Editorial
Anri Kashiku humbi jetën pak dite me parë (14.07) në moshën 18-vjeçare në plazh Sektor Rinia, Durrës. Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet e ditur se, për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve.
“Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohë që 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta”, informoi Policia.
Çfarë lajmi tragjik për një të ri i cili kishte gjithë të ardhmen përpara.
Ndarja nga jeta e tij duke shpëtuar dy jetë të tjera trishtoi jo vetëm familjarët, e të njohurit e tij por këdo që u përball me këtë lajm të trishtë.
Akti i tij heroik u vu në dukje menjëherë, dhe si një formë ngushëllimi për familjen e tij, tashmë në çdo rrjet social, e media online Anri Kashiku ishte djali HERO.
Edhe politikanët shqiptare kanë nderuar me të drejtë aktin e të riut duke e cilësuar veprimin e tij vetëmohues, si një Hero të vërtetë!
Përmendim këtu Presidentin e Republikës z. Ilir Meta i cili shkruan:
ANRI KASHIKU, HEROI YNË!
Mirënjohje dhe respektin më të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm që me sakrificën e tij sublime shpëtoi sot dy jetë për t’u përjetësuar në memorien tonë si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për jetën dhe vlerave më të larta humane.
Ngushëllimet më të ndjera familjes!
Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha
Një hero i vërtetë!
Miq, i riu 18-vjeçar, Anri Kashiku, si një hero i vërtetë, shpëtoi sot dy jetë, por vetë mbeti në ujrat e Adriatikut, për t’u bërë i pavdekshëm me veprën e tij.
Duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Kashiku për këtë humbje të pakompensueshme, i lutemi Zotit që shpirti i bardhë i Anrit shpëtimtar të gjejë paqen e merituar. Amin! sb
Kryetarja e Parlamentit Znj. Lindita Nikolla
Anri Kashiku, djali që dha jetën për të shpëtuar dy jetë, vëllain e tij të vogël 15-vjeçar, Ersianin, dhe shokun e tij, meriton respektin, nderimin dhe mirënjohjen e të gjithë shoqërisë.
Përkushtimi dhe heroizmi deri në vetmohim e bëri Anrin nga një njeri të thjeshtë, në një qytetar simbol. Ngushëllime familjes për humbjen e Anrit!
Mirënjohje, që rriti një hero!
Ndërsa Kryeministri Rama u drejtua përsonalisht tek familja e Anri Kashikut, në Durrës, për t’i shprehur ngushëllimet.
Me lule në duar dhe i shoqëruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryeministri i ka shprehur ngushëllimet familjarëve duke i ka dorëzuar familjes çertifikatën e shpalljes “Dëshmor i Atdheut” për Anri Kashikun.
“Sipas ligjit të ri që kemi bërë ne dhe që lidhet me aktet e heroizmit, se ai shpëtoi dy jetë, ai shpallet “Dëshmor i Atdheut””, tha Kryeministri Rama.
Ngushëllime!
Një ngushëllim për familjen e të riut dhe një krenari që djali i tyre i dashur tashmë është “Dëshmor i Atdheut”
Çfarë peshe të rëndë që mban ky titull, sikundër pesha e kësaj tokë që do ti rëndojë përgjithmonë Anrit.
Por ndërsa Kryeministri Rama duket se ua ka lehtësuar dhimbjen familjarëve për humbjen e e birit të tyre, në fakt më shumë ka hequr barrën e përgjegjshmërisë që rendon mbi supet e qeverisë së tij.
Por pse është përgjegjësi e qeverisë Rama?
Kujtojmë se prej vitesh është krijuar Agjencia Kombëtare e Bregdetit ku ndër të tjera ka për detyrë sigurinë në plazh. Rojet e kullave të vrojtimit si dhe kufizueset për korridoret e hyrjes dhe daljes së mjeteve lundruese në breg janë dy elemente kyçe për sigurinë e pushuesve.
Të dyja këto elemente anashkalohen çdo vit duke sjellë humbje jete njerëzish në bregdetin shqiptarë.
