Realpolitik “ flash” Nr. 44
15 PRILL – 02 MAJ 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 5 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
DR. Jorgji KOTE
1.Europa fitoi në Paris dhe Lubjanë më 24 Prill në zgjedhjet Presidenciale, ku Macron siguroi 59 për qind, ndërsa Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë 41 për qind. Siç kam shkruar te “ Fitoi Macron, Franca dhe Europa” për ARGUMENTUM, Macron është lideri më me përvojë në Europë, pas largimit të Merkel. Ai drejton të vetmen lëvizje moderuese të madhe dhe me peshë në Francë, ku ekstremi i majtë dhe i djathtë mbizotëron me 60 për qind. Brenda vendit, Le Pen rrezikonte unitetin, ndërsa në politikën e jashtme vetë ekzistencën dhe funksionimin e BE/NATO-s, të miliona emigrantëve dhe duke nxitur këto prirje të rrezikshme në Europë. Ja pse, bashkë me Macron, fitoi Franca dhe Europa mbarë; kjo e fundit u ndje e lehtësuar kudo, në Bruksel, Berlin, Romë, Londër dhe gjetkë.
Ndërkohë, në zgjedhjet e reja parlamentare në Slloveni, Kryeministri Janez Jansa humbi me 24 për qind kundrejt rivalit të partisë së sapokrijuar pro-europiane të Lirisë, Robert Golob me 34 për qind të votave. Ndonëse Slovenia është vend i vogël, kjo ishte fitore pikante e demokracisë; mbasi Jansa po shfaqte ide dhe praktika që bien ndesh me vlerat themelore të BE-së. Kësisoj, siç e thotë dhe një këngë e jona në fund vitet 80, më 24 prill Europa festoi “dy gëzime në një ditë”!
2.Pritej më shumë nga vizita e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Karen Donfried në Tiranë më 28/29 Prill. Sidomos se disa ditë më parë ishte publikuar Raporti Vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit; që, ndonëse krahas arritjeve, plot me rezerva dhe kritika, Rama e quajti “ copy and paste”!!!Nga fotot, buzëqeshjet, dhuratat dhe mungesa e një deklarimi për shtyp, takimi me Ramën u duk më tepër si “qokë” ndërsa takimi me Alibeaj të PD-së si “ngushëllim” pas disfatës më 6 Mars dhe dorëheqjes së Bashës. Ndërkohë, “shuplaka” për Berishën nuk dihet sa efekt do të ketë, mbasi ai dhe shumica e PD-së që e ndjek, vazhdon jo pa sukses sipas parimit “ pushka bam e Muçua tutje”
Nuk la mbresa të mira fakti që s’pati takim me median, shoqërinë civile dhe OJQ-të! Ok, ishte takimi i parë njohës në rajon. Gjithsesi, vizita të këtij niveli kërkojnë më shumë ngjyrë, temp dhe “ nerv”! Tani, me siguri që në takimin me Ramën ajo mund të ketë shprehur dhe vërejtje kritike, por nuk bëhen publike ose shprehen me eufemizma tipike amerikane midis rreshtave!
Ndërsa furçet” për Juri Kim se “jeni me fat që e keni ambasadore” nuk ishin dhe aq diplomatike, sepse lind pyetja: po vendet e tjera janë pa fat, dhe e dyta, ndoshta është më me fat Juri Kim si Ambasadore te ne? Duke kundërshtuar tepërimet ndaj kritikave të saj e sidomos Peticionin online, nuk mund të mohohet dhe një perceptim jo i vogël i pakëndshëm publik që e sheh Ambasadoren “ njësh “ me qeverinë. Ndryshe nga “ lumi” i komplimentave, Kim nuk dihet të ketë bërë asnjë koment kritik, se për vërejtje dhe qortime për qeverinë as që bëhet fjalë, edhe pse rastet nuk kanë munguar!
3. “Huq” me “Ballkanin e Hapur” bëri Kryeministri Rama pas takimit me Zonjën Donfried më 29 Prill në Tiranë. Ai pohoi se ajo i kishte dhënë “ mbështetje të fuqishme” Ballkanit të Hapur! Mirëpo, Komunikata e Shtypit e Departamentit amerikan dhe intervista e Donfried po atë ditë te Zëri i Amerikës nuk e pëmendin fare “Ballkani i Hapur.” Të njëjtin “ huq” Rama bëri dhe në Konferencën e Shtypit me Komisionerin e BE-së Varhelyi më 28 Prill. I fiksuar keq pas kësaj nisme gjysmake, Rama përsëriti vlerat e saj. Mirëpo, as Varhelyi nuk e përmendi fare këtë radhë, as në cilësinë e tij personale, siç bëri dhjetorin e kaluar. E natyrshme kjo, sepse Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian nuk e njohin dhe as nuk e zenë në gojë “Ballkanin e Hapur”, mbasi janë për Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perendimor.
4. “Shi në Sofje, Breshër” në Shkup! Themi kështu se ditët e fundit, Ministrja e Jashtme bullgare deklaroi se nuk do ta heqë veton, derisa Shkupi të përfshijë në Kushtetutë të drejtat e pakicave bullgare. Mirëpo, dhe sikur Shkupi zyrtar të bjerë dakord, gjë që ka fare pak gjasa, kjo kërkon disa muaj, duke e bërë të pamundur çeljen e negociatave në Qershor, madje as në Tetor. Ndërsa Ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani “ ra nga shiu në breshër” kur paralajmëroi se me Sofjen rrezikohet të kemi “ konflikt të ngrirë” që mund të zgjasë me vite. Kjo mbasi, sipas tij, Shkupi i ka bërë të gjitha lëshimet dhe nuk lëviz më nga “istikami”.
5. Ndarja, kjo “ hallvë e ftohtë”! Me të drejtë Kryeministri Rama ka pohuar kohët e fundit që nëse negociatat me BE-në nuk çelen në muajin Qershor, do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut. Mirëpo, kjo është” më e lehtë në të thënë se në të bënë”! Sepse vendimin përkatës e merr vetëm Këshilli i BE-së, dmth liderët e të 27 vendeve antare POR me konsensus. Por, hë për hë, ky konsensus është tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kështu, Rumania paralajmëroi e para se është kundër ndarjes disa ditë më parë.
Ka dhe vende të tjera, madje më të mëdha dhe me peshë, si Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, që janë vendosmërisht kundër ndarjes. Por dhe në vende të tjera, le ta themi troç, nuk është se ka ndonjë qejf të madh për çeljen e negociatave dhe në përgjithësi zgjerimin. Këtë e tregojnë dhe sondazhet më të fundit në këto vende. Ca më tepër që Shkupi, ku e ku para nesh me standarde, ka 17 vjet që pret, ndërsa ne vetëm 8 vjet. Kjo “ dilemë hamletiane” mund të zgjidhet pas kthjellimit të pozicionit të ri të BE-së në muajin Qershor lidhur me Europën që synohet të reformohet, me plot të panjohura. Ja pse çelja e negociatave, veç e veç, ndonëse e drejtë, rrezikohet të mbetet vetëm dëshirë e mirë për një afat të pacaktuar kohor, në vartësi të kompromisit midis Sofjes dhe Shkupit. Ca më tepër që tani, pas agresionit rus në Ukrainë, jo Ndarja, por Solidariteti dhe “Bashkë” janë logot mbizotëruese. Dhe ne tani për tani, duhet të ecim me këtë rrymë dhe frymë.
© 2022 Argumentum