Këtë vit qeveria do të financojë për projektet e Partneritetit Publik Privat rreth 13.9 miliardë lekë, sipas parashikimit në buxhet (shih tabelën), çka përbën 3.3% të të ardhurave faktike tatimore të 2018-s, nga 2.2% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm.
Në këtë mënyrë, teksa vrulli i koncesioneve nuk po ka të ndalur dhe faturat e PPP-ve po rriten me ritme më të larta sesa të ardhurat buxhetore, qeveria po i afrohet me shpejtësi kufirit të planifikuar me ligj prej maksimumi 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, që duhet të shkojnë për pagesat e koncesioneve (ligji u miratua tre vjet më parë).
Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Financave lajmëroi rritjen e taksave në të ardhmen për shkak të ngarkesës që do të krijojnë në buxhet kontratat koncensionare me Partneritet Publik Privat.
Në buxhetin faktik 2018 që Ministria e Financave ka bërë gati për parlamentin shprehet se, shuma totale e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5 përqind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore. Termi teknik korrektim në krahun e te ardhurave do të thotë rritje të taksave deri kur këto të jenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e programuara të PPP-ve.
Në vitin 2018, në buxhet u arkëtuan 419.3 miliardë lekë të ardhura tatimore, ose 4.8 miliardë lekë më pak sesa plani, çka bëri që të rritej përqindja e paguar për faturat koncesionare (nëse plani do të ishte realizuar, kjo peshë do të ishte 0.03 pikë përqindje më e ulët).
Ritmi i rritjes së të ardhurave është ngadalësuar vitet e fundit. Në 2018-n, të ardhurat tatimore u rritën me 5.2%, sipas buxhetit faktik, në një kohë që rritja ekonomike ishte më e larta e dekadës prej 4.3% dhe inflacioni rreth 2% (pra rritja reale ishte negative). Edhe për 5 mujorin 2019, ato u zgjeruan me 5.3%, si rrjedhojë e performancës së dobët të TVSH-së, një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi.
Në të kundërt, pagesat për koncesionet pritet të rriten mesatarisht 50% në vit, duke bërë që raporti i këtyre pagesave ndaj të ardhurave tatimore të shkojë në rritje të shpejtë.
Pagesat për koncesionet në 2018-n
Në buxhetin 2018 janë financuar 8.76 miliard lekë, për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP ose vetëm 2.2 përqind të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2017, prej 398.6 miliard lekë.
Vitin tjetër vlera e kontratave me PPP do të rritet sërish për shkak se qeveria ka miratuar tashmë në Komisonet e Ekonomisë dhe pritet të kalojë në Kuvend tre kontrata PPP me vlerë 370 milionë euro, teksa të tjera janë në proces, çka do të kërkojë pagesa më të mëdha çdo vit.
Teksa të ardhurat tatimore kanë ulur ritmet e rritjes dhe nga ana tjetër vlera e kontratave PPP po rritet me 50 për qind ne vit, shumë shpejt kufiri 5% i vendosur në buxhet nuk do të mund të realizohet, pasi pagesat e kontratave PPP në rrugë vijnë në rritje në vitin e tretë.
Për vitin 2018 numri i kontratave PPP në fuqi arriti në 11 nga të cilat 9 kontrata morën pagesa nga buxheti dhe dy nuk morën financime. Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2018, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat konçesionare/PPP, në total ishin rreth 8.85 miliardë lekë. Pagesat faktike për vitin 2018, në total rezultuan në rreth 8.76 miliardë lekë ose 99% e planit vjetor, sipas relacionit të buxhetit faktik.
Pagesat buxhetore ndaj kompanive që janë në kontrata partneriteti Publik-Privat me qeverinë nëpërmjet koncensioneve PPP do të dyfishohen deri më 2021, sipas parashikimeve të vetë qeverisë. Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2019-2021, pagesat për koncensionet do të rriten me shpejtësi gjashtë tre viteve në vijim për të arritur në mbi 18 miliardë lekë (140 mln euro) në vitin 2021, ose më shumë se dyfishi i shumës së paguar në 2018-n.
Paralajmërimet e FMN-së
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë vazhdimisht kritik ndaj faturave të larta të koncesioneve për shkak se ato rrezikojnë të rrisin borxhin e fshehur dhe të rrisin detyrimet potenciale të buxhetit. Në një raport të fundit për Shqipërinë, FMN theksonte se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje të detyrimeve potenciale, ndërkohë që kontratat janë të hartuara dobët dhe mund të pengojnë eficencën e investimeve publike.
“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31% e PBB-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15% të GDP-së”, thuhet në raport.
“Në kahun e brendshëm, borxhi publik është i lartë, ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale”, thuhet në raport.