Të enjten, Kosova do të jetë shteti i parë ku do të dërgohet një sasi prej 300 tonë perime nga Myzeqeja që prej fillimi të pandemisë. Për të vijuar me Maqedoninë e Veriut dhe me shtetet e tjera të rajonit.
Shkëlqim Hajdari, kryeinspektor i përgjithshëm gjatë një vizite në pikat e eksporteve në Lushnjë, u shpreh se, “të enjten do të hapen rrugët për të gjithë prodhuesit e perimeve”.
Sipas Hajdarit, unifikimi i rregullave të reja gjatë punës së fermerëve dhe grumbullimi i produkteve të tyre, do të sjellë edhe qarkullimin e stokut të deritanishëm të artikujve si domate dhe tranguj.
Për pikat e grumbullimit kërkohet shumë kujdes në respektimin e masave për ruajtja nga infektimi me koronavirus për punonjësit.
Kryeqendrat e prodhimit bujqësor, Lushnja dhe Fieri krahas eksportit jashtë vendit vijojnë të furnizojnë normalisht edhe tregjet e vendit me prodhime të freskëta, në kushtet e situatës së karantinës që po kalon vendi nga COVID-19.