Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar të shtunën për mandatin e ri presidencial në Ankara.
Teksa e ka lexuar betimin, ai ka thënë se do t’iu përmbahet vlerave të republikës laike dhe do t’i mbrojë të drejtat e njeriut.
Pas ceremonisë së betimit në Asamblenë e Madhe Kombëtare (TBMM), Erdoğan vizitoi Anitkabirin, mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Türkiyes.
Erdoğan shkroi në librin e kujtimeve të mauzoleut se zgjedhjet e fundit hapën dyert për një epokë të re për Türkiyen.
“Për pesë vitet e ardhshme, ne do të vazhdojmë të punojmë me zemër për të realizuar vizionin tonë të Shekullit të Türkiyes”, shtoi ai.
Erdoğan u zotua gjithashtu se do të vazhdojë të mbrojë bashkësinë e kombit dhe ta zhvillojë shtetin.
Më pas, në Kompleksin Presidencial do të mbahet një ceremoni inaugurimi, ku do të marrin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë nga 78 vende, duke përfshirë 21 krerë shtetesh, 13 kryeministra, zyrtarë të nivelit parlamentar dhe ministror, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Organizatën e Shteteve Turke dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islam.
Me fillimin e “Shekullit të Türkiyes”, rruga drejt ngritjes së Türkiyes është tani para nesh, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan në ceremoninë e inaugurimit të tij, raporton Anadolu.
“Türkiye hyri në një rrugë të re pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve. Shekulli i Türkiyes ka filluar dhe dyert e rritjes së vendit tonë janë hapur”, tha Erdoğan në ceremoninë në kompleksin presidencial në Ankara, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të nivelit të lartë nga dhjetëra vende.
“Shpresoj se ky mision i lartë do të jetë i mbarë për kombin tim, të cilit ia kam kushtuar jetën, për të gjitha pjesët e vendit tonë të zemrës dhe për njerëzimin. Shpresoj se nuk do ta zhgënjejmë kombin tonë të dashur që më besoi, partinë dhe aleancën”, tha Erdoğan.
“Nuk do t’ia zhgënjejmë besimin popullit, do të vazhdojmë të prodhojmë vepra dhe shërbime për Türkiyen”, theksoi ai.
Presidenti turk u zotua se do t’i përqafojnë të gjithë 85 milionë njerëzit e Türkiyes, pavarësisht nga pikëpamja e tyre politike, origjina dhe besimi.
“Do të vazhdojmë ta thurim së bashku ‘Shekullin e Türkiyes’ me kabinetin e ri”, tha Erdoğan.
Erdoğan do të presë mysafirët në një darkë në Pallatin Çankaya.
Ai pritet të shpallë kabinetin e tij pas darkës.
Erdoğan fitoi balotazhin presidencial të dielën e kaluar me 52,18 për qind të votave. Kandidati i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu mori 47,82 për qind, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Këshilli Suprem Zgjedhor i vendit.
Türkiye më 28 maj mbajti raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pasi asnjë kandidat nuk siguroi më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për një fitore të plotë në raundin e parë më 14 maj.
Erdoğan fitoi garën me 52,18 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu mori 47,82 për qind, sipas rezultateve zyrtare.
Po ashtu, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) e Erdoğanit dhe aleatët e saj fituan gjithashtu shumicën në parlament më 14 maj.
/Argumentum.al