Derisa pandemia e koronavirusit po ndikon me shpejtësi te njerëzit që gjithnjë e më pak të përdorin para të gatshme, por edhe qeveritë me nervozizëm po vëzhgojnë rritjen e kriptovalutave, siç është Bitcoin ose Libra e paralajmëruar nga Facebook-u, edhe bankat qendrore në të gjithë botën po zhvillojnë versione virtuale të parave të tyre.
Në mesin e tyre është edhe Banka Qendrore Evropiane, e cila këtë javë filloi një debat publik mbi euron digjitale, e cila, sipas supozimeve fillestare, mund të jetë në qarkullim pas disa vjetësh, shkruajnë mediat botërore.
Në hap me botën digjitale
Banka Qendrore Evropiane (BQE) në gjashtë muajt e ardhshëm do të kryejë eksperimente mbi monedhën e mundshme, duke shqyrtuar interesin publik, por edhe rreziqet e mundshme, në mënyrë që të vendosë në mes të vitit 2021 nëse do të lansojë euron digjitale. Sidoqoftë, duke marrë parasysh që Libra e Facebook-ut do të lëshohet në përdorim këtë vit, vështirë që bankat qendrore do ta vëzhgojnë atë me qetësi, thekson portali Politico.
Duke qenë në hap me botën digjitale të shekullit 21, institucioni kryesor monetar i Bashkimit Evropian, me seli në Frankfurt, publikoi një pyetësor në fillim të kësaj jave, për të vlerësuar interesin e publikut për një formë të re pagese, thekson portali, duke shtuar se me zvogëlimin e përdorimit të parave të gatshme, shumë banka qendrore në botë po zhvillojnë versione virtuale të monedhave të tyre, që do të ishin të sigurta dhe tërheqëse për qytetarët e tyre.
Euro digjitale, shton Politico, mund të mos duket shumë ndryshe nga shfletimi i një llogarie bankare përmes telefonit me ndihmën e një aplikacioni. Por, në teori, procesi i pagesës do të ishte i ndryshëm dhe mund të shpejtonte transaksionet me një kosto më të ulët. Banka Qendrore Evropiane mund të krijojë bazën e saj, duke gjurmuar automatikisht pronarin e secilit cent digjital. Ose mund të vendosë rregulla për monitorimin e decentralizuar të transaksioneve digjitale, si në rastin e Bitcoin, ku çdo transaksion regjistrohet përmes teknologjisë Blockchain.
Sidoqoftë, portali i Brukselit thekson se përpara se euro digjitale të bëhet e disponueshme për publikun, nevojiten disa masa mbrojtëse, në mënyrë që sistemet bankare dhe ekonomia të mos rrezikohen. Ndërsa kursimtarët ka të ngjarë të përfitojnë më shumë nga mbajtja e eurove digjitale sesa depozitimi i parave të gatshme në bankat për çka paguajnë tarifa, bankat përfundimisht do të kërkojnë më shumë pagesa për kredi në mungesë të depozitave, të cilat mund të ngadalësojnë zhvillimin ekonomik. Prandaj, BQE po shqyrton ide që përfshijnë kufizimin e eurove digjitale që çdokush mund të ketë ose pagesa shtesë për kërkesat për sasi më të mëdha.
Një nga arsyet pse Banka Qendrore Evropiane pikërisht tani ka vendosur të zhvillojë euron digjitale është zbutja e rreziqeve të cilat krijohen nga monedhat virtuale të zhvilluara nga industria e teknologjisë, kryesisht Libra, e cila do të bëhej lehtësisht e qasshme për 2.7 miliardë përdorues të Facebook-ut, gjë që do të rrezikonte euron. Në anën tjetër, financat e qytetarëve janë bërë të ndjeshme, veçanërisht për shkak të kompanive të huaja, që mbledhin të dhëna për zakonet e shpenzimeve të përdoruesve të tyre.
Përpjekjet e bankave të tjera qendrore
Sipas Agjencisë France-Presse (AFP), Banka Qendrore Evropiane është duke testuar një version elektronik të kartëmonedhave dhe monedhave të euros, të cilat do të ishin monedha në 19 shtete te BE-së. Burimet pranë projektit thonë se do të duhen “midis 18 muajve dhe tre ose katër vjetëve që iniciativa të jetësohet”.
