Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, tha se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës, në një situatë kur nuk ekziston alternativë tjetër për rajonin përveç dialogut dhe integrimit evropian. I dërguari amerikan për Ballkanin foli në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës nga Nju Jorku, ku pati takime në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë të cilave diskutoi me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe të ketë një “qasje të re” lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Ka ardhur koha për një qasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e [përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep] Borrellit [pas rundit të fundit të dialogut] ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, tha ai.
Kosova dhe Serbia më 14 shtator në rundin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk arritën ndonjë rezultat.
Pas takimit, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.
Katër ditë pas përfundim të rundit të dialogut, kryeministri kosovar akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, se është ndërmjetësues i njëanshëm dhe se më 14 shtator në Bruksel ishte “pozicionuar” kundër Kosovës.
Escobar u pyet për këto deklarata të Kurtit. Ai tha se Lajçak gëzon mbështetjen e plotë të BE-së dhe SHBA-së.
“Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një qasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes [së Kosovës, Vjosa] Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha Escobar.
*Intervistën e plotë të zotit Escobar dhënë për Zërin e Amerikës mund ta lexoni KËTU