Genc Mlloja
Vizita e Këshilltarit të Shtetit dhe Ministër i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi në Tiranë më 29 tetor 2021 dhe bisedimet me udhëheqësit më të lartë shqiptarë përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës në dekadën e fundit, por edhe një zhvillim i mirëpritur në rrugën e duhur të politikës shqiptare për zgjerimin e diversifikimin e bashkëpunimit me vendet e tjera në interes reciprok.
Vizita e Ministrit Wang Yi në Tiranë ishte e para e një kryediplomati kinez që prej vitit 2011, dhe ishte pjesë e një turneu rajonal që nisi nga Greqia me etapën e dytë Serbinë. Pas Shqipërisë Wang udhëtoi në Romë ku veç vizitës zyrtare ai do të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të G20 që do të mbahet më 30-31 tetor.
Nga sa ka qenë e mundur të mësohet prej burimeve zyrtare lidhur me bisedimet dhe takimet e shefit të diplomacisë kineze Wang Yi me autoritete të niveleve të ndryshme në Tiranë, përfshi presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, e ministren për Evropën e punët e jashtme Olta Xhaçka, është shprehur një gatishmëri më e madhe nga ana e palës shqiptare për të çuar më tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha aspektet, gjë që është mirëpritur nga pala kineze.
Duke e parë me realizëm tabllonë e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në etapa të ndryshme, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike fill pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, askush nuk mund të mohojë ndjenjat miqësore të popullit kinez për atë shqiptar dhe anasjelltas. Shprehje e tyre kanë qenë ndihmat kineze për ngritjen e veprave të rëndësishme industriale (rreth 400 syresh në fusha të ndryshme) në vitet 1960-1970, dhe ndër to qëndron lart si lapidar kaskada mbi lumin Drin, që akoma është burimi kryesor i energjisë hidrike i Shqipërisë. Ato janë vepra solide, nuk janë fjalë që i merr era, prandaj shqiptarët, përfshi edhe brezin e ri, janë të familjarizuar me këtë fakt- të një Kine miqësore.
Por ndihmat që i erdhën Shqipërisë nga Kina e largët në fillimet e pandemisë pas marsit 2020 janë një vlerë e shtuar e solidaritetit dhe miqësisë tradicionale të popullit kinez për atë shqiptar. U desh të gjeheshin rrugët më të shpejta për ti sjellë ato, por më të lehtë në përfitimin e këtyre ndihmave e kanë patur ata vende ku tashmë janë vendosur linjat hekurudhore të trenave të mallrave të ngritura në kuadër të së mirënjohurës ‘Rrugë e Mëndafshit’.
Dhe një vështrim paraprak i përmbajtjes së deklaruar të bisedimeve të 29 tetorit 2021 në Tiranë nxjerr në pah disa elementë kyç ndër të cilët spikat vlerësimi që Presidenti Meta i bëri miqësisë tradicionale dhe marrëdhënieve të Shqipërisë e Kinës dhe popujve të tyre, si dhe dëshira për t’i forcuar edhe më tej ato në të ardhmen.
Vend përparësor në të gjitha takimet kishte zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim.
Konkretisht lidhur me takimin e Ministrit të Jashtëm Wang Yi me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, një njoftim zyrtar vinte në dukje se në kuadër të nismës së përbashkët “Një Brez, Një Rrugë”, Shqipëria ka nënshkruar me Kinën një memorandum që synon promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime në kuadrin e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës.
Kurse në bisedimet zyrtare të kryediplomates shqiptare Xhaçka me homologun e saj kinez Wang Yi u shkëmbyen në hollësi mendime mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe ku u theksua vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike. Bisedimet u përqendruan tek bashkëpunimi dypalësh dhe mundësitë për zhvillimin e tij të mëtejshëm në fushat me interes të ndërsjellët, me fokus bashkëpunimin ekonomik e kulturor, luftën kundër pandemisë dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore e njohur si CEEC.
Njoftimi i ministrisë së jashtme bënte të ditur se ndërkohë të dy ministrat mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë, që duan të vizitojnë Kinën, për të cilën Ministri Yi vlerësoi se vendi i tij do të respektojë parimin e reciprocitetit. Është e tepërt të thuhet por një heqje reciproke e vizave do të ishte një kontribut i vyer për shkëmbimet njerëzore por edhe do të lehtësonte zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Ndërkohë koincidencë por koincidencë shumë domethënëse historike ishte fakti që shefi i diplomacisë kineze vizitoi Tiranën kur Kina përkujton 50-vjetorin e rivendosjes së të drejtës së saj të ligjshme për të zënë vendin e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që mbahej peng nga kundërshtimi amerikan dhe i disa vendeve të tjera perëndimore aleate të Uashingtonit.
