Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kushteve (lufta Rusi-Ukrainë), por ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të sinqerta, duke pranuar se diplomacia është e vetmja rrugëdalje”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin holandez Mark Rutte në Ankara.
Erdoğan tha se Turqia ka marrë një “qëndrim të qartë” që nga fillimi i krizës në Ukrainë, duke bërë thirrje që të mbizotërojë sensi i përbashkët dhe të vazhdojë dialogu në çdo rast.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar dënimin ndërkombëtar, duke rezultuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe duke nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Sipas OKB-së, të paktën 925 civilë janë vrarë në Ukrainë, rreth 1.500 të tjerë janë plagosur, ndërsa mbi 3,5 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje.