Në Maqedoninë e Veriut ka filluar të mërkurën Autoritetet dhe pjesëmarrësit në proces do të zbatojnë një sërë masash dhe protokollesh për t’u mbrojtur nga koronavirusi, që është bërë mjaft shqetësues duke marrë deri tash mbi 250 jetë njerëzish. Zgjedhjet mbahen më 15 korrik.
Megjithëse partitë politike kanë filluar në një mënyrë fushatën e tyre që para rreth një jave, të mërkurën ato zyrtarisht e hapin fushatën me takime të vogla pa shumë njerëz, apo përmes konferencave të shtypit, për shkak të rrethanave të koronavirusit. Maqedonia e Veriut më 15 korrik mban zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësia, por për herë të parë në rrethana të këtilla ku masat e protokollet dhe aspekti shëndetësor pritet të mbizotërojnë procesin.
Partitë që aktualisht përbëjnