Të premten e kaluar mbylli mandatin e tij të tetë Parlamenti Evropian. I riu do të dalë nga zgjedhjet evropiane që do të zhvillohen në të 28 vendet antare të BE-së më 23 dhe 26 Maj dhe do të fillojë nga puna në korrik. Parlamenti Evropian është më i madhi në botë më 795 parlamentarë; këta të fundit quhen Eurodeputetë sepse janë të vetmit nga organizatat ndërkombëtare që duke filluar nga viti 1979 zgjidhet drejtpërsëdrejti nga popujt e vendeve antare. Kësisoj, ai përfaqëson tribunën parlamentare më të madhe në botë. Mendoj se për lexuesin është më realiste që në vend të shifrave dhe fakteve mbi numrin e madh rezolutave, raporteve, misioneve, komiteteve, arritjeve, etj të ndalemi në tiparet, dukuritë dhe problemet kryesore e tij kryesore; të cilat janë dhe sfida thelbësore për mandatin e tij të nëntë.
Për një gjykim të drejtë të performancës së Europarlamentit së pari do marrë në konsideratë se ai zhvilloi veprimtarinë e tij intensive kur Evropa dhe bota u trondit nga shumë ngjarje dhe zhvillime madhore serioze; ato kanë ndikuar ndjeshëm në kufizimin e arritjeve dhe sidomos jehonës së tij në Evropë e dhe në Ballkan. Kështu, në vjeshtë 2014 u intensifikua terrorizmi ndërkombëtar i nxitur kryesisht nga konfliktet dhe vatrat e dhunës në Irak, Libi, Siri, Afghanistan, Lindjen e Mesme; pak më vonë, ai shënoi kulmet e tij me aktet e rënda terroriste në Paris, Bruksel, Berlin, Mançester dhe gjetkë. Pasojë e drejtpërdrejtë tronditëse ishin valët e mëdha masive të azilit dhe migracionit në Itali, Greqi, Gjermani, Austri dhe kudo gjetkë me problemet dhe pasiguritë emblematike në vitet e mëvonshme.
Ndikim të veçantë negativ kanë patur ngjitja në skenë e forcave populiste dhe euroskeptike, duke filluar nga fitorja e Trump në SHBA me problemet e njohura sidomos ndaj multilaterizmit, e pasuar nga fitorja e Brexit në Qershor 2016 që i dha hov një vale të re euroskeptike, duke vënë në dyshim vetë projektin e BE-së. Pak më vonë erdhën fitoret e populistëve dhe ekstremit të djathtë në Itali, Austri, rritja e tyre në Gjermani, Suedi, Danimarkë, Finlandë dhe gjetkë. Ndërkohë, dhe në vendet ish-lindore, pararojë e shembjes së komunizmit dhe reformave demokratike, prej 15 vitesh antare të BE-së u përshkallzuan prirjet dhe veprimet anti-evropiane, me „ demokracinë iliberale“ si kundërvënie ndaj shtetit të së drejtës „zemra“ e projektit evropian me synim minimin e saj nga brenda. Për pasojë, janë dobësuar ndjeshëm partië tradicionale e të moderuara, të majta dhe të djathta, çka ndihet dhe në grupimet e tyre në Europarlament.
Po gjatë kësaj periudhe dolën në skenë me pretendime të hapura për hegjemoni botërore Kina dhe Rusia. Kjo e fundit me aneksimin e Krimesë dhe Ukrainës Lindore, ndërsa Kina me “mëndafshin“ e projektit të saj gjigand “Një rrugë, një brez“ dhe Huawei. Të gjitha këto zhvillime kanë zbehur ndjeshëm forcën dhe peshën reale të Europarlamentit, pavarësisht nga demarshet dhe disa arritje të pamohueshme të tij.
Si pasojë e zhvillimeve të mësipërme të shoqëruara me sfida të tjera madhore social-ekonomike, si skamja, varfëria, mjerimi, rritja e pabarazive social-ekonomike, racizmi, etj këto vitet e fundit po del gjithnjë e më shumë në pah roli i REALPOLITIKES, me qasje dhe qëndrime pragmatiste që anojnë më shumë nga mbrojtja e interesave gjepolitike kombëtare, ekonomike e të sigurisë se sa nga dimensioni etik dhe demokratik, dmth të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, liria e shtypit, respektimi i pakicave, etj. Pavarësisht deklaratave dhe sa thuhet në letra, praktikisht Stabiliteti ka dalë në pah mbi Demokracinë, aq më tepër që në shumë vende kjo e fundit ka rezultuar zhgënjyese.