Nuk janë të pakta aksidentet në det nga mjetet motorrike ujore ku për pasoje pushues kanë gjetur vdekjen. Ndërsa rastet e humbjes së jetës në ujë për shkak të pakujdesisë dhe mungesës së vrojtuesve janë të shumtë në numër.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit.
Dhe në fakt kullat e vrojtimit janë, por mungojnë rojet bregdetare. Madje dhe aty ku ka roje bregdetare, funksioni i tyre i vetëm është sinjalizimi me flamur nëse mund të futen në det apo jo.
Theksojmë se këtu mungon e gjithë infrastruktura e shpëtimit dhe dhënies së ndihmës së parë të të mbyturit pas nxjerrjes nga deti.
Po ashtu në plazhe do duhet te ishte e domosdoshme jo vetëm patrullimi i policëve me biçikletë që duan orë të tëra të arrijnë nga njëri cep në tjetrin por mbi të gjitha do duhet një ambulancë verore në pika kyçe që garanton ndihmën e menjëhershme si për ata që rrezikojnë të mbyten por dhe ato raste të infarktit që viteve të fundit në bregdetet shqiptare janë shtuar rastet ku pushuesit kanë humbur jetën nga infarkti .
Të gjitha këto janë përgjegjësi e shtetit bashkë me privatin në raste kur ajo hapësirë në zonën e plazhit i jepet privatit për shfrytëzim gjatë sezonit veror.
Ndërsa në plazhet publike, po ashtu shteti nëpërmjet agjencisë kombëtare të detit apo ministrisë së turizmit duhet të sigurojë vrojtues edhe për pushuesit në plazhet publike.
E ndërsa asnjë instancë shtetërore nuk merr përgjegjësi për humbjen e jetës së djalit 18 vjeçar në plazhin e fshatit Rinia në Durrës, po kjo qeveri bën që familja ta falënderoje për titulin e akorduar si “Dëshmor i Atdheut”
Vertet ai është hero i vëllait të tij…është hero i shokut të vëllait që iu shpëtoi jetën…është krenaria dhe hero i familjes por ai djalë nuk duhej kurrë të humbte jetën si “Dëshmor i Atdheut”.
Atdheu ka një qeveri, ka një kryeministër i cili ka pushtet të pafund që të kujdeset për popullin e tij. Të sigurojë jetën dhe jo të shpërndajë dekorata mbi arkivolet e të rinjve shqiptarë.
Këtu çështja nuk qëndron nëse e meriton apo jo Anri të shpallet Dëshmorë… mbi të gjitha ai djalë meritonte të ishte i gjallë mes nesh.
Ai titull “Dëshmor i Atdheut” ndihmon më shumë qeverinë e cila mbulon papërgjegjshmërine saj me një titull të imponuar.
Ne nuk jemi në lufte…e megjithatë viteve te fundit na janë shtuar dëshmorët e kombit pasi nëpërmjet akteve të tyre vetmohuese kanë mbuluar dështimin e qeverisë.
Po, qeveria dështoi edhe një vit më parë me dëshmorim Arian Sala, një tjetër i ri i cili humbi jetën për të shpëtuar jetën e kolegeve të tij. Fatkeqesisht trupi i Salës mbeti i bllokuar për 3 ditë me radhë, pasi forcat zjarrfikëse nuk mund të ndërhynin për shkak të terrenit të vështirë, dhe nuk ishte në ndonjë zonë të thellë të Shqipërisë, por në zemër të Tiranës.
Qeveria dështoi edhe sot…ndërsa i hedh një tufë me lule në arkivolin e një djali të ri që kishte gjithë të ardhmen përpara.
Sa guxim që sot në vitin 2022…të merrni rrugën për të shpallur Dëshmor një djalë 18 vjeçar…e për çfarë, sepse ai iu dha një shuplakë të fortë fytyrës, megjithëse jo ndërgjegjes tuaj.
Zoti Kryeministër…thjesht bëni punën tuaj, administrata që ju drejtoni të bëjë punën e saj.
Lërini titujt e dëshmorëve në kohë lufte… Mjaft më me Heroizma por vetëm Përgjegjshmëri !
U prehsh në Paqe i dashur ANRI!
/Argumentum.al