Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u rikthye në fushatën zgjedhore për herë të parë që nga kontraktimi i koronavirusit.
Tubimi u mbajt në një ambient të jashtëm në Sanford të Floridës, më pak se tri javë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Sondazhet e opinionit tregojnë se Trump mbetet pas rivalit demokrat, Joe Biden.
Trump e shfrytëzoi tubimin për të lavdëruar mënyrën se si administrata e tij e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit, ndërsa foli edhe për përvojën e tij në luftimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
“Unë e kalova atë dhe tani thonë se jam imun”, tha Trump përpara turmës së njerëzve, pak prej të cilëve mbanin distancë sociale ose vishnin maska.
“Ndihem aq i fuqishëm. Do të dal atje, do t’i puth të gjithë në audiencë. Do t’i puth burrat dhe gratë e bukura, thjesht t’ju jap një puthje të madhe”, tha Trump.
Përpara tubimit, mjeku i Trumpit lëshoi një deklaratë, duke thënë se presidenti ka dalë negativ për COVID-19 për disa ditë rresht.
Scott Conley tha se testet dhe të dhënat e tjera, përfshirë sasinë virale, e kanë çuar atë në përfundimin se Trump nuk është më infektues.
Koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka infektuar mbi 7.8 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 214,000.
“Nën udhëheqjen time, ne po bëjmë një vaksinë të sigurt dhe një rikuperim të shpejtë – askush nuk mund ta besojë”, tha Trump.
Florida është ndalesa e parë e tij në këtë javë të fushatës, që do të përfshijë ngjarje edhe në Pensilvani, Ajoa, Karolinë të Veriut dhe Uiskonsin.
Florida është një nga disa shtetet që duhet t’i fitojë presidenti për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë edhe për katër vjet të tjerë.
Disa sondazhe kanë nxjerrë garë të ngushtë në Florida, ndërsa të tjerat e kanë vënë Bidenin në epërsi.
Sipas sondazheve, Biden prin me 10 për qind në shkallë vendi.
Megjithatë, një kandidati i duhen 270 vota të kolegjit zgjedhor për t’u bërë president, gjë që nuk përcaktohet nga vota e popullit, por nga shtetet fituese.
Administrata Trump është përballur me kritika për trajtimin e pandemisë së koronavirusit, si dhe për një qasje të shkujdesur ndaj veshjes së maskës dhe mbajtjes së distancës sociale në Shtëpinë e Bardhë.
Një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë besohet të ketë qenë “super-përhapëse” e koronavirusit, duke infektuar dhjetëra ndihmës të presidentit, zyrtarë dhe dy senatorë republikanë.
Trump ka njoftuar më 2 tetor se është infektuar me koronavirus dhe ka kaluar tri ditë në një spital ushtarak jashtë Uashingtonit.
Pas infektimit të presidentit, sondazhet kanë treguar se amerikanët e kanë humbur besimin në mënyrën se si Trump e ka trajtuar krizën me koronavirus.
Sipas një sondazhi të kryer nga Reuters/Ipsos, pas diagnostikimit të Trumpit, 37 për qind e të rriturve amerikanë e kanë miratuar trajtimin e pandemisë nga presidenti, ndërsa 59 për qind nuk e kanë miratuar.
Vendimi i Trumpit për t’u kthyer shpejt në fushatë shkaktoi kritika nga Biden dhe demokratë të tjerë.
“Presidenti Trump vjen në Sanford duke sjellë asgjë tjetër përveç sjelljes së pamatur, retorikës përçarëse dhe frikës”, tha Biden. “Po aq e rrezikshme është ajo që ai nuk arrin ta sjellë: mungesa e planit për ta vënë nën kontroll këtë virus, i cili ka vrarë mbi 15,000 qytetarë të Floridës”, tha Biden, ish-zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara./Rel