Për Serbinë dhe Hungarinë, vaksina ruse kundër koronavirusit “Sputnik-V” ishte si një dhuratë nga Zoti, duke u mundësuar të dy vendeve që të përshpejtojnë procesin e vaksinimit. Austria njoftoi në mesjavë se është në negociata për blerjen e një milion dozave.
Gjermania dhe Franca janë gjtihashtu të etura për vaksina dhe po negociojnë për të blerë prodhimin rus. Nga mesi i javës, Berlini i kërkoi Komisionit Evropian blerjen e vaksinave Sputnik. Pastaj, zyrtarët gjermanë thonë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të vendosin vetë nëse duan të blejnë ose jo vaksinën ruse nga Brukseli.
Por, megjithë ritmin e ngadaltë të vaksinimeve dhe mungesës së dozave, disa qeveri evropiane hezistojnë të porosisin vaksinën ruse, duke vlerësuar se përdorimi i vaksinës Sputnik-V është më shumë çështje gjeopolitike sesa çështje e shëndetit publik, me frikën se pas diplomacisë së Kremlinit për vaksinën ka motive të fshehta.
Diplomacia e vaksinës po del të jetë po aq përçarëse sa nacionalizmi i vaksinave – veçanërisht kur bëhet fjalë për atë Sputnik.
Motivet e fshehta?
Kryeministrja e Lituanisë e cilësoi vaksinën si “një armë tjetër hibride” e përdorur nga Kremlini për të “përçarë dhe sunduar” Evropën. Indrida Simonyte thotë se arsyet altruiste nuk janë ato që motivojnë shitjet e vaksinës Sputnik. Muajin e shkuar ajo paralajmëroi se “Sputnik vjen e paketuar me shumë propagande dhe ambicje të hapura për ndarjen e vendeve të BE-së dhe partnerëve të tyre në jug dhe në lindje”.
Në mesjavë, Lituania njoftoi se nuk do të pranojë çertifikatat e udhëtimit nga turistët dhe vizitorët për arsye biznesi, që janë vaksinuar me Sputnik-V, të paktën derisa enti rregullator i barnave të Bashkimit Evropian ta autorizojë vaksinën ruse. Nëse autorizimi jepet, autoritetet e Lituanisë duken të gatshme të respektojnë vendimet e BE-së, megjithë hezitimet që kanë.
Sputnik ishte vaksina e parë e regjistruar kundër koronavirusit, megjithëse miratimi i saj u bë vetëm nga Rusia dhe jo nga ndonjë entndërkombëtar i rregullimit të barnave.
E financuar nga shteti dhe e zhvilluar nga Instituti për Kërkime Gamaleya në Moskë, miratimi i shpejtë në gusht të vitit të kaluar, i vaksinës Sputnik, që mban emrin e një sateliti të paranjë gjysmë shekulli, u pritur me shumë skepticizëm nga komuniteti i gjerë shkencor ndërkombëtar.
Ekspertët shprehin mospajtimin e tyre me autoritetet ruse për miratimin e shpërndarjes së vaksinës para përfundimit të vlerësimeve, duke sugjeruar se shpejtësia e miratimit ishte bërë me qëllim, që të nxirreshin në pah aftësitë shkencore ruse.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin mori dozën e parë këtë javë – nëntë muaj pas miratimit të vaksinës, gjë që nxiti zërat e kritikëve se ai shtyu vaksinimin e tij për të qenë i sigurt se vaksina nuk përbën rrezik.
Dyshimet në lidhje me efikasistetin e vaksinës janë shpërndarë kryesisht në komunitetin shkencor perëndimor, pas një studimi të fundit të botuar nga revista mjekësore britanike “The Lancet”, e cila sugjeron se vaksina ka 91.6 % efikasitet kundër COVID-19.
Skepticizmi
Sidoqoftë, zyrtarët lituanezë dhe rusë shkëmbyen akuza e kundërakuza për diplomacinë e Kremlinit për vaksinën Sputnik. Polonia dhe Ukraina nuk janë të gatshëm t’i drejtohen Rusisë për vaksinën. Zyrtarët në Kiev dhe Varshavë gjithashtu besojnë se ka motive gjeopolitike nga Kremlini, veçanërisht në atë që ata e quajnë fushatë keqinformuese ruse për të hedhur dyshime mbi vaksinat perëndimore.
Ministri i Shëndetësisë në Ukrainë, Maxim Stepanov, tha në parlament këtë muaj se nuk ka shanse që Sputnik të miratohet për përdorim në vendin e tij. “Në asnjë rrethanë, vaksina ruse Sputnik-V nuk do të miratohet në Ukrainë. Nuk ka argument që më bind ta bëj këtë”, tha ai.
Kundërshtimet e qeverisë ukrainase ndaj Sputnik janë të dyfishta. Së pari, ajo thotë se nuk është e bindur se vaksina është efikase dhe e sigurt. Së fundmi, Presidenti Vladimir Zelenskiy tha se nuk do të eksperimentojë me qytetarët e tij.