Kështu Wang Yi nënvizoi në të gjitha takimet që pati në Tiranë kontributin e veçantë të Shqipërisë dhe përcolli falënderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez për rolin qe ka luajtur Shqipëria në këtë drejtim.
Dhe është rasti të përkujtohet ky fakt historik se diplomacia shqiptare nëpërmjet disa prej figurave më të shquara të saj luajtën një rol të rëndësishëm në të gjithë procesin e miratimit të rezolutës përkatëse në favor të Kinës çka beri të mundur që asaj ti rikthehej anëtarësia e mohuar në Kombet e Bashkuara, të zinte vendin e vet si një prej 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si dhe në të gjitha strukturat e mekanizmat e tjerë të sistemit të OKB-së. Pekini zyrtar e ka vlerësuar gjithnjë e në çdo kohë të nivelit të marrëdhënieve dypalëshe këtë kontribut të Shqipërisë dhe ka parë në atë veprim realitetin e lidhjeve të qëndrueshme tradicionale miqësore midis dy vendeve dhe popujve.
Tani që Shqipëria është bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 për herë të parë në historinë e saj të anëtarësisë në këtë organizatë pan- botërore janë mundësitë për bashkëpunim konstruktiv për çështje të ndryshme që do të trajtojë ky Këshill përkundrejt zhvillimeve të vrullshme ndërkombëtare shumë prej të cilave serioze e kërcënuese për paqen, stabilitetin e zhvillimin e qëndrueshëm në botë.
Në këtë kuadër një vend të veçantë zuri në bisedimet zyrtare Xhaçka-Wang shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit ndërsa mandati i Shqipërisë fillon më 1 janar 2022. Prandaj të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi.
Ky aspekt u theksua edhe nga Presidenti Meta, i cili evidentoi rëndësinë e rolit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB.
Lidhur me aspekte të politikës së jashtme domethënëse është deklarata e shefes së diplomacisë shqiptare Xhaçka, e cituar nga njoftimi zyrtar i ministrisë, e cila shprehu vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore të Kinës për të gjithë ato çështje ku ndahen qëndrime e interesa të përbashkëta.
“Shqipëria ndjek sot një politikë të jashtme të bazuar tek parime e vlera që frymëzohen nga eksperienca jonë historike. Ne kemi vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore të Kinës për të gjithë ato çështje ku ndajmë qëndrime e interesa të përbashkëta, duke njohur e vlerësuar rolin dhe peshën e Kinës në arenën globale”, citohej Xhaçka.
Në qoftë se në aspektin politik diferencat midis Shqipërisë dhe Kinës pas viteve 1990 nuk kanë qenë thelbësore dhe kanë ardhur duke u sfumuar gradualisht, marrëdhëniet ekonomike nuk kanë shkëlqyer por kanë patur një tendencë rritje. Për shembull, Kina ka qenë një prej partnerëve tregtarë kryesor të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Pavarësisht pasojave të pandemisë tregtia e dyanshme është rritur 36 përqind në gjysmën e parë të këtij viti. Për më tepër është vënë re një diversifikim i kategorive të produkteve të eksportit shqiptar drejt Kinës çka ka sjellë një farë balancimi të strukturës së tregtisë. Ndërkohë konstatohet një gatishmëri më e madhe e kompanive shqiptare për të marrë pjesë në panairet e shumta tregtare që organizon Kina në rajone të ndryshme të vendit. Shembull konkret ishte pjesëmarrja e Shqipërisë me pavijonin e saj në ekspozitën Kinë- CEEC në qershor të këtij viti dhe numri i ndërmarrjeve pjesëmarrëse ishte i konsiderueshëm. Mendimet janë se ka produkte që mund të zënë vend në strukturat tregtare kineze dhe të pëlqehen nga konsumatorët vendas.
Nga ana tjetër investimet e përgjithshme kineze në Shqipëri e kanë kaluar kuotën e 800 milionë dollarëve amerikanë dhe Kina është bërë vend kryesor i investimeve në Shqipëri. Ndërkohë bashkëpunimi turistik është bërë pika e re tërheqëse e bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve. Numri i turistëve kinezë në Shqipëri në vitin 2018 u rrit 60 % në krahasim me vitin 2017. Kurse hapja e Institutit “Konfuci” në Tiranë ka nxitur njohjen e ndërsjellë në mes të dy popujve. Edhe shkëmbimet ndërmjet pushteteve vendore të të dy vendeve kanë qenë të larmishme dhe shumë qytete e provinca të Kinës e Shqipërisë kanë krijuar marrëdhënie binjakëzimi. Këto kanë forcuar bazën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe aq më shumë kur qasja e Pekinit zyrtar është në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe promotore e forcimit të lidhjeve të Kinës me Evropën pjesë e të cilës është edhe Shqipëria.
