetë Zoti jo sistemet politike tokësore mashtruese që diktohen nga interesa mbretërish e perandorish. Perandoria e Zotit jep më shumë garanci. Veshja e cdo lloj narrative me garanci hyjnore e bën qasjen dhe narrativën më të pushtetshme dhe kjo ofron më shumë siguri për masat.
- Serbët janë shumë të interesuar që për të përligjur vëllazërinë e tyre ortodokse, për të krijuar dominancë dhe botën serbe në Ballkan të përçajnë shqiptarët nëpërmjet ndarjes së tyre në vëllazëri fetare secili sipas fesë që i përket. Edhe kjo bëhet për llogari të dy strategjive kryesore të vëllazërisë ortodokse serbe të Ballkanit. Strategjia e parë konsiston në përgatitjen e kushteve dhe të terrenit kulturor e politik në Evropën e krishterë, që shqiptarët janë një masë malinje “islamike” e cila duhet zhdukur nga Evropa, pasi ajo mund të jetë pararojë e agjendave islamiste të hemisferave gjeopolitike armike ose rivale të kontinentit të krishterë. Pra, janë shqiptarët gjëndra kanceroze e rajonit dhe nuk janë serbët ndaj dhe Perëndimi i Krishterë më në krye Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas tyre duhet t’i kërkojnë falje Serbisë për bombardimet e NATO-s në vend që të kërkojë Serbia fallje për gjenocidin ndaj popujve të tjerë të Ballkanit. Kjo narrativë përligj gjithashtu përkëdheljen evropiane të Serbisë për llogari të shqiptarëve ç’ka e mban Ballkanin të destabilizuar. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse shqiptarët janë faktor stabiliteti rajonal dhe pa vendimin e tyre Ballkani nuk do të ketë paqë as stabilitet kurrë.
Strategjia e dytë lidhet me qasjet e reja që frymëzohen nga Moska, ku Vladimir Putini me strategun dhe ideologun pranë tij Aleksandër Dugin, kanë një ofertë alternative sot për muslimanët e botës për rrjedhojë edhe për ata të Ballkanit. Oferta është një aleancë ortodokse -muslimane konservatore kundër ekstremizmit liberal të Perëndimit protestant dhe katolik të imponuar dhunshëm nga agjendat e neoliberalëve në Perëndim dhe në Ballkan.
Pra, e parë nga ky këndvështrim, rreziku që mund t’i vijë Ballkanit dhe mundësia për përplasje ndërmjet “vëllazërive muslimane” dhe asaj ortodokse në Ballkan i ka të dyja mundësitë brenda, pra edhe përplasjen edhe aleancën dhe kjo është një çështje jashtëzakonisht delikate. Elementi që do të bëjë njërën qasje ta dominojë tjetrën do të jetë e lidhur me trajektoren e zhvillimeve gjeopolitike në aksin Lindje-Perëndim dhe vëcanrisht në ekulibrat e forcave ndërmjet ortodoksëve ruse të Moskës dhe muslimanëve në Lindjen e Mesme prej ku frymëzohen edhe vëllazëritë muslimane dhe ortodokse të Ballkanit.
-Pavarësisht tre dekadave të mbështetjes ndërkombëtare dhe një procesi të intensifikuar e të strukturuar të anëtarësimit në BE në 20 vitet e fundit, Perëndimi e cilëson ende Ballkanin si një fuçi baruti. Kush ka dështuar, vendet e rajonit apo politika perëndimore ndaj nesh?
Është shumë e rëndësishme që të vlerësojmë fillimisht dhe të falenderojmë investimin dhe intervenimin e Perëndimit, qoftë të Brukselit qoftë të Uashingtonit për të nxitur zhvillimin e popujve të rajonit dhe për të mbështetur proceset e vështira kultutore, ekonomike, politike dhe demokratike në periudhën e tranzicionit post komunist dhe të shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Pa mbështetjen e Perëndimit rajoni do të vijonte të ishte një gropë e zezë në zemër të Evropës dhe burim i pashtershëm krizash dhe destabiliteti.
