EDITORIAL
Hapja e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e cila do të drejtohet nga një Imam turk i caktuar tashmë nga Turqia, paraqet një sfidë të re për bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Pas një periudhe pritjeje, kjo xhami do t’i hapë dyert për besimtarët myslimanë, por duke sjellë me vete një drejtues të emëruar nga Ministria e Çështjeve Fetare në Turqi.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, do të inaugurojë të enjten (10 tetor) xhaminë e Namazgjasë, e cila i ka kushtuar qeverisë turke 30 milionë euro. Drejtimin e xhamisë, e cila ndodhet në qendër të Tiranës dhe është e konsideruar si më e madhja në Ballkan, duket se do t’ia besojë një Imami turk, Enes Bastur, në vend të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilin e akuzon për lidhje me Fetullah Gulen (kleriku turk, mik i dikurshëm i Erdogan dhe sot armik i përbetuar i tij)
Lajmi për emërimin e një imami turk, i cili jeton dhe vepron në Turqi, ka ngjallur kritika. Imami i sapoemëruar i Xhamisë së Namazgjasë përmes një reagimi në rrjetet sociale ai ka njoftuar se i është besuar drejtimi Xhamisë Qendrore Namazgjase në Tiranë. “Të dashur miq me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgjase në Tiranë”, shkruan ai.
Në fakt, pasi ky lajm u publikua në të gjitha mediat shqiptare, ky postim nga Enes Bastur u fshi. Nuk dihet nëse Bastur u nxitua për të dhënë këtë lajm apo thjesht ishte “matje e pulsit” publik, megjithatë në foto si më poshtë është dhe postimi i tij në lidhje me këtë emërim.
Ndërkohë, vlen të theksohet se pavarësisht këtij njoftimi të bërë nga vetë personi që pretendon se është emëruar Imam i Xhamisë së Namazgjasë, deri më tani nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk ka asnjë lajm për emërimin e Imamit turk në krye të saj.
Madje pas shpalljes nga Enes Bastur si Imam në krye të Xhamisë së Namazgjasë, një ditë më pas vjen dhe njoftimi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për besimtarët mysliman dhe jo vetëm lidhur me inaugurimin e kësaj Xhamie. Aty theksohet prezenca e Presidentit turk Erdogan, e Kryeministrit Rama, por çuditërisht në këtë ngjarje me rëndësi për komunitetin mysliman por dhe për Shqipërinë, mungon vetë kreu i KMSH-së, Z. Bujar Spahiu.
E pra, Shqipëria duket se po kthehet prapa në kohë…përplot një shekull pas. Pikërisht në periudhën kur Perandoria Osmane, edhe në fazat e fundit të fuqisë së saj, kishte ndikim të madh në vendimet për trojet shqiptare, dhe ku shqiptarët nuk kishin kontroll mbi fatet e tyre. Sot, 112 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, duket se vendi po humbet busullën orientuese dhe po përjeton një krizë identiteti.
Sigurisht, hapja e Xhamisë së Namazgjasë është një lajm i mirë për komunitetin mysliman në Shqipëri, duke i dhënë mundësinë të festojnë si çdo komunitet tjetër fetar. Megjithatë, ky proces duket se është i lidhur ngushtë me ndikimin e Turqisë. Si sponsorizuese e kësaj ndërtese, Turqia e ka mbajtur peng hapjen e saj për arsye krejt politike.
Dhe po për arsye politike, Erdogan, i cili vendosi gurin e themelit në 2015, tani po sjell një imam turk për të drejtuar xhaminë, një veprim që dhunon sovranitetin e vendit dhe pavarësinë e institucioneve fetare në vend.
Kjo situatë duhet të jetë e papranueshme për besimtarët myslimanë, pasi Shqipëria ka teologë të shkolluar, intelektualë dhe figura të njohura që mund ta drejtojnë Xhaminë e Namazgjasë në mënyrë të pavarur, pa u përzierë në interesat politike. Emërimi i një imami turk duket se e bën këtë institucion të prekur nga politika, ndryshe nga qëllimi i tij fillestar si vend adhurimi për Zotin dhe fjalën e Zotit.
Nëse ky lajm është i vërtetë dhe jo lajthitje e ndonjë kleriku, atëherë padiskutim, vendosja e një imami turk në Shqipëri nga Erdogan përkthehet vetëm si një strategji për të forcuar ndikimin e Turqisë në vend dhe rajon.
