Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Beograd për një vizitë dy-ditore.
Ai përveç takimeve me autoritetet serbe do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e nisjes së punimeve në autostradën Beograd-Sarajevë.
Erdogan filloi vizitën e tij duke vizituar ekspozitën “Serbia dhe Turqia në dokumentet e Arkivit Osman dhe Arkivit të Serbisë”.
Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që zgjatën pak më shumë se një orë, ka filluar seanca e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit midis Serbisë dhe Turqisë.
Të dyja vendet do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Në delegacionin e presidentit Erdogan janë edhe disa përfaqësues të bizneseve turke.
Para mbërritjes së tij në Beograd, presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, i tha gazetës Politika se arritja e një marrëveshje për çështjen e Kosovës, e cila kënaq të gjithë palët e interesuara, është jetike për të arritur stabilitetin dhe paqen afatgjatë në Ballkan.
“Prandaj ne mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në vullnetin e lirë dhe konsensusin nga të dyja palët. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çmos për të zgjidhur çështjen. Një marrëveshje e arritur midis dy vendeve do të jetë e pranueshme edhe për ne”, ka thënë Erdogan.
Erdogan, i cili thotë se marrëdhëniet Turqi-Serbi janë në nivelin më të lartë historik, vizitoi për herë të fundit Serbinë në tetor të vitit 2017.