Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij tashmë ka blerë sistemet ruse të mbrojtjes raketore S-400 dhe se ky proces ka përfunduar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk them që Turqia do të blejë sistemet e mbrojtjes S-400, por tashmë i ka blerë ato. Ne e kemi kryer këtë punë”, tha Erdoğan në një takim të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara.
Presidenti turk theksoi se Ankaraja dhe Moska kanë firmosur marrëveshjen me premtimin për një çmim të arsyeshëm dhe prodhim të përbashkët në të ardhmen, duke shtuar se sistemet S-400 do të vijnë në Turqi në një kohë të afërt.
Duke folur për pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35, Erdoğan tha se vendi i tij nuk është vetëm klient i këtyre avionëve, por në të njëjtën kohë edhe partner i prodhimit.
Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan ka përmendur edhe mbështetjen që Washingtoni ofron për organizatat terroriste YPG dhe PYD në Siri, degë të PKK-së, e cila cilësohet si grup terrorist edhe nga SHBA-ja.
“A nuk janë YPG dhe PYD degë të PKK-së? Kush ua jep këtyre mbështetjen më të madhe? Partneri ynë strategjik…”, u shpreh Erdoğan.
Tensionet midis SHBA-së dhe Turqisë janë rritur në muajt e fundit pasi Turqia do të fillojë të pranojë sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia, për të cilin Washingtoni ka thënë se do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin amerikan të avionëve F-35 dhe mund të shkaktojë sanksione në Kongres.
Pas përpjekjeve të zgjatura dhe të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja, Ankaraja vendosi në vitin 2017 të pajiset me sistemin rus S-400.
Zyrtarët e SHBA-së kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të S-400, duke argumentuar se sistemi rus nuk përputhet me sistemet e NATO-s.
Turqia është përgjigjur duke thënë se ka qenë refuzimi i SHBA-së në lidhje me sistemet Patriot ajo që i ka detyruar të kërkojnë shitës të tjerë, duke shtuar se Rusia i ofroi Ankarasë një marrëveshje më të mirë, duke përfshirë edhe transferimin e teknologjisë.
Ankaraja po ashtu ka argumentuar se Turqia nuk është vendi i vetëm i NATO-s që do të përdorë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore.