Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore.
76% e eksporteve kishin si destinacion Bashkimin Europian (rreth 236 miliardë lekë), ku tregu kryesor është Italia, që priti 48% të totalit të eksporteve, ku peshën kryesore e zënë tekstilet dhe këpucët. 8.7% shkojnë në Kosovë (27 miliardë lekë), që përdor euron si monedhë zyrtare, duke e çuar në total në gati 85% peshën e eksporteve në monedhën e përbashkët. Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 5%.
Nëse kursi i euros do të kishte qenë i qëndrueshëm, të ardhurat e sipërmarrjeve që eksportojnë në vendet e BE-së do të kishin qenë të paktën 5% më të larta (ose rreth 263 miliardë lekë). Në vlerë absolute, humbja e eksportuesve është rreth 13 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro, sipas vlerësimeve të Monitor, bazuar në ecurinë e eksporteve të raportuar në lekë dhe kursit vjetor mesatar të këmbimit. Humbja më e madhe i takon sektorit të tekstileve e këpucëve i cili ë rreth 40% të totalit të eksporteve dhe ka destinacion kryesor Italinë (e cila pret 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve).
Vlerësohet se për gjithë vitin, eksportuesit fason, që shitën mallra me vlerë 123.7 miliardë lekë, kanë humbur rreth 50 milionë euro, vetëm nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët. Eksportet e këtij grupi u rritën me 5.3% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta që nga 2015-a.
Madje në dhjetor, eksportet e këtij grupi shënuan rënie me 5% me bazë vjetore, duke reflektuar efektin e zhvlerësimit të euros që në dhjetor zbriti në nivelet më të ulëta të dekadës, duke kaluar për pak ditë dhe nën 123 lekë. Florjan Zekja, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve Fason, tha për “Monitor” se arsyeja kryesore është kursi i këmbimit. “Duke qenë se euro ka qenë shumë e nënçmuar, kemi pasur pasiguri për të ardhmen dhe kjo na ka vështirësuar lidhjen e kontratave të reja”. Ata e kanë të paqartë se si do të jetë e ardhmja, në momentin që kursi i këmbimit nuk është i stabilizuar.
Edhe më herët, eksportuesit e tekstileve e këpucëve ishin shprehur pesimistë lidhur me ecurinë e eksporteve në 2019-n, duke parashikuar rënie të tyre. Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, gjykon se nëse nuk do të merren masa, e ardhmja e sektorit mbetet e zymtë.
“Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje, pasi ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë. Për këtë arsye, përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e këtij sektori”, shprehet ai. Administratori i kompanisë së këpucëve FITAL, Skënder Pashaj, nënvizon se në raste të tilla ka nevojë për masa që amortizojnë goditjet. “Në fakt, duke pasur parasysh goditjen nga kursi apo rënien e konsumit, sigurisht që duhet të merren edhe masa për të amortizuar këtë pjesë. Vit pas viti, kushtet për sektorin kanë ardhur duke u vështirësuar, ndaj masat mbështetëse duhet të jenë një opsion që duhen marrë parasysh si amortizatorë”, nënvizon Pashaj.
“Sipërmarrësit të tregohen agresive e të kërkojnë rritje çmimesh”
Kërkesa në 2018-n ishte e njëjtë me një vit më parë, pohojnë eksportuesit, por kursi i ka dëmtuar shumë. Flamur Hoxha, sipërmarrës i fabrikës së prodhimit të këmishave Kler, që punon me cikël të mbyllur, thotë se zgjidhja e vetme është që kjo humbje të transferohet në rritjen e çmimit dhe thotë se ia ka dalë të bindë partnerët italianë për një rritje 10% të çmimit për dy fabrikat e tij. “I bëj thirrje sipërmarrësve të mos kenë frikë të kërkojnë rritje çmimesh, sepse kërkesa është shumë e lartë”, pohon Hoxha.
Sipas tij, sipërmarrësit shqiptarë duhet të jenë pak më agresive dhe të kërkojnë rritje çmimesh, pasi Shqipëria ka ende avantazhin e kostos, sepse çmimet janë ende shumë më të lira se në Bullgari e Rumani, që e dorëzojnë produktin me kosto 50% më të shtrenjtë sesa në Shqipëri. Psh, një palë pantallona në Shqipëri prodhohen me 3.5euro, në Bullgari e Rumani, me minimumi 5 euro./ Monitor