Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se në periudhën e ardhshme me vendosmëri do të hedhin hapa për të shndërruar në realitet vizionin e tyre për një Türkiye dhe rajon pa terror, transmeton Anadolu.
Erdoğan publikoi një video-mesazh me rastin e Vitit të Ri.
Duke folur për gjendjen në Siri, presidenti turk tha: “Do të ofrojmë çdo lloj mbështetjeje të nevojshme që periudha e re të hapë derën e paqes, qetësisë, stabilitetit dhe prosperitet të përhershëm ekonomik në Siri”.
Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke shënuar fundin e sundimit të partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham çliruan qytetet kryesore në një ofensivë të rrufeshme që zgjati më pak se dy javë.
Presidenti turk u ndal edhe në çështjen palestineze. “Po bëjmë përpjekje intensive që të marrin fund masakrat që po vazhdojnë prej 15 muajsh në Gaza dhe tokat tjera palestineze si dhe për vendosjen e paqes këtu”, theksoi ai.
Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës duke vrarë rreth 45.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Tel Avivi ka vendosur bllokadë shkatërruese në Rripin e Gazës, duke e lënë popullsinë 2.3 milionëshe në prag të urisë.
“Në periudhën e ardhshme me vendosmëri do të hedhim hapa për të shndërruar në realitet vizionin tonë për një Türkiye pa terror dhe rajon pa terror”, shtoi Erdoğan lidhur me luftën e vendit të tij kundër organizatave terroriste./AA