Por zyrtarët ukrainas ishin më të zëshëm tek rreziqet gjeopolitike, duke thënë se ata e dinë qëllimin e diplomacisë së vaksinës Sputnik në Evropë – të provokojë përçarje. Ihor Zhovkva, këshilltari për politikën e jashtme i Presidentit Zelenskiy, tha së fundmi se diplomacia Sputnik është një tjetër armë në luftën hibride të Kremlinit kundër Ukrainës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo është pjesë e propagandës, pjesë e luftës hibride, për shpërndarjen e kësaj vaksine të pakontrolluar, që të thuhet se Rusia është gjithnjë e gatshme të shtrijë krahun e saj për të ndihmuar botën, ndërsa qëllimi i tyre është i kundërt”, tha ai para gazetarëve gjatë një vizite në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnus.
Mbrojtja e vaksinës Sputnik
Zyrtarët rus reaguan ashpër ndaj akuzave për diplomaci përmes koronavirusit, duke hedhur poshtë dyshimet rreth vaksinës ose motiveve të marketingut dhe shitjes së vaksinës Sputnik. Ata thonë se përkundër një vale keqinformimi rreth efikasitetit të vaksinës së tyre, Sputnik është e njohur ndërkombëtarisht.
Javën që shkoi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha gazetarëve në Moskë se “kërkesa jashtë vendit për vaksinën ruse është mjaft e lartë. Çdo ditë, ose marrim aplikime për furnizim, ose konfirmim të miratimit të vaksinës. Pesëdhjetë e shtatë vende e kanë miratuar vaksinën me marrëveshje dypalëshe ndërsa 21 e kanë blerë vaksinën dhe janë të gatshme të fillojnë prodhimin e vaksinës në vendin e tyre”.
Zonja Zakharova shtoi se Moska pret që BE së shpejti të përfundojë procedurën e miratimit të vaksinës Sputnik-V. Analistët thonë se Brukseli duket se po zvarrit procesin nga frika e polemikave politike.
Agjencia Evropiane e Barnave, EMA, mori grupin e parë të të dhënave që kishte kërkuar për vaksinën Sputnik në fillim të muajit. Shefi i entit rregullator, Emer Cooke, tha të martën se ekspertët e tij po përgatiten për inspektimin e impianteve rus që prodhojnë vaksinën, por agjencia nuk dha detaje për kohën kur pritet të bëhet autorizimi i asj. Zyrtarët e Komisionit Evropian thonë se nuk janë në bisedime me krijuesit e vaksinës Sputnik për blerjen e saj.
Ndarjet
BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë prodhues perëndimor të vaksinave dhe ka filluar bisedimet me dy të tjerë. Kyretarja e Komisionit Evropia, Ursula von der Leyen, vuri në pikëpyetje arsyet se përse Rusia po eksporton miliona doza të vaksinës, ndërsa brenda vendit të vet procesi i vaksinimit po ecën ngadalë. Për frymë popullsie, Rusia ka vaksinuar më pak njerëz sesa Bashkimi Evropian.
“Në përgjithësi më duhet të them se vazhdojmë të hamendësojmë përse Rusia po ofron miliona e miliona doza, ndërsa nuk po bën përparim të mjaftueshme ppër vaksinimin e njerëzve të vet. Kjo është një pyetje që mendoj se kërkon përgjigje”, tha ajo muajin e kaluar.
Procesi i ngadaltë i miratimit të vaksinës Sputnik nga Agjencia Evropiane e Barnave, zemëroi kancelarin austriak Sebastian Kurz, i cili javën që shkoi pati përplasje me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, ku ai u ankua për mënyrën e shpërndarjes së vaksinave në bllok, ku sipas tij po favorizohen shtetet e mëdha perëndimore.
Të martën, zoti Kurtz hodhi poshtë argumentet politike kundër blerjes së vaksinës Sputnik, duke thënë se “nuk duhet të ketë konsiderata gjeopolitike kur bëhet fjalë për vaksinat. E vetmja gjë që ka rëndësi është efikasiteti dhe siguria e vaksinës, jo nga vjen ajo”.
Të njëjtin pozicion mbajti edhe Kryeministri në largim i Sllovakisë, Igor Matoviç, kur urdhëroi fillimin e shpërndarjes së vaksinës ruse muajin e kaluar, mes kundërshtimesh nga partnerët e koalicionit në qeverinë e tij. Zoti Matoviç dha dorëheqjen javën e kaluar, në një përpjekje për të tejkalaur krizën njëmujore të shkaktuar nga vendimi i tij për blerjen e vaksinës Sputnik V.
Ndërsa udhëheqësit evropianë janë të ndarë lidhur me përdorimin ose jo të vaksinës ruse Sputnik, ekziston një nivel i lartë skepticizmi mes banorëve evropianë lidhur me Rusinë. Në një sondazh të fundit të Institutit Ndërkombëtar Republikan, një OJQ me bazë në ShBA, vetëm 15 për qind e të anketuarve mendojnë se Rusia është e dobishme në luftën kundër koronavirusit në vendin e tyre.
“Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar imazh pozitiv tek audienca evropiane, Rusia doli shumë dobët”, thuhet në raport.
“Për çudi, nivelet më të larta të skepticizmit vijnë nga fqinjët Baltikë të Rusisë – shumicë e të anketuarve në Suedi (73%), dhe Poloni (73%) e vlerësuan Rusinë si jo të dobishme”./voa