Sot mbushen 138 vite nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, e cila kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare.
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot hapjen në Korçë të Mësonjëtores së Parë kombëtare Shqipe.
Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht: “Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.
Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë.
Që nga kjo ditë “Mësonjtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit kombëtar dhe dita e çeljes së shkollë si festë, duke bërë kështu që çdo 7 mars të nderohen kontribuuesit më të mëdhenj në edukimin e brezave.
/Argumentum.al