Dhjetëra emigrantë shqiptarë janë bërë bashkë në Britani për t’i dhënë një mesazh sekretares së brendshme britanike Suella Braverman. Teksa protestojnë në urën ‘Ëenstminster’, kanë afishuar edhe pankartën që shkruan: “Shqiptarët s’janë kriminelë.”
Një prej kërkesave që kanë është largimi i Braverman nga qeveria pasi pretendojnë se deklaratat e saj kanë ndikuar te fëmijët pasi pretendojnë i cilësojnë si “fëmijë mafiesh apo kriminelësh”. Me flamujt kuqezi, pankarta të ndryshe dhe këngë shqipe, duan që të shkarkohet sekretarja e brendshme dhe të kërkohet falje publike nga qeveria.
Dy prej shqiptarëve të pranishëm folën nga Londra për Report Tv duke thënë se ka konflikte edhe në vendet e punës ndërsa shton se ndihen të sulmuar nga të gjitha anët.
“Akuzat ka pasur ndikim te fëmijët. Ka raportime për acarime dhe konflikte nëpër vende të punës. Kur je i sulmuar në çdo anët, një pyetje e lehtë mund të duket provokim. Kërkesat janë të shumta, shumë ka që të kërkohet dorëheqja e ministres, të kërkohet falje nga kryeministrja. Shumica e shqiptarëve punojnë në ndërtim”, tha emigranti Taulant.
“Dihet si ka shkuar situata këto 2 javët e fundit në Britani që janë kundër emigrantëve dhe po bëjnë ekzagjerim të tmerrshëm kundër shqiptarëve. Kemi një atmosferë shumë të mirë. Ende s’kemi filluar të flasim por jemi me parulla anglisht dhe shqip duke i treguar se kush jemi ne, duke nisur nga punëtori i thjeshtë te biznesmenët, profesorët. Kushdo që e ka ndjerë veten të fyer ka ardhur sot. Nuk mund të thonë e kanë pushtuar shqiptarë. Dështimi i emigracionit e ka sjellë këtë”, tha emigranti tjetër, Enkelejd.
Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta. Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksiojë skema e Ruandës.
Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë në orën 10:30 për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.