Eksportet shqiptare kanë rënë me 110 milionë euro gjatë vitit 2019. Të dhënat e fundit të Instat tregojnë se mallrat e shitura jashtë vendit u tkurrën me 3,8% kundrejt një viti më parë.
Rënia më e ndjeshme vjen nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale” si dhe energjia elektrike, për shkak të mungesës së reshjeve. Për ekspertët, situata është alarmante dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.
Ndërkaq, gjeografia e shkëmbimeve tregtare nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Italia vijon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ndjekur nga Greqia, Kina dhe Turqia.
Prodhimi i tekstileve dhe këpucëve që përbëjnë një nga zërat kryesorë të eksporteve ka parë po ashtu një tkurrje gjatë gjithë vitit. Luhatjet e vazhdueshme të kursit të këmbimit, mosrimbursimi i TVSH-së dhe së fundmi tërmeti i 26 Nëntorit ka penalizuar më tej kompanitë fasone.