Proceset integruese të rajonit për në Bashkimin Evropian janë shoqëruar nga një antagonizëm ekstrem ndërmjet vullnetit të popujve të Ballkanit për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe vullnetit të qeverive thellësisht të korruptuara, kleptokrate, të lidhura në vazhdimsi me krimin e organizuar dhe me trafiqet, që kanë bërë çfarë kanë mundur për ta vonuar këtë proces dhe për ta penguar atë, pasi ujku ka nevojë për mjegull dhe jo për integrim. Pavarësisht se politikanët e Ballkanit i ushqyen popujt e tyre me narrativën e integrimeve euroatlantike, në parapaskenë ata realizuan komplet të kundërtën dhe kjo çoi në mashtrimin e popujve të Ballkanit dhe për rrjedhojë edhe në vënien e tyre në kërkim të altërnativave qytëtëruese që mund të vijnë nga Lindja. Pra, klasa politike thellësisht e korruptuar e Ballkanit e mbështetur shpesh edhe prej kancelarive perëndimore, në bashkëpunim edhe me qarqet ekstremiste të vetë Perëndimit që kanë qenë në vazhdmësi kundër zgjerimit të Perëndimit dhe të BE-së në veçanti, në këto rajone me stabilitet të brishtë, kanë vrarë ëndrrën e shumë prej banorëve të rajonit, për të qenë pjesë e Evropës, kanë nxitur arratisjen e banorëve të rajonit nga Perëndimi, antiamerikanizmin, eurskepticizmin si dhe kërkimin e alernativave vëllazërore dhe qytetëruese në Lindje.
Perëndimi ka më shumë se tre dekada që ka preferuar stabilokracinë ndaj demokrracisë për vendet dhe popujt e rajonit, duke mbështetur qeveritë e korruptuara, kleptokrate, mafioze, shpopulluese dhe proceset zgjedhore tërësisht të manipuluara, ç’ka ka ndihmuar që Ballkani të vazhdojë të jetë burim permanent krizash, destabiliteti dhe e shndërron atë në një fuçi të vërtetë baruti. Këtë e pamë në Banjskë në shatorin e 2023 ku grupet terroriste ultranacionaliste serbe të frymëzuara nga Serbia dhe Rusia kryen akte terroriste në rajon. Këtë e shohim çdo ditë tek thirrjet e Aleksandër Vuçiç për të ndërtuar botën serbe, Jugosllavinë e re, sikurse liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik për t’u ndarë nga Bosnje Hercegovina, çka ’ka do të ishte pikënisja e shkepjes tërësore të Ballkanit dhe shpërthimit të fuçisë së barutit.
Pra, parë nga ky këndvështrim mendoj se edhe vendet e rajonit kanë dështuar për të përfituar mbështetjen e Perëndimit, por edhe Perëndimi ka dështuar në kuptimin e dinamikave socio-politike dhe kulturore të rajonit.
-Cilat janë forcat kryesore që rrezikojnë zhvillimin e demokracive në rajon?
Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit dhe shkërmoqjes së sistemeve totalitare satelitë të ish Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore, vendet e Rajonit ngjallnin një lloj shprese dhe përcillnin një lloj vullneti më të qartë sa i përket integrimeve euroatlantike. Më kalimin e kohës në vend që këto procese të zhvilloheshin, hynë në stanjacion. Me sa duket Perëndimi ka dështuar deri në këtë moment që të kuptojë se cilat mund të jenë formulat nëpërmjet të cilave mund të nxitet apo të përshpejtohet procesi i integrimeve euroatlantike të rajonit.
Të gjitha raportet e insitucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, raportet e Brukselit, apo ato të Uashingtonit, ato të Departamentit Amerikan të Shtetit por edhe të Freedom House, tregojnë qartësisht se forcat kryesore që pengojnë zhvillimin e demokracive në rajon, janë korrupsioni i lartë, ulja e stekës së standartit Perëndimor për vendet e rajonit, nga Demokracia në Stabilokraci, lidhja e pushtetit me organizatat kriminale, injektimi i parasë së zezë në ekonomi dhe në politikë, kontrolli i segmenteve shumë të rëndësishme të shtetit nga grupet mafioze me influencë ta lartë në tregjet e drogërave dhe të trafikimit të qënieve njerëzore. Sëfundmi pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në 24 shkurtin e 2022, vjen dhe bëhet gjithmonë e më i prekshëm ndikimi malinj i vendeve të treta, të cilat kërkojnë të shtrijnë lnfluencën e tyre dhe përfitojnë edhe nga një problematike shumë e madhe e rajonit që lidhet me strukturat shtetërore jo funksionale që u ngritën pas luftës në Kosovë dhe në Bosnje, pas Dejtonit. Këto defekte dhe mangësi strukturore shtetërore, rrezikojnë të ndërlikohen akoma më shumë nga mbyllja e dyerve të BE për rajonin, që është shndërruar gjithashtu në një pikë tranziti për kalimin e emigrantëve nga vendet e krizave në Lindjen e Mesme, në Azi dhe në Afrikë, për në Evropë.
