Qeveria ka marrë kritika të forta për ecurinë e përgjithshme të reformave në sektorin e energjisë në raportin e fundit periodik të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë publikuar në maj.
Ky raport i cili vlerëson avancimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në disa aspekte të lidhura me energjinë është ndalur tek Bursa e Energjisë ku të paktën për Shqipërinë thuhet se shtyrja e vazhdueshme e afatit për miratimin e kuadrit ligjor plotësues ka bërë që funksionimi me shumë gjasa të mos jetë sipas afatit të parashikuar shtator 2019.
Në këto kushte sekretariati vlerëson se qeveria po humb besueshmërinë lidhur me këtë projekt. Mesa duket notat kritike që janë bërë në raportin e Sekretariatit kanë gjetur reflektimin e qeverisë e cila miratoi njërin nga dy vendimet për Bursën e Energjisë vetëm pak ditë më parë.
Një tjetër pikë ku ndalet Sekretariati është ajo e liberalizimit të tregut. “Nuk pati progres drejt heqjes së pengesave për zhvillimin e konkurrencës në tregun me shumicë dhe liberalizmin e tij të plotë. Vendimi i Këshillit të Ministrave për detyrimet e shërbimit publik detyron operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe furnizuesin OSHEE që të blejë energjinë e nevojshme për shërbimin universal si dhe humbjet nga kompania e prodhimit KESH. Mesa duket autoritet po marrin në konsideratë një shkrirje mes KESH dhe OSHEE. Kjo do të krijonte një tjetër pengesë për hapjen e tregut të shumicës” thuhet në raport, duke shtuar se Sekretariati aktualisht po vlerëson një ankesë në lidhje me praktikat e prokurimit të KESH në tregun me shumicë.
Sekretariati ndalet edhe tek rregullat e balancimit të tregut. “Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hartuar një draft për rregullat kryesorë të balancimit por nuk i ka dërguar ende ato për aprovim. Derisa këto rregulla të adoptohen rregullat e balancimit të draftuara me mbështetjen e programit të konektivitetit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë në fuqi. Operatori i Shqipërisë nuk i është përgjigjur iniciativës së operatorit të Malit të Zi për bashkëpunim në balancimin ndërkufitar” thuhet në raport.
Raporti thekson se vonesat në krijimin e bursës së energjisë pengojnë në koordinimin e tregut të energjisë për shitjen në avancë me vendet fqinje. “Vonesa në krijimin e bursës paraqesin një pikë të madhe bllokimi për koordinimin e tregut shqiptar të shitjes në avancë me tregjet e saj fqinjë. Asnjë përparim nuk është bërë për koordinimin e tregut shqiptaro-kosovar që nga tetori i vitit 2018 kur grupet miratuan programet e tyre të punës. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit për koordinimin e tregut të shitjes në avancë, nënshkruar midis operatorëve të sistemit të transmetimit dhe autoriteteve kombëtare rregullatore të Shqipërisë dhe Kosovës në gusht 2018, koordinimi i këtyre dy tregjeve duhet të finalizohet deri në fund të qershorit 2019. Shqipëria është duke marrë pjesë në projektin për koordinimin e tregut të tij me ato të Italisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të cilat krijimi i një tregu kombëtar i shitjes në avancë është gjithashtu një parakusht. Asnjë rrugë konkrete për zbatimin e saj nuk është miratuar. Projekti ka të ngjarë të vazhdojë pa Shqipërinë”.
Raporti shpreh rezerva edhe për pavarësinë e Entit Rregullator të Energjisë (ERE). “Ligji i Sektorit të Energjisë i jep rregullatorit fuqi të dobëta sanksionuese, të cilat duhet të përmirësohen duke rritur nivelet e ndëshkimit. ERE duhet të përfshihet më shumë në kujdesin për mirëfunksionimin e sektorit të energjisë elektrike. Zhvillimet e fundit dëshmojnë të kundërtën: një vendim i ERE-s në dhjetor 2018 mbështeti shtyrjen e ndarjes efektive të shpërndarjes dhe një vendim të kohëve të fundit mbështeti kërkesën e OSHEE për të zgjatur afatin e pagesës për tregtinë e energjisë elektrike në 180 ditë, gjë që ul më tej atraktivitetin e tregut shqiptar. Në të dyja rastet, ERE veproi sipas rekomandimeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në raport./monitor