“Ukraina: Një krim lufte“ titullohet ekspozita e çelur në prag të 2-vjetorit të agresioni rus në Ukrainë nga Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Open Society Foundations Western Balkans dhe FotoEvidence.
50 imazhe fotografike nga fronti i luftës në Ukrainë, që përçojnë dramën dhe përpjekjet e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë u prezantuan sot në këtë ekspozitë.
Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës ishte i pranishëm, Kryeministri Edi Rama, Eridana Çano drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Svetlana Bachevanova drejtoreshë ekzekutive e FotoEvidence si dhe kuratore e kësaj ekspozite, fotografët Christopher Occhicone, Oksana Parafeniuk, etj.
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë.
“Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë ambasadorin e Ukrainës i cili është këtu bashkë me ne dhe patjetër dua të falënderoj ata që e morën përsipër këtë iniciativë dhe arritën që në një moment si ky t’i japin jetë”, u shpreh Rama në fillim të fjalës së tij.
Kryeministri vlerësoi faktin se ekspozita vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, një vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën.
“Në këtë samit do të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkëorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet, që në kontekstin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme”, bëri të ditur kryeministri Rama.
Fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë, për kryeministrin konsiderohen të tepërta sot, pasi ekspozita e përcjell përmes emocioneve të fotografive që ngjanë si foto filmash.
“Por në fakt janë foto të çdo ore dhe dite e nate të popullit ukrainas nën furinë e agresionit rus, një agresion tërësisht i padrejtë, i pajustifikuar dhe i pajustifikueshëm. Siç dihet botërisht Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku të ardhmen ku çdo vend popull, çdo individ ka të drejtën e lirisë, të drejtën e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të Kushtetutës demokratike”, tha Rama.
Ndërkohë, Rama theksoi se agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes dy botësh, dy mënyrash krejtësisht të ndryshme për ta parë botën.
“Shpreh edhe sot solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Këto imazhe vijnë nga një front ku luftohet, humbasin jetë njerëzish e shkatërrohen pasuri të patundshme të ngritura me mundim e ku jetohet ditë-natë nën represionin e sirenave që paralajmërojnë bombardimin e radhës”, u shpreh ai.
Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano tha në fjalën e saj se “ekspozita sjell pamje rrënqethëse e drithëruese që përçojnë dramën dhe përpjekjet e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë”.
“Këto dëshmi pamore sillen pa filtra e pa ndërhyrje, të vrazhda e të dhimbshme, të lënduara e përgjakura e ndoshta kjo ndihmon shikuesin të përfytyrojë dhimbjen e vërtetë të ngjarjes përtej lentes së ftohtë të aparatit fotografik njësoj si të ishim të gjithë aty duke përjetuar këtë plagë”, theksoi Çano.
Çano u shpreh se “ekspozita shoqërohet edhe nga libri me të njëjtin titull i botuar nga FotoEvidence me dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendeve të ndryshme, që paraqesin agresionin rus në Ukrainë”.
Drejtoresha ekzekutive e FotoEvidence, Svetlana Bachevanova u shpreh se “ekspozita rrjedh nga i njëri libër prodhuar e botuar nga FotoEvidence. Libri ofron prova pamore të dhunës pa dallim dhe krimet e luftës të kryera nga rusët në tokën ukrainase. Ky libër është një deklaratë nga 93 fotoreporterë nga 29 vende që u bënë bashkë për të prezantuar dëshmitë e tyre në vetë të parë të pushtimit rus në Ukrainë nga këndvështrimi i tyre, që kanë detyrë ta dokumentojnë një gjë të tillë”.
“”Ukraina një krim lufte” u botua për t’i shërbyer si një instrument i fuqishëm për mobilizim si dhe një dokument historik. Rrëfen në fjalë dhe pamje histori intime të të mbijetuarve e të dëshmitarëve të masakrave duke dhënë një rrëfim që të lë pa frymë të shkatërrimit të luftës dhe pasojat mbi civilët ukrainas”, tha Bachevanova.
Libri në vetvete përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme, të cilët paraqesin dëshmitë nga këndvështrimi i atyre që do të dokumentojnë në vijim pushtimin rus të Ukrainës.
Imazhet dhe reportazhet sjellin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës. Aty zbulohet jo vetëm zhvendosja e miliona njerëzve në një realitet drithërues, por edhe historitë e tmerrshme të shkatërrimit dhe viktimave, që do të mbeten gjatë në memorien kolektive të atij kombi, të cilat dalin në pah nga përvoja e terrenit në një zonë lufte, ku të parët që shkelnin territoret e çliruara ishin fotoreporterët e “FotoEvidence”.
“Ukraina: Një krim lufte” shërben si një dokument historik i vitit të parë të kësaj lufte. Në këtë libri rrëmohet thellë në lajmet për të treguar histori intime të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive.
Ekspozita dhe libri përfshin imazhe në të gjitha aspektet e luftës, nga e gjithë Ukraina, për të nxjerrë një përshkrim gjithëpërfshirës të shkatërrimit, numrin e civilëve viktima të luftës dhe krimet e kryera në tokën ukrainase.
Fotografët që marrin pjesë në ekspozitë: Evgeniy Maloletka, Wolfgang Schwan, Nicole Tung, Ron Haviv, Paula Bronstein, Espen Rasmussen, Eddy Van Wessel, Oksana Parafeniuk, Brendan Hoffman, Laetitia Vancon, Vyacheslav Ratynsky, Myklhaylo Palinchak, Giulio Piscitelli, Fabio Bucciarelli, Chris MgGrath, Daniel Berehulak, Carol Guzy, Finbarr O’Reilly, Hector Quintanar, Eric Bouvet, Dmytro Kozatskyi, Patrik Jaracz dhe Oleksii Furman.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për qytetarët përgjatë datave 22 shkurt – 23 mars 2024.
/Argumentum.al