Një bashkësi e partnerëve të barabartë, që vlerëson njerëzit dhe jo vetëm koncernet e mëdha: Këtë pamje mund të ketë globalizimi sipas modelit europian, shkruan analisti rumun Radu Magdin.
—
Europa është në zemrat e shumë europianëve – edhe pse shpesh ata e kanë humbur besimin tek ajo. Edhe gatishmëria e madhe pas zjarrit në katedralen Notre Dame është një tregues i kësaj. Sot kemi shansin të ngremë një “perandori” të re europiane për shekullin e 21-të, siç e formuloi ministri i Ekonomisë dhe Financave në Francë, Bruno Le Maire. Por fillimisht Europa duhet të rregullojë punët brenda saj. Asnjëherë BE nuk ia doli dot pas Brexitit që të arrinte atë që solli Notre Dame brenda një nate: të fitonte simpatinë e njerëzve, t’u jepte një ndjesi të përbashkësisë. Jo, populizmi dhe skepticizmi nuk janë problemet tona më të rëndësishme, por fiksimi tek rregullat burokratike dhe mungesa e vizioneve të atyre që janë atje lart. Një Europë me rregulla nuk është patjetër në kundërshtim me një Europë frymëzuese për njerëzit, por të dyja aspektet duhet të kenë të njëjtën peshë.
Europa është zmbrapsur me vetëdije
Për mometin është e paqartë, se cili është vizioni i Europës për veten dhe botën. Përsa i përket vullnetit: europianët kanë hequr dorë nga lidershipi, që kur e ndryshuan diskursin publik, politikën, arsimin dhe u distancuan nga nocione si “ushtri” apo “siguri”. Europa është zmbrapsur me vetëdije. Për ironi, Europa që ka kërkuar diversitet, kërkon të nivelojë ambicjet dhe aftësitë. Por të gjithë atyre që duan më shumë rol udhëheqës u duhet lejuar kjo. Për shembull do të kishte kuptim, që vendeve europianolindore dhe Francës t’i mundësohej të ishin liderë të Europës në politikën e sigurisë, ndërkohë që shtete të tjera të kujdeseshin për zhvillimet e brendshme në BE dhe konsolidimin e tyre.
Të ndalet nacionalizmi toksik
Këtë e bën një “smart power” – pushtet i mençur dhe do të ishte një investim shumë më i mirë se sa grindjet e brendshme dhe vajtimet për populizmin në rritje. Njerëzit do të fillonin ta donin sërish Europën, po ta dinin, se ata jo gjithmonë të njëjtën tortë do ta ndanin në copa gjithnjë e më të vogla. Në vend të kësaj duhet të punojnë të gjithë që kjo tortë të rritet më shumë.
Sfida është, që të kthehet shpirti inovator i perandorive të dikurshme duke hequr qafe njëherë e mirë në të njëjtën kohë çdo lloj nacionalizmi toksik. Aleanca për multilateralizmin që diskutohet nga Franca dhe Gjermania është një sinjal në drejtimin e duhur – nuk ka një shenjë më të mirë zgjimi europian se sa bashkimi me shtetet e tjera në një komunitet të atyre që ndajnë të njëjtat qëndrime. Konstrukti i sotëm i Europës është garanci për atë që ky union nuk kthehet më kurrë në fuqi agresive. Por në kontekstin e luftërave të forta për pushtet, pushteti është opcioni i vetëm, si e formuloi edhe gazetarja franceze, Sylvie Kaufmann.
Një dhuratë për botën
Ne duhet t’i forcojmë partneritetet me Australinë, Kanadanë, por edhe Meksikën, Indinë, Indonezinë dhe Japoninë si një investim besimi të këtyre shteteve në Europë. Këto vende kanë kaluar përvoja problematike kolonializmi dhe e mbështesin Europën në ambiciet e saj globale. Ato kanë një vizion, si mund të funksionojë një rrjet model global, për t’u treguar vendin gjigantëve me potencial agresiviteti – qoftë nga ana ekonomike, qoftë gjeografike. Çdo rajon ka “yjet” e vet, por edhe frikën hegjemoniale.
Ne duam të jemi një bashkësi partnerësh të njëjtë: Ja ku është, këto vende janë të gatshme të na shpërblejnë për gjënë e duhur që po bëjmë. A është dikush në Bruksel apo në kryeqytetet europiane që i hyn kësaj sfide? Sipas mendimit tim, dhurata më e madhe e Europës për botën është një globalizim me fizionomi europiane. Një globalizim, ku vlerësohen njësoj njerëzit dhe sipërmarret, ku nuk nivelohet pluraliteti i kulturave. Një globalizim i tillë nuk do të funksiononte sipas modelit, “one size fits all” – një masë për të gjithë. Ai do të kujdesej që inteligjenca artificiale dhe teknologjia t’i shërbenin një të ardhmeje, ku njerëzit janë të lirë, pa iu nënshtruar një kontrolli qendror. Ky do të ishte një revolucion i katërt industrial, por për njerëzit. DW
Radu Magdin është analist rumun. Ai ka qenë këshilltar i kryeministrit rumun në vitet 2010-2014 dhe kryeministrit moldav në vitet 2016-2017. Nga viti 2007-2012 ai ka punuar për Parlamentin Europian.