Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ndodhet në Bosnje e Hercegovinë për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), nga ku ka shprehur si angazhimin e Turqisë në Ballkan ashtu edhe mbështetjen e saj për integrmin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Në një deklaratë për mediat para se të nisej drejt Sarajevës, Erdogan deklaroi: “Paqja, stabiliteti, qetësia, dhe mirëqënia e Ballkanit janë shumë të rëndësishme për ne. Vendi ynë nuk e ka luksin që t’i ndjekë zhvillimet e këtij rajoni nga larg”.
Pasi shprehu qartë interesimin e Tirqisë në Ballkan, presidenti Erdogan, në Sarajevë, ku u takua dhe me presidentin shqiptar Ilir Meta, u shpreh se Turqia gjithnjë ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë mbështetje të fortë për integrimin e Ballkanit në institucionet euroatlantike.
Erdogan deklaroi nga Sarajeva: “Vendimet që BE do t’i marrë lidhur me negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndikojnë në të ardhmen e gjithë rajonit. Nëse BE i zhvillon këto procese në kundërshtim me zotimet e saj, kjo do të dëmtonte jo vetëm paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe kredibilitetin e saj”.
Erdoğan, lideri i një shteti, negociatat e të cilit për tu integruar në BE janë shtyrë për dekada, tha se në periudhën e fundit, politika e zgjerimit e BE-së është kapur peng nga disa qarqe populiste “me mendje të ngushtë”.
Ai u shpreh:“Rrymat diskriminuese dhe përjashtuese që janë rritur në tërë kontinentin, nuk rrezikojnë vetëm paqen e brendshme të Evropës, por edhe ardhmërinë e saj dhe potencialin për të qenë shpresë. Ne besojmë se liderët evropianë do të veprojnë në një mënyrë vizionare dhe do t’i dalin zot idealit të Ballkanit për integrim në Evropë”, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.