Gjithashtu ky veprim vendos në pikëpyetje për pavarësinë e institucioneve fetare në Shqipëri dhe për rrezikun e përzierjes së politikës me besimin.
Për fat të keq sikundër po e shohim përgjatë këtyre diteve, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është krejt i pazëshëm në gjithë këtë zhvilim kombëtar dhe kaq të rëndësishëm për vetë komunitetin mysliman.
Sipas njoftimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar të cituar edhe më sipër, në ceremoni nuk do të jetë i pranishëm kreu i tij, Bujar Spahiu, por do të marrë pjesë Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili gjithashtu do të jetë kryetar i bordit të fondacionit që do të administrojë xhaminë. Pra kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është totaisht i mënjanuar, ndërsa vetë si institucion është i pafuqishëm për të zgjedhur drejtuesit e kulteve fetare.
Komuniteti Mysliman në Shqipëri duhet të flasë hapur dhe të kundërshtojë këtë marrëzi politike që minon që në hapje, Xhaminë e Namazgjasë. Përdorimi i gjuhës shqipe për të interpretuar fjalën e Zotit dhe mesazhet e Kuranit është thelbësore dhe një e drejtë krejt legjitime për besimtarët mysliman shqiptarë.
Pastaj, shteti shqiptar duket i paaftë të thotë “jo” dhe të refuzojë kthimin e kësaj selie, e cila është kaq e rëndësishme për besimtarët myslimanë, në një arenë politike. E vërteta është se dera e asaj xhamie, e cila aktualisht është e varur nga financuesi i saj, po hap dyert, por përveç kësaj, një front i ri konflikti po lind gjithashtu.
Në fakt Truqia ka qenë konsistente me veprimet e saj ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke e shmangur totalisht si institucion legjitim. Më 28 janar të këtij viti ministri turk, Hakan Fidan, mbërriti në Tiranë dhe ndalesa e parë e tij ishte pikërisht në xhaminë e Namazgjasë. I shoqëruar nga delegacioni, ministri turk vizitoi faltoren më të madhe të Ballkanit. Mirëpo, ajo që ra në sy ishte fakti se asnjë mysliman shqiptar, imam nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, nuk shoqëruan Fidanin në këtë vizitë. Askush nga krerët e KMSH-së, as vetë kryetari z. Bujar Spahiu, nuk ishin të pranishëm në vizitën që ministri bëri muaj më parë në Xhami.
Nisja e punimeve për ndërtimin e kësaj Xhamie u inagurua më 13 maj 2015. Ajo ka një hapësirë ndërtimi prej rreth 5 mijë metrash katrorë, me një kapacitet prej 4500-5000 persona. Njëjtë si dhe është bërë me dije më herët kjo Xhami ka një qendër multi funkionale, ku pjesë të saj janë: një sallë konferencash me një kapacitet prej 332 personash, një hapësirë me 10 klasa ku do të mësohet Kur’an-i Kerim si dhe një muze i cili do të quhet edhe ndryshe si “Muzeu i Bashkëjetesës”.
Modele të diskutueshme të drejtimit të Kishës Katolike dhe Ortodokse nga klerikë të huaj
Për ata që krahasojnë emërimin e imamit të Xhamisë së Namazgjase nga shteti turk me klerikët e huaj që kanë drejtuar Kishën Katolike dhe Ortodokse, është e rëndësishme të theksohet se situata është krejt ndryshe. Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë klerikë të huaj, por konteksti dhe rrethanat e këtyre emërimeve janë shumë të ndryshme.
Padiskutim që ka patur kundërshti dhe vijon diskursi publik në lidhje me kreun e Kishës Ortodokse që vjen nga Greqia, Anastas Janullatos.
Duhet theksuar se kundërshtimet ndaj Kryepeshkopit Anastas Janullatos kanë origjinë në identitetin e tij grek dhe marrëdhëniet historike shpesh të tensionuara mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai u emërua Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë më 2 gusht 1992, në një ceremoni në Kishën Katedrale të Tiranës, e cila përfshinte klerikë dhe laikë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe përfaqësues të Patrikanës Ekumenike.