Ashtu si bankat e tjera qendrore në të gjithë botën, BQE nuk dëshiron të mbetet prapa me paratë virtuale të lëshuara nga kompanitë të huaja si Bitcoin dhe Libra e re e Facebook-ut. Plani i Facebook-ut për ta krijuar Libra-n “ka përshpejtuar të menduarit e bankave qendrore mbi këtë temë”, tha për AFP, ekonomisti Frederic Ducrozet nga organizata Pictet (Pictet Wealth Managment), e cila është me bazë në Gjenevë dhe që përcjellë menaxhimin e pasurisë.
Monedhat digjitale private janë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, thekson AFP, duke shtuar se çmimi i Bitcoin-it pothuajse është përgjysmuar nga nivelet më të larta – rreth 17,030 euro – që ishin regjistruar më 2017. Lidhur me këtë, bankat në vitet e fundit kanë filluar të kërkojnë që të kenë monedhën e tyre virtuale, nën emrin “Monedha digjitale e Bankës Qendrore” – si një alternativë e qëndrueshme dhe pa rrezik.
Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare (BIS), një rrjet i bankave qendrore, njoftoi në janar lidhur me krijimin e një grupi pune kushtuar kësaj çështjeje. Banka e Kinës filloi testimin e monedhës së saj digjitale në katër qytete në prill të këtij viti, ndërsa Banka e Francës gjithashtu filloi eksperimentet. Banka e Japonisë njoftoi në fillim të tetorit se do të intensifikojë kërkimet mbi këtë temë.
Gjithashtu, shton agjencia, pandemia COVID-19 ka rritur pagesat elektronike pasi klientët kanë më shumë të ngjarë të shmangin përdorimin e parave të gatshme nga frika e infektimit me koronavirus. Kërkimet e fundit nga Euromonitor International kanë treguar se edhe në Gjermani konsumatorët paguanin më shumë me kartela bankare sesa me para të gatshme dhe kjo ndodhi për herë të parë këtë vit.
Euro digjital, deri në fund të vitit 2025?
Meqenëse asnjë bankë qendrore nuk do të dëshironte që qytetarët e saj të zgjedhin të përdorin në masë monedhat alternative, për Bankën Qendrore Evropiane nuk është pyetja nëse a do të prezantojë, por kur do të fusë në përdorim euron digjitale, shkruan The Financial Times.
BQE këmbëngul se euro digjitale nuk do të zëvendësojë paratë e gatshme, por do të bashkëjetojë me to.
Rregullimi ligjor i Libra-s së Facebook-ut
Drejtuesit financiarë të shtatë ekonomive më të mëdha në botë kanë kundërshtuar nisjen e Libra-s së Facebook-ut, derisa përdorimi i saj të rregullohet siç duhet, shkroi agjencia Reuters, duke iu referuar një draft-deklarate së grupit të G7-ës.
Drafti, i përgatitur për një takim të ministrave të Financave dhe bankave qendrore të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Japonisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë më 13 tetor, thotë se pagesat digjitale mund të përmirësojnë qasjen e shërbimeve financiare, të ulin jo-efikasitetin dhe kostot.
Sidoqoftë, shërbime të tilla të pagesës duhet të mbikëqyren dhe të rregullohen në mënyrë adekuate, në mënyrë që të mos dëmtojnë stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorit, privatësinë, taksat ose sigurinë kibernetike. Reuters kujton se Bordi i Stabilitetit Financiar G20 (FSB), në prill bëri dhjetë rekomandime për një qasje të përbashkët ndërkombëtare për rregullimin e monedhave digjitale, frymëzuar nga ideja e Facebook-ut për të iniciuar Libra-n.
Duke vënë në dukje se Banka Qendrore Evropiane në tetor paralajmëroi përgatitjet për lëshimin e monedhës së saj virtuale, e cila do të ishte plotësim për kartëmonedhat, Reuters raporton se shefja e BQE-së, Christine Lagarde tha në fillim të kësaj jave se banka ishte “shumë serioze” në lidhje me krijimin e një euroje digjitale./Rel