Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan shprehu mosmiratimin e vendimit të SHBA-së për të lejuar përdorimin e Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë së Ukrainës (ATACMS) kundër Rusisë, raporton Anadolu.
“Së pari dhe më e rëndësishmja, ne nuk e konsiderojmë atë një vendim të drejtë dhe as nuk e miratojmë atë”, tha Erdoğan, duke folur me gazetarët, gjatë kthimit nga Brazili.
Ai kritikoi ndikimin e veprimeve të tilla në luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, e cila ka tejkaluar 1.000 ditë që nga fillimi në shkurt 2022. “Biden ndërmori një hap që mund të interpretohet si një lëvizje për të nxitur luftën (Rusi-Ukrainë) dhe për të siguruar që ajo të mos përfundojë kurrë dhe të përhapet”, tha ai.
Erdoğan paralajmëroi gjithashtu se përshkallëzimi i tensioneve raketore midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ketë pasoja më të gjera globale. “Kjo mund ta sjell rajonin dhe botën në prag të një lufte të madhe. Mentaliteti ‘pas meje është përmbytja’ nuk të çon askund”, tha ai.
Duke adresuar shqetësimet e sigurisë kombëtare, Erdoğan riafirmoi angazhimin e Türkiyes për të luftuar terrorizmin brenda dhe jashtë vendit. “Ne jemi të vendosur që çështjen e terrorizmit ta bëjmë gjë të së kaluarës. Nuk kemi asnjë tolerancë për strukturat që përbëjnë kërcënim për vendin tonë përtej kufijve tanë”, theksoi Erdoğan.
Ai i bëri thirrje regjimit sirian që të marrë më shumë përgjegjësi në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht në lidhje me grupet terroriste PKK dhe YPG. “Ashtu siç po bëjmë përpjekje për të tharë këtë moçal, gjithashtu administrata siriane duhet të angazhohet në përpjekje të ngjashme”, tha Erdoğan.
Duke iu kthyer Sirisë, ai përsëriti se Türkkye është e përgatitur për dinamikën e re pas tërheqjes së SHBA-së.
“Si Türkiye, ne jemi të gatshëm për situatën e re dhe realitetin aktual që do të krijojë tërheqja e SHBA-së nga Siria. Siguria jonë kombëtare është e para”, theksoi Erdoğan.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar. YPG është dega siriane e PKK-së.
Presidenti turk trajtoi gjithashtu kërcënimin e vazhdueshëm që paraqet Organizata Terroriste Fetullah (FETO), grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016 kundër qeverisë turke, duke theksuar vigjilencën nëpër institucionet turke.
“Ne nuk mund të jemi kurrë të vetëkënaqur në luftën kundër FETO-s. Të gjitha institucionet tona janë në gatishmëri të lartë kundër tentativave të infiltrimit të FETO-s”, deklaroi Erdoğan.