I gjithë Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së, thotë zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për gazetën e njohur greke ”To Vima”.
”Pak zyrtarë në Departamentin amerikan të Shtetit e njohin Ballkanin aq mirë sa Gabriel Escobar. Kjo ishte arsyeja që diplomati me përvojë dhe poliglot u emërua zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Ballkanin Perëndimor shtatorin e kaluar. Duke shërbyer prej vitesh në zonë, ai ka një ide si për problemet e tij, ashtu edhe për mënyrën e lëvizjes në plan të parë dhe në prapaskenë.
Së fundmi zyrtari amerikan ndodhej në Greqi, ku u takua me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme greke, ndërsa mori pjesë edhe në Forumin e Delfit.
“A sinjalizon pushtimi rus i Ukrainës për një Luftë të re të Ftohtë dhe sfera të influencës apo fillon një situatë ndërkombëtare krejtësisht të paparashikueshme?”, pyet ”To Vima”.
”Nuk e di, nuk mund të parashikoj”, përgjigjet ai.
“Kjo krizë ka afruar Evropën dhe SHBA më pranë. Ajo ka krijuar një nivel uniteti brenda NATO-s që nuk e kemi parë kurrë më parë. Kjo krizë na kujton pse SHBA dhe Evropa kanë nevojë për njëra-tjetrën”, thekson Escobar.
Escobar beson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.
“Ata janë tashmë evropiane kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht gjithnjë e më shumë. Çdo vend që bashkohet me BE po bëhet më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë”, thotë ai duke shtuar se politika e SHBA për këtë çështje mbetet e njëjtë.
“Kjo tregon se ideja evropiane është e gjallë në rajon”, shton ai.
“Ajo që karakterizon tani Ballkanin Perëndimor është rritja ekonomike mbresëlënëse. Është pjesa me rritjen më të shpejtë të BE”, thekson Escobar.
Shqetësimi i madh amerikan për Ballkanin Perëndimor bazohet në ndikimin e vendeve të treta.
“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje-Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon”, thekson ai.
Escobar komenton edhe zhvillimet në Partinë Demokratike.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që po ndodh me PD-në në këtë moment”, tha ai.
“Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni dominonte pikëpamjet e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, përfundon ai./ata