Pas debatit që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës, Parlamenti Evropian miratoi sot rezolutën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 412 eurodeputetë nga 578 të pranishëm në seancë votuan në favor të rezolutës ku kërkohet hapje e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ndër të tjera, në rezolutë, nënvizohet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat.
Parlamenti Europian i bën thirrje Këshillit Evropian, të ndalojë frenimin e perspektivës së negociatave të pranimit dhe të kërkojë një propozim të Komisionit për një partneritet të ri me këto vende; po kështu të monitorojë përdorimin e fondeve në Maqedoninë e Veriut dhe të sigurojë një raport të hollësishëm në Parlament; Udhëzon Presidentin e tij që t’ua përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit, qeverive e parlamenteve të shteteve anëtare dhe qeverive e parlamenteve të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalës së saj, ministrja finlandeze për Çështjet Europiane, Tytti Tuppuraine, shprehu zhgënjim për vendimin e KE-së, por shtoi se do të bëhen përpjekjet për një vendim tjetër.
Në njoftimin për shtyp të Parlamentit Europian shkuhet:
“Deputetëve u vjen keq për qëndrimin e Francës, Danimarkës dhe Holandës për të bllokuar vendimin pozitiv dhe thonë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme në vitet e fundit për të plotësuar kriteret për të nisur bisedimet për anëtarësim.
Vlerësojmë Maqedoninë e Veriut për përpjekjet për të zgjidhur problemet dypalëshe me vendet fqinje si dhe Reformën në Drejtësi të ndërmarrë në Shqipëri.
Parlamenti thekson se mos marrja e një vendimi nga liderët e BE ishte një gabim strategjik, që dëmton besueshmërinë e unionit dhe dërgon mesazhe negative të shtetet e tjera kandidate të mundshme. Gjithashtu do të lejojë aktorë të tjerë të huaj, aktiviteti i të cilëve nuk përputhet me vlerat dhe interesat e BE, që të angazhohen më shumë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”.