Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kransiqi është arrestuar nga forcat e EULEX. Lajmi konfirmohet nga avokati i z. Krasniqi, i cili shton se klienti i tij do të dërgohet në Hagë dhe shumë shpejt do të përcaktohet data se kur do mbahet seanca për të.
Gjatë ditës së sotme, dy shtëpitë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës janë rrethuar dhe kontrolluar nga forcat speciale të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Me dhjetëra trupa policore, të armatosura rëndë kanë bllokuar rrugën, duke mos lejuar edhe lëvizjet e familjarëve. Këta të fundit, kanë shprehur shqetësimin e tyre, pasi nuk dinë se çfarë po ndodh.
Megjithatë, dyshimet e tyre bien mbi rolin dhe veprimtarinë që Krasniqi ka pasur në UÇK, gjatë periudhës së luftës.