Pasojë tjetër e zhvillimeve të lartpërmendura dhe e rënies së fuqisë tërheqëse të Europarlamentit është zgjerimi i hendekut midis qasjes dhe natyrës supranacionale dhe asaj ndërqeveritare të BE-së këto vitet e fundit. Më thjeshtë, dobësimi i rolit të Komisionit dhe Europarlamentit, si dy dorumet supracionale dhe forcimi i rolit të Këshillit, pra të vendeve antare në procesin vendimarrës si dimensioni “ndërqeveritar“. Kjo është dhe pasojë e veprimeve të forcave populiste dhe euroskeptike që po bëjnë çmos për t’i shpëtuar “sundimit të Euroburokracisë së Brukselit“; për pasojë, po kërkohet gjithnjë e më shumë shtimi i rolit dhe kompetentave të vendeve antare që pritet të konkretizohet në muajt e ardhshëm. Kjo do të prekë direkt dhe fushën e sigurisë dhe lëvizjen e lirë; vendimi i Parlamentit holandez për rivendosjen e rregjimit të vizave me vendin tonë është vetëm një nga shenjat/mesazhet e para shqetësuese në këtë drejtim.
Gjithashtu, gjatë këtij pesëvjeçari Europarlamentit i kanë munguar personalitete të fuqishme dhe rrezatuese. Këtu ka ndikimin e vet dhe fakti se në një masë të konsiderueshme, eurodeputetët zgjidhen nga liderët e forcave të tyre politike më tepër për konvejencë dhe komfort politik, si shpërblim ndëshkues për oponencën apo karakterin e tyre; aty gjen jo pak ish-presidentë, ish kryeministra, ish-ministra të jashtëm ose “farewell politicians“ pra “që i kanë dhënë lamtumirën politikës kombëtare“; ka të tjerë “mistrecë“ politikë që i bezdisin ose ua vështirësojnë jetën liderëve në vendet e tyre, ndaj i dërgojnë si “shpërblim“ në Bruksel, ku natyrisht ata shijojnë të gjitha “salltanetet“ e rastit, me paga e pensione të majme, bonuse për pushime e sëmundje, personal të bollshëm dhe privilegje të tjera. Për pasojë; ata praktikisht humbasin kontaktin dhe sensin e realitetit në vendet e tyre dhe fuqinë bidëse për ndikim politik, sidomos kur nuk janë të sigurt nëse do të rizgjidhen sërish. Ndaj ka jo pak eurodeputetë që kanë thyer rekorde me 30 vjet karrierë e që prapë duan të zgjidhen se “kanë gjetur rehat“ politik dhe jetësor.
Kjo dukuri shpjegon dhe dështimet spektakulare të tre viteve të fundit të disa eksponentëve kryesorë të Europarlamentit në zgjedhjet e vendeve të tyre, ku në vend që “t‘u venë vetullat, u nxjerrin sytë“ forcave të tyre politike. Shembulli më tipik është ai i ish-Presidentit të Parlamentit Evropian, social-demokrati Martin Schulz, me 30 vjet karrierë si eurodeputyet dhe pesë vitet e fundit deri më 2017 si Krye Europarlamentar. Në shkurt 2017, fill pas largimit nga ai post Schulz u zgjodh me 100 për qind të votave Kryetar i SPD-së gjermane që ishte në krizë dhe kandidat nër Kancelar. Por, rezultati i tij përballë Merkel dhe pse e dobësuar pas 12 vjet në krye të qeverisë gjermane ishte katastrofik me rezultatin më të ulët historik për SPD-në me 20 për qind! Vetë u detyra më vonë të tërhiqet nga çdo post i lartë dhe sot është deputet i thjeshtë në Bundestag! Fat dhe më të keq pati ish zëvendësja e tij austriake, Lunaçek, personalitete e njohur në fushën e të drejtave të njeriut dhe në zgjedhjet parlamentare në Austri për të Gjelbërit. Nuk siguroi dot as për vehte një vend në Parlamentin federal me vetëm 0,5 për qind të votave!
Ky dobësim i rolit të Europarlamentit e në përgjithësi i BE-së vërehet qartë dhe në Ballkanin Perendimor. Ndonëse në pikpamje të volumit Europarlamenti ka bërë goxha punë, ai ka dërguar në rajon raporterë, komitete dhe delegacione, ka dërguar shumë misione në terren, ka miratuar rezoluta, etj. Por fare pak është arritur në praktikë dhe kjo për pasojë të rënies së rolit të institucioneve të BE-së të ngarkuara për këtë qëllim. Roli i Europarlamentit ka qenë minimal për të mos thënë inekzistent lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Procesin e Berlinit, dialogun Serbi – Kosovë, etj.
Një shkak tjetër i efektivitetit të tij të ulët është se dhe në përbërjen/kryesinë e Delegacionit dhe raporterët për Ballkanin Perendimor mungojnë ekspertë dhe personalitete të fuqishme aktive, sidomos nga vende dhe parti nga vende e forca politike me peshë, siç ishte Doris Pack që e kryesoi atë delegacion për gati 20 vjet. Pavarësisht nga rezervat e ndryshme që mund të ketë, ajo përfaqësuese e CDU-së së fuqishme gjermane as që mund të krahasohet me kryetaren e sapolarguar e qw nuk konkuron më për Eurodeputete, rumunen gati të panjohur e padëgjuar Monika Macovei. Aq sa të dukej sikur e kishin vënë me detyrim në atë detyrë që nuk e kishte fare për zemër! Përjashtim bën e mirënjohura Tanja Fajon e cila dha ndihmesën e njohur për liberalizimin e vizave me vendin tonë dhe në përgjithësi për qëndrimet pozitive, bashkë me veteranët e vërtetë Elmar Broek dhe Eduard Kukan, Knut Fleckenstein e ndonjë tjetër.
