Eurokomisari për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim, Oliver Varhelji, në një deklaratë për shtyp pranë qeverisë, në prani edhe të kryeministrit Oliver Spasovski tha se Maqedoni e Veriut dhe Shqipëria tashmë i kanë përmbushur detyrat dhe se janë gati për të hapur negociatat me BE-në.
Ai tha se negociata duhet të hapen para samitit të Zagrebit në maj. Ai nga ana tjetër tha se Maqedonia e Veriut duhet të implementojë reformat dhe duhet t’i aplikojë ato në sistem sa më shpejt të jetë e mundur për të bindur edhe më tej BE-në. Ai ndër të tjera tha se pas zgjedhjeve shpreson të dalë një mazhorancë e qartë për të qeverisur vendin dhe të bashkëpunojë ngushtë me BE-në për të çuar përpara reformat. Ai shtoi gjithashtu se BE-ja nuk ka ndërmend të ndërhyjë në politikat e brendshme të vendit dhe se do të bashkëpunojë me këdo forcë që do të vijë në pushtet pas 12 prillit.