Duke folur gjatë Asamblesë s Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York, Erdoğan tha se “funksionimi efikas” i Komitetit Kushtetues është “vendimtar për unitetin politik dhe territorial të Sirisë”.
Më 7 gusht zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë ranë dakord për krijimin e një zone të sigurtë në veri të Sirisë dhe hapjen e një korridori të paqes që do të mundësonte lëvizjen e lirë të sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në shtëpi.
Presidenti i Turqisë gjithashtu tha se grupi terrorist PKK/YPG po vepron nën maskën e SDF-së në veri të Sirisë dhe se patjetër të trajtohet për sigurinë e rajonit.
Erdoğan u bëri thirrjë vendeve anëtare të OKB-së që të mbështesin përpjekjet e Turqisë për të garantuar sigurinë në Idlib të Sirisë për të shmangur migrimet masive dhe masakrat, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar po “humbet aftësinë për të gjetur zgjidhje afatgjata” ndaj sfidave siç janë terrorizmi, uria, mjerimi dhe ndryshimet klimatike.
Turqia është “shteti më bujar” me ndihma humanitare, duke strehuar 5 milionë njerëz të zhvendosur që kanë ikur nga konflikti, uria, persekutimi, që është më shumë sesa popullsia e 29 shteteve amerikane, tha Erdoğan. “Ne kemi shpenzuar 40 miliardë dollarë për azilkërkuesit në tetë vitet e fundit.”
“Fatkeqësisht, opinioni botëror shumë shpejt i harroi udhëtimet e tyre të mbijetesës ose jetët e humbura qoftë në ujërat e errëta të Detit Mesdhe, qoftë prapa gardheve të sigurisë që shtriheshin nëpër kufijtë”, tha ai, duke shtuar se Turqia nuk do t’i harrojë kurrë kujtimet e foshnjeve si Alani, trupat e pajetë të të cilëve silleshin nga dallgët e detit në breg. Alan Kurdi, një vogëlush 3-vjeçar sirian, u mbyt në bregdetin turk në vitin 2015 përderisa përpiqej të kalonte në Evropë.
Erdoğan theksoi se Turqia në vitin 2019 ka shpëtuar 32.000 migrantë të parregullt nga mbytja në det, ka riatdhesuar 58.000, duke mos përfshirë sirianët.
Siria është përfshirë nga një luftë shkatërruese civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit ushtroi dhunë për të shtypur protestat pro-demokratike.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra civilë janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.
YPG, dega siriane e PKK-së, ka arritur të pushtojë një të tretën e Sirisë nën maskën e luftimeve kundër DEASH-it dhe me mbështetjen e SHBA-ve.
Që nga viti 2016, operacionet e Turqisë “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit” në Sirinë veriperëndimore kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK dhe DEASH, duke e bërë të mundur kthimin në shtëpi të sirianëve që kishin ikur nga dhuna.
– Komuniteti ndërkombëtar dhe OKB duhet të ofrojë mbështetje për palestinezët
Erdoğan tha se territoret palestineze nën okupimin izraelit janë bërë një nga vendet e botës ku “më së shumti mbizotëron padrejtësia”.
“Nëse pamjet e një gruaje palestineze të pafajshme, e cila u vra në mënyrë të egër nga forcat izraelite të sigurisë në rrugë vetëm disa ditë më parë nuk mund të zgjojë ndërgjegjen, atëherë ne jemi në një pikë ku fjalët dështojnë”, tha ai.
Turqia ka një “qëndrim të qartë” për këtë çështje, tha Erdoğan. “Zgjidhja është krijimi i menjëhershëm i një shteti të pavarur dhe homogjen palestinez në bazë të kufijve të vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet”, tha ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe OKB-së që të ofrojnë “mbështetje konkrete për popullin palestinez përtej premtimeve të thjeshta”.
Ai gjithashtu vuri në dyshim rolin dhe misionin e OKB-s;, duke thënë se OKB nuk arrin të zbatojë rezolutat e saja kundër Izraelit.
“Si ka mundësi që Lartësirat e Golanit dhe vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtohen, ngjashëm si territoret tjera të pushtuara palestineze, para syve të botës sikur të mos ishin brenda kufijve të këtij shteti”, pyeti ai në mënyrë retorike. “A është qëllimi i iniciativës së prezantuar si ‘Marrëveshja e Shekullit’ që të eliminojë prezencën e shtetit dhe popullit të Palestinës?”, tha Erdoğan, duke iu referuar planit të shumëpërfolur të presidentit amerikan Donald Trump për të zgjidhur çështjen mes Palestinës dhe Izraelit.
Ai më pas këshilloi audiencën e tij duke thënë: “Të gjithë aktorët e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Kombet e Bashkuara, duhet të ofrojnë mbështetje konkrete për popullin palestinez përtej premtimeve të thjeshta.”
– Turqia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj në Mesdheun Lindor
Krahas negociatave prej më shumë se 50 viteve, çështja e Qipros akoma nuk është zgjidhur për shkak të “pozitës pa kompromis të palës greke qipriote”, tha presidenti turk.
Duke thënë se pala e Qipros Greke refuzon të ndajë fuqinë politike dhe prosperitetin me turqit qipriotë, Erdoğan theksoi se ata që pretendojnë të zgjidhin problemin në kushtet e “zero sigurisë, zero garancisë” kanë “qëllime të këqija”.
Si garantues ndërkombëtar me bazë në traktat, Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj derisa të gjendet një zgjidhje që garanton sigurinë dhe të drejtat e turqve qipriotë, tha ai.
“Ne besojmë se burimet e energjisë në Mesdheun Lindor përbëjnë një mundësi të rëndësishme për bashkëpunim nëse të gjithë ne përdorim një qasje ku të gjithë fitojmë (win-win)”, tha Erdoğan.
Ai tha se disa shtete të rajonit po përpiqen ta kthejnë “çështjen e burimeve të energjisë në një zonë konflikti”.
“Në Mesdheun Lindor, ne do t’i mbrojmë të drejtat dhe interesat legjitime të turqve dhe turqve qipriotë deri në fund”, tha Erdoğan dhe shtoi se Turqia do të jetë e hapur për të gjitha propozimet e bazuara në bashkëpunim dhe ndarje të barabartë.
Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja u detyrua të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).
Dekada të tëra që nga ajo kohë u bënë përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por të gjitha përfunduan me dështim.
E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese – Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.
Në vitin 2004, plani i Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe të OKB-së, Kofi Annan, u pranua nga turqit qipriotë por u refuzua nga grekët qipriotë në referendumin e dyfishtë të mbajtur në të dyja anët e ishullit.
Bisedimet u fokusuan në modelin e federatës, të bazuar në barazinë politike të palëve turke dhe greke të Qipros, por grekët qipriotë e refuzuan një zgjidhje të tillë, duke përfshirë edhe planin e Annan-it, që çoi në krijimin e modeleve tjera.
Në një raport të fundit, Sekretari i Përgjithshëm aktual i OKB-së, Antonio Guterres, tha se “ide të reja” mund të nevojiten për arritjen e zgjidhjes në ishull.