Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pret të hënën në Ankara homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë iranian, Hassan Rohani për të diskutuar luftën në Siri.
Ata pritet të fokusohen në përparimin e qeverisë siriane në provincën Idlib, njëherësh rajonin e fundit që kontrollohet nga rebelët, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
Vitin e kaluar, Rusia dhe Turqia kanë arritur marrëveshje për streha të sigurta, të cilat ishte planifikuar se do ta mbronin Idlibin nga një sulm qeveritar.
Ankaraja ka rreth 12 pozicione të vëzhgimit në këtë zonë për të siguruar zbatimin e marrëveshjes, ndonëse frikësohet se forcat siriane që gëzojnë mbështetjen ajrore të Rusisë, mund të hyjnë në Idlib.
Ky takim shënon samitin e pestë në mes të këtyre tri shteteve për luftën civile në Siri nga nëntori i vitit 2017.
Muajin e kaluar, zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin ka thënë se të tre liderët do të diskutojnë edhe “themelimin e një komisioni kushtetues dhe rrrugën që duhet ndjekur procesi politik”.
Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, derisa Turqia kundërshton atë dhe përkrah disa grupe rebele.
Së voni, Turqia është duke tentuar të pengojë valën e migrantëve nga Idlibi, teksa Assad fiton territor.
Putin, Rohani dhe Erdogan janë takuar për herë të fundit në shkurt të vitit të kaluar.