Për pasojë, nëse më parë fjala dhe rezoluta e Europarlamentit ishte ligj dhe shkaktonte stuhi të vërteta kudo, sot nuk ndodh më një gjë e tillë as brenda BE-së dhe as me vendet tona. Dëshmia më e qartë është fakti se pavarësisht nga vendimi i tij i përsëritur për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe çeljen e negociatave tona të antarësimit me BE-në, Këshilli dhe disa vende antare i kanë hedhur poshtë atë dyja këto propozime. Ndonëse nuk e urojmë, kjo histori rrezikon të përsëritet dhe në Qershor të këtij viti me shtyrjen e çejes së negociatave.
Fakt tjetër i trishtë në këtë fushë është mosvënia asnjëherë përpara përgjegjësisë nga Europarlamentit e drejtuesve më të lartë të Komisionit dhe Shërbimit të Jashtëm Evropian dhe më konkretisht të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Zonjës Mogherini, për njëanshmërinë e treguar në favor të Serbisë, për indiferencën e pashpjegueshme lidhur me lobimin agresiv kundër njohjes së Kosovës dhe së fundi lejimin e hapjes së “Kutisë së Pandorës“ Ballkanike me tezën e këmbimit/ndryshimit të kufijve! Disa vite më parë paraardhësit e saj nuk do të guxonin të bënin një gjë të tillë pa konsensusin e BE-së! Derisa detyrohet Merkel dhe Macron ta marrin në dorë vetë çështjen më 29 Prill në takimin me liderët e Ballkanit Perendimor në Berlin!
Këtë rol të vakët të Europarlamentit dhe ndaj “të vetëve“ e kemi parë dhe në qëndrimet ndaj vendeve dhe rajoneve të tjera. Par pasojë, jo vetëm vendet antare të BE-së, por dhe ato të Ballkanit duket se janë mësuar me këto qasje dhe “ia kanë pirë lëngun“ pa u shqetësuar shumë. Edhe në krizën politike në vendin tonë më 2017, po të mos ishte ndërhyrja e palës amerikane nuk do të kishte marrëveshje, siç bëri Europarlamenti 8 vite më parë me kompromisin e famshëm te „ Krokodili“ në Strasburg“.
Ndaj, pritet me shumë interes dhe rëndësi zgjedhja e eurodeputetëve të rinj dhe e forumeve drejtuese, duke filluar nga kryesia e tij, komisionet, sidomos ai i jashtëm, delegacionet, e sidomos ai për Ballkanin Perendimor, si dhe drejtuesit më të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së, ku pesha e Europarlamentit duhet e do të jetë shumë më e madhe, që ky proces të mos kthehet në “një Pazar“ apo “tender“ politik, siç ka ndodhur më parë. Vetëm kështu do të kemi një peisazh të ri cilësor politik europarlamentar më shpresëdhënës dhe me ndikim shumë më pozitiv. Aq më tepër kur 1/3 e eurodeputetëve të kaluar nuk do të jenë më, duke përfshirë dhe disa nga eurodeputetët dashamirës të rajonit dhe vendit tonë, si Kukan, Broek, etj. Ndërsa atyre të ardhur rrishtazi do t’u duhet kohë për t’u familjarizuar e sidomos për t‘u mësuar me “hilet“ tona. E rëndësishme është që ata të bëhen nismëtarë të qasjeve/mënyrave të reja e të ndryshme të trajtimit të problematikës së nxehtë të rajonit tonë, për një ndikim realisht më të madh në procese të tilla madhore si dialogu Serbi – Kosovë, procesi i zgjerimit të BE-së, etj.
Për ta mbyllur me pozitivitet realist këtë analizë, le të evidentojmë faktin se lidhur me Brexit, si gjithë BE-ja dhe Parlamenti Evropian, ky i fundit me kryenegociator për atë proces një lider dhe ekspert të sprovuar si Guy Verhofstadt, ish Kryeministri karizmatik belg treguan unitet dhe kohezion unikal surprizues. Kësisoj, dështimi i Brexit ishte një shuplakë e fortë elektorale dhe politike për forcat populiste dhe euroskeptike në prag të 23/26 Majit. Sepse jo vetëm nuk ka patur kërkesa të tjera për të dalë nga Evropa, por dhe vetë Britania e Madhe nuk po e gjen dot rrugën e daljes prej saj, çka i ka demotivuar ndjeshëm “exitët“ kudo. Sepse perceptimi i përgjithshëm për BE-në është se ok, dhe aty ka disa kohë që bën “bën ftohtë“ por gjithsesi jashtë saj “mërdhif“ më shumë!
Eskluzivisht për « Argumentum.al »
Shënim: Autori është diplomat i njohur karriere; veç të tjerash, më 1997 – 2001 dhe 2011 – 2017 ka qenë Nr.2 i Ambasadës sonë në Belgjikë dhe në Misionin pranë BE-së në Bruksel, ku ka mbuluar me përparësi marrëdhëniet me Parlamentin Evropian.