Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, (ERE) në mbledhjen e sotme miratoi vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh dhe çmimin e ri që do paguajnë familjet që kalojnë këtë fashë do të jetë 42 lekë kilovati pa TVSH.
Më herët, KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kWh/muaj, të jetë 34.3 lekë/kWh, ndërsa për konsumatorët e tjerë do shitet aq sa tani 2.4 lekë kilovati.
Pas kësaj kostoje FSHU kërkoi nga ERE vendosjen e çmimit të ri për konsumatorët familjarët.
“Vendimi është i domosdoshëm në kushtet e emergjencës së shpallur nga qeveria për furnizimin me energji elektrike. Çmimi mbulon kostot e blerjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet e huaja. Ky vendim përbën interes të lartë publik për të garantuar furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Kërkesa përmbush kushtet ligjore. Vlerësojmë se caktimi i çmimit 42 lekë për kilovat do të mbuloj blerjen e energjisë dhe do të krijojë likuiditet për të importuar. Propozojmë vendosjen e çmimit 42 lekë, për periudhën 1 tetor deri 31 dhjetor 2022”, tha relatori i vendimit.
Sekretari i bordit të ERE-s tha se, “nëse vendosim çmimin 42 lekë për kilovat, fatura do të ndryshojë në këtë mënyrë, marrim si shembull konsumin familjar në vlerën 850 kilovat në muaj:
-800 kilovat do të faturohen 9.5 lekë për kilovat
50 kilovat do të faturohen me 42 lekë për kilovat
Shtohet 1940 lekë TVSH dhe 100 tarifa e televizionit. Fatura do të shkojë 11.740 lekë”.
/Argumentum.al