-Si e shihni të ardhmen e afërt të rajonit tonë? A mendoni se ka ardhur koha që Projekti i Paqes dhe Dialogut në Rajon duhet të kthehet në një emergjencë evropiane? A mund të kete paqe Ballkani përmes integrimit ekonomik?
E ardhmja e afërt e rajonit tonë dhe paqja e ballkanit është e diktuar dhe ngushtësisht e lidhur me dinamikat gjeopolitike ndërkombëtare të cilat kanë treguar në vijimësi se pas çdo “tërmeti” dhe zhvendosje të pllakave tektonike të lojës së kombeve, kanë prodhuar me postlëkundjet e tyre dinamika dhe sfida të mëdha për banorët e rajonit me demokraci të brishtë.
Mendoj se stabiliteti i Ballkanit dhe paqja e tij janë emergjencë gjeopolitike Evropiane dhe Perëndimore përpara se të jenë të tilla për vetë banorët e rajonit pasi një Ballkan i destabilizuar nuk është në interesin e Perëndimit. Bashkëpunimi rajonal, tejkalimi i të shkuarës gjakatare dhe gjenocidale të rajonit, vendosja e themeleve për ndërtimin e një infrastrukture të re të mendimit, por edhe kulturore, politike dhe ekonomike që e transferon mendësinë ballkanike nga ngurtësia, frika dhe fobia tek hapësirat e civilizuara të bashkëjetesës, të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, secili popull duke ruajtur specifikat dhe veçoritë identitare e kulturore të vetat, nuk mundet dhe nuk do të ndodhë pa u njohur Pavarësia e Kosovës, pa u valëvitur flamuri i Kosovës në selinë e Përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Beograd dhe pa u kërkuar falje për krimet dhe për aktet gjenocidale që janë kryer në Ballkan nga makineria vrasëse e Millosheviçit dhe e Karaxhixhit në fundin e shekullit që lamë pas.
Projekti i Paqes dhe i dialogut në rajon, mund të përshpejtohet përmes integrimit ekonomik të rajonit, por ky integrim duhet të jetë i vërtetë, gjithëpërfshirës, i barabartë dhe proporcinal, jo integrim i cili zgjeron disa shtete në kurriz të disa të tjerëve më të dobët për llogari të agjendave të padukshme shoviniste e hegjemoniste që nuk kanë munguar në Ballkan.
Presidenti francez Emanuel Macron, ka lëshuar një alarm përpara disa ditësh në Universitetin e Sorbonës, ku ka thënë se “Evropa po vdes” dhe ka kërkuar një sistem të pavarur të mbrojtjes për Evropën, nën dritën e sfidave të reja gjeopolitike, sikurse ka ofruar ombrellën nukleare franceze në mbrojtje të Evropës nga çdo rrezik i mundshëm. Kjo është pasuar me takimin e dy ministrave të mbrojtjes, të Gjermanisë dhe të Francës, Oliver Pistorius dhe Sebastjan Lecarne në Paris, ku kanë diskutuar zhvillimin e sisteme të caktuara të mbrojtjes ushatarake nga rreziqet që mund të ketë rezervuar e ardhmja.
Të ardhmen e Ballkanit dhe integrimin e tij nuk mundet ta shikojmë të shkëputur as nga këto zhvillime me rëndësi të jashtëzakonshme, që dirigjohen nga dy motorët më të rëndësishëm të ekonomisë dhe të politikës evropiane siç janë Berlini dhe Parisi, por edhe nga fizionomia e zhvillimeve në lojën e madhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i rajonit, bashkë me BE-në, qoftë në frontin e Ukrainës, qoftë në frontin e Taivanit por qoftë edhe në frontin e Lindjes së Mesme, në konfliktin Izrael-Hamas.
E ardhmja e këtyre konflikteve do të ketë rol determinant edhe në projeksionet e vendeve aleate dhe në planet e fuqive nga vendet e treta që kërkojnë ndikim strategjik në rajonin e Ballkanit.
© 2024 Argumentum