Për herë të parë pas 10 vitesh në ekran, ish-Kryeministri Fatos Nano ka folur në emisionin Opinion në Tv Klan në një rrëfim ndryshe për jetën dhe karrierën.
Kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunizmit dhe Shqipëria është ende në tranzicion. Pikërisht këtë periudhë, Nano e krahason me periudhën e adoleshencës, dhe thotë se tashmë është momenti që Shqipëria ta kalojë këtë adoleshencë të kapitalizmit.
Blendi Fevziu: Kur e sheh nga distanca e sotme, si ju duket ky 30-vjeçar?
Fatos Nano: Po të flasim nga logjika e një brezi, ju studentët dhe ne pedagogët, besoj se mund ta quajmë se kemi kaluar periudhën e adoleshencës së kapitalizmit. Domethënë me gjithçka që karakterizon adoleshencën, me vrullet, me frenimet, me arritjet, me dështimet, me ëndrrat, me zhgënjimet, me rrëzimet, me ringritjet dhe jemi në prag të të sjellurit shpresoj si adult. Pra duhet përfundimisht të maturohemi, të stabilizojmë vetveten, shoqërinë, sistemin, institucionet dhe padyshim ekonominë.
Blendi Fevziu: Pra ju mendoni që ka ardhur momenti të dalim nga adoleshenca 30-vjeçare e kapitalizmit dhe të futemi në një rrjedhë normale apo jo?
Fatos Nano: Është ajo që të gjithë presin, që të marri fund ky tranzicion.
Blendi Fevziu: Megjithatë, shumë njerëz kur në jetën e tyre kthehen mbrapa dhe kujtojnë adoleshencën e kujtojnë gjithmonë me një ndjenjë gëzimi, ju duket gjithmonë e bukur pavarësisht se si mund të ketë qenë. A mendon që dhe kjo adoleshencë…
Fatos Nano: Po edhe sikur dikush të nxisë harresën, ku të lini ju studentët e ’90-s. Dhe ju jeni ata që keni kujtimet më të bukura, natyrisht dhe ne aq sa kemi kontribuuar, por kam frikë se ju keni dhe zhgënjimet më të mëdha gjithashtu.