Pavarësisht mbështetjes së madhe që mori, emërimi i tij u shoqërua me kundërshtime nga disa grupime brenda kishës dhe nga individë që dyshonin në legjitimitetin e tij. Kisha dhe Kryepeshkopi shpesh e theksuan se emërimi i tij ishte në përputhje me të drejtat kanonike dhe kishte marrë miratimin e Presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Megjithatë, tensionet vazhduan, dhe në vjeshtën e 1994, një përpjekje për të larguar Janullatosin përmes një projekt-kushtetute u hodh poshtë në referendum.
Një pjesë e shqiptarëve ortodoksë e njohin At Nikollë Markun si kreun legjitim të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë, duke e sfiduar autoritetin e Janullatosit. Kritikët e tij e akuzojnë se mbështetja që ai i ka dhënë politikave greke ka kontribuar në përçarjen mes besimtarëve shqiptarë ortodoksë. Kjo situatë e ka bërë Janullatosin një figurë të dyshimtë për shumë, veçanërisht në kontekstin e liderëve të huaj në krye të institucioneve fetare shqiptare.
Gjithsesi, kontributi i tij njihet dhe pranohet nga gjithë shqiptarët, po ashtu ai sot gëzon shtetësinë shqiptare.
Megjithëse ka pasur dhe vazhdon të ketë kundërshti ndaj Anastas Janullatosit, kryetarit të Kishës Ortodokse, duhet të kujtojmë se ai erdhi në krye në vitet ’90, në një kohë kur institucionet fetare në vendin tonë po fillonin të ringriheshin pas rënies së komunizmit.
Por ndonëse ndodhet në krye të kësaj kishe për tre dekada, gjithmonë ka qenë e diskutueshme dhe e papranueshme fakti se Kisha Ortodokse drejtohet nga një klerik i huaj.
Madje duhet theksuar se dhe vetë Janullatos i cili tashmë ndodhet në moshë të thyer, ka theksuar se pas largimit të tij, në krye të Kishës Ortodokse shqiptare, duhet ta drejtojë një klerik ortodoks shqiptar.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për priftin Maltez të Urdhrit Domenikan, George Frendo i cili erdhi në drejtim të Kishës Katolike pas më shumë se 20 -vitesh shërbim baritor në Shqipëri.
Arqipeshkvi George Frendo, nga Malta, ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kishën Katolike në Shqipëri. Ai është emëruar arqipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit në vitin 2016, duke u angazhuar për të forcuar marrëdhëniet mes Kishës dhe besimtarëve, si dhe për të promovuar dialogun ndërfetar në një kontekst ku katolicizmi përballet me sfida historike dhe sociale.
Edhe Arqipeshkvi Geroge Frendo mori vitet e fundit shtetësinë shqiptare. Aktualisht në krye të Kishës Katolike shqiptare është një Arqipeshkv Shqiptar
Por sot të gjendur përpara faktit të emërimit të një Imami nga Turqia në Shqipëri pa asnjë konsultim brenda Komunitetit Mysliman të Shqipërisë krijon jo vetëm tension dhe pakënaqësi, por mbi të gjitha sjellë sfida të rëndësishme për vetë komunitetin mysliman në veçanti dhe për Shqipërinë në përgjithësi.
Ndërsa Shqipëria ka një traditë të pasur të tolerancës ndërfetare, një emërim i tillë rrit ndjesitë nacionaliste dhe shqetësimet për ndikimin e jashtëm politik dhe fetar.
Është thelbësore që çdo emërim të bëhet në përputhje me interesat e komunitetit mysliman shqiptar dhe të mbështetet nga besimtarët e vendit për të ruajtur unitetin dhe paqen ndërfetare në Shqipëri.
Emërimi faktit i imamit turk nga Shteti turk në krye të besimtarëve mysliman shqiptarë si dhe mënjanimi i kreut të Komunitetit Musliman Shqiptar padiskutim që mund të shkaktojë tensione dhe pasiguri brenda komunitetit, nëse jo sot, në çdo rast do të jetë një precedent i papranueshëm.
Në fund, ky proces duhet të shërbejë si një mundësi për të forcuar unitetin dhe për të inkurajuar angazhimin e gjithanshëm në dobi të besimtarëve dhe shoqërisë në tërësi. Më e rëndësishmja, besimi duhet të mbetet një burim uniteti dhe jo ndarjeje!
© 2024 Argumentum