Prandaj ‘tre mesazhet e Kinës për Evropën’ të shpallura në sfondin e turit të vizitave të këtyre ditëve të shefit të diplomacisë kineze Wang Yi, ndër të cilat përfshihej edhe Shqipëria, mbartin angazhime të qarta, konkrete dhe konstruktive të këtij vendi të madh ndaj popujve të Evropës në shërbim të paqes, stabilitetit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të gjithanshëm reciprok, të cilin ministrja e jashtme shqiptare e vlerësoi për ‘rolin dhe peshën e tij në arenën globale’. E konkretisht mesazhet janë si më poshtë: Së pari, Kina shpreson të punojë me Evropën për të çuar përpara frymën Olimpike ndërsa pishtari i Lojërave Olimpike të Dimrit Pekin 2022 pasi u ndez në Greqi ka arritur në Kinë disa ditë më parë. “Politizimi I sporteve shtrembëron qëllimin e Lojërave Olimpike dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë”. Së dyti, Kina shpreson të punojë me Evropën për të zgjeruar konektivitetin. “Ne jemi të gatshëm të thellojmë ndërlidhjen e iniciativës ‘Një Brez, Një Rrugë’ me strategjinë “Një Evropë e lidhur globalisht” të Bashkimit Evropian (BE), të rrisim nivelin e lidhjes Azi-BE, të stimulojmë potencialin e rritjes si të Kinës ashtu edhe të Evropës, dhe të nxisim rimëkëmbjen ekonomike globale”. Së treti, Kina shpreson të punojë me Evropën për të promovuar dialogun ndërmjet qytetërimeve. “Shkëmbimi i qytetërimeve midis Kinës dhe Evropës daton më shumë se 2000 vjet më parë dhe ajo që kemi grumbulluar me kalimin e kohës është pasuria jonë më e madhe. Qytetërimet e ndryshme duhet të respektojnë dhe vlerësojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që secili të respektojë kulturën e tij në fillim dhe më pas të punojë për prosperitetin e qytetërimit njerëzor. Në botën e sotme plot me faktorë të pasigurt dhe të paqëndrueshëm, Kina dhe Evropa, si përfaqësues të qytetërimeve lindore dhe perëndimore, duhet të forcojnë dialogun dhe komunikimin, të promovojnë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, të eliminojnë keqkuptimet dhe dyshimet dhe të konsolidojnë themelin politik të bazuar në parimin ‘Një Kinë’”.
Prandaj opinioni publik shqiptar ka ndjekur me vëmendje dhe interes vizitën dhe bisedimet me autoritetet shqiptare të ministrit të jashtëm të Kinës, të fuqisë së dytë më të madhe ekonomike në botë, Wang Yi. Duke qenë i ndërgjegjshëm se është propagandë e disa forcave perëndimore e tejkaluar në absurditet të pakuptimtë përhapja deri në përpjekje për imponim të paragjykimit rreth “rrezikut kinez ndaj Shqipërisë”, opinioni publik shqiptar pret me interes që përmbajtja konstruktive e bisedimeve shqiptaro-kineze në Tiranë në një nivel kaq të lartë më 29 tetor 2021 të hap një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe dhe fryma e mirëkuptimit reciprok e demonstruar në bisedime të mos mbetet në letër apo të ‘arkivohet’.
Përkundrazi shqiptarët presin që çka u bisedua dhe u ra dakord në Tiranë ti shërbejë realisht zgjerimit të bashkëpunimit shqiptaro-kinez në interes të ndërsjellë në të gjitha fushat dhe të shikojnë një pjesëmarrje më aktive të Shqipërisë në iniciativën ‘Një Brez, Një Rrugë’ dhe mekanizmin ’17 + 1’ rezultatet e të cilave janë mbresëlënëse në shumë vende fqinjë për të mos shkuar më larg nëpër kontinente të tjera. Shpresat dhe mundësitë janë që kjo vizitë e shumëpritur e shefit të diplomacisë kineze të çel perspektiva të reja bashkëpunimi e mirëkuptim më të madh në interes të secilit vend për ti shërbyer mbi të gjitha mirëqenies së popujve, veçanërisht në këto periudha të krizës së rëndë të përgjithshme botërore./CRI