Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë inaugurimit të Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, ka dhenë një mesazh të gjatë për miqësinë Turqi-Shqipëri tregues i së cilit është edhe vete ky spital.
“I nderuar kryeministër, i dashur dhe i shtrenjti miku im Edi Rama! Të nderuar ministra, të dashur vëllezër dhe miq shqiptarë. Duke ju përshëndetur me ndjenjat e mia të përzemërta dhe me dashuri e me respekt, me rastin e ceremonisë së hapjes së Spitalit të miqësisë Turqi-Shqipëri, në Fier, megjithëse në një formë virtuale, jam shumë i lumtur që takohem me ju së bashku. Me këtë rast ju përgëzoj të gjithëve edhe për Muajin e Ramazanit, në të cilin ndodhemi dhe shpresoj që ky muaj të sjellë shëndet, bereqet dhe miqësi për vëllezërit e mi shqiptarë dhe për mbarë botën islame”, tha Erdogan.
“Marrëdhëniet dhe raportet Turqi-Shqipëri, nga dita në ditë, vazhdojnë të zhvillohen me fuqinë e cila merret nga kultura dhe historia jonë e përbashkët. Siç e dini edhe ju, miku im i dashur z. Kryeministër, me rastin e vizitës zyrtare në janar të 2021-it, ne kemi bërë të mundur përforcimin e lidhjeve miqësore dhe vëllazërore midis vendeve tona, duke e çuar një hap më tej dhe kështu që kemi zyrtarizuar partneritetin tonë strategjik në nivelet më të larta. Unë besoj fort se partneriteti ynë strategjik do shërbejë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha fushat, si dhe në krijimin e bashkëpunimeve të tjera të larmishme”, tha Erdogan.
“Turqia në mbi 30 vjet me këtë koncept miqësie dhe vëllazërie ka vazhduar të ofrojë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Njëkohësisht pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit 2019, si dhe përgjatë pandemisë COVID-19, me të gjitha mundësitë tona pa asnjë lloj hezitimi u përpoqëm që të ishim sa më pranë vëllezërve tanë shqiptarë”, theksoi Erdogan.
“Në dhjetorin e kaluar, ne së bashku me ju zhvilluam ceremoninë e hapjes të kantierit të rindërtimit në qytetin e Laçit, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti”, tha Erdogan.
“Partneriteti ynë strategjik, tashmë i nivelit të lartë, po vazhdon në kushte normale”, shtoi Erdogan.
Erdogan u shpreh se në Spitalin e Fierit, “do të punojnë afërsisht 400 personel të përbërë nga turq dhe shqiptarë, që së bashku do të ushtrojnë detyrën, duke krijuar një shërbim cilësor në fushën e shëndetësisë në kushte moderne dhe bashkëkohore. E fokusuar në 23 degë themelore, me 6 salla operacioni, 6 shërbime poliklinike si dhe 20 njësi të kujdesit intensiv në total e përbërë prej 130 shtretër”.
Erdogan tha se, “spitali i miqësisë Turqi-Shqipëri në Fier, duke qenë një tregues tashmë dhe një shenjë e re për miqësinë midis vendeve tona, dëshiroj nga zemra që në gjeografinë e zemrës sonë të sjellë dobi dhe të shpërndajë sa më shumë shërim për vëllezërit e mi shqiptarë”.
Erdogan njëkohësisht shprehu “ngushëllime për të gjithë ato familje, ato persona që kanë humbur jetën për shkak të virusit COVID-19 dhe njëkohësisht uroj dhe dëshiroj shërim të shpejtë për të gjithë të infektuarit që aktualisht janë të shtruar në spital”.
“Një falënderim të veçantë dua të dërgoj edhe për kompaninë kontraktuese, e cila ka bërë të mundur ndërtimin e objektit si dhe stabilizimin dhe shtrimin e rrugëve lidhëse”, theksoi Erdogan.
“Spitali i Fierit është një shenjë miqësie, një tregues i miqësisë së fortë midis dy vendeve tona. Njëkohësisht një falënderim të veçantë ministrit tim të Shëndetësisë dhe mikut tim të shtrenjtë kryeministrit të Shqipërisë për të gjithë këtë kontribut, për të gjithë këtë sakrificë të dhënë në realizimin e këtij projekti. Besoj që ky spital i miqësisë Turqi-Shqipëri në Fier t’i shërbejë të gjithë komunitetit”, tha Erdogan.