Më shumë se 20 kompani të fuqishme nga e gjithë bota, kanë hyrë në garë për projektin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën ndërkombëtare “Perspektiva e Energjisë së Rinovueshme: Financimi, Investimi, Rregullimi dhe Teknologjitë e reja”.
“Ky nuk është as takimi i parë dhe as takimi i fundit, që Shqipëria merr pjesë. Tashmë kemi shumë për të thënë, kemi për të promovuar aksionet tona më të mira. ashtu siç ishte dhe parku i Karavastasë, për të cilin fola dhe për mënyrën transparente se si ky ankand është hapur dhe do të përfundojë nga ç’duket, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshëm nga kompanitë më të mëdha europiane, por dhe nga e gjithë bota”, theksoi ministrja Belinda Balluku
Presidenti i Këshillit Atlantik, FrederickKempe, theksoi gjithashtu nevojën e hartimit të një strategjie të përbashkët mes vendeve pjesëmarrëse, sa i takon energjisë së rinovueshme për t’ju përgjigjur sfidave në të ardhmen.
Kjo konferencë u organizua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Këshilli i Atlantikut, me pjesëmarrjen e ministrave të Energjisë nga vendet e ndryshme të Europës dhe rajonit.
Financimi i burimeve të energjisë së rinovueshme, kuadri rregullator si dhe teknologjitë e reja, të cilat duhen aplikuar në të ardhmen, për të rritur eficencën e këtyre burimeve ishin temat e diskutuara nga ministrat pjesëmarrës në këtë takim të mbajtur në Stamboll të Turqisë.