Kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish, ka deklaruar se lidhur me çështjen e refugjatëve para së gjithash duhet të bisedohet me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe se Erdoğan ka një plan konkret për çështjen se si mund të ndihmohen refugjatët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, Babish tha se politikanët në Evropë mbrojnë idenë se refugjatët duhet të shpërndahen nëpër vende sipas kuotave. Ai tha se janë shprehur haptazi se nuk do ta pranojnë këtë.
Babish shpjegoi se ata janë në solidaritet dhe ndihmojnë financiarisht në çështjen e migracionit të parregullt dhe nënvizoi nevojën se më parë duhet të luftohet kundër trafikantëve të qenieve njerëzore.
“Objektivi duhet të jetë që refugjatët të kthehen në shtëpi. Jo vetëm ata që ndodhen në Turqi, por edhe ato në Evropë. Për ta arritur këtë, para së gjithash, duhet të bisedojmë me presidentin Erdoğan. Ai ka një plan konkret se si të ndihmohen refugjatët”, thekson Babish i cili ka tërhequr vëmendjen se njerëzit duhet të ndihmohen në vendin e tyre që ata të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Kryeministri çek Babish tha se vendet me ndikim në rajon nuk preken nga vala e parregullt e migrimit, por se Evropa është prekur dhe se është i shqetësuar për këtë.
Ndërsa duke përmendur çështjen e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, Babish shprehu idenë e tij se sanksionet nuk japin rezultatin e dëshiruar.
Ai theksoi nevojën që para së gjithash duhet të ndihmohet Ukraina e cila ndodhet në konflikt me Rusinë dhe më pas t’i jepet fund konfliktit duke normalizuar marrëdhëniet me Rusinë. Ai shtoi se vendet e Evropës mund të ndërmarrin iniciativë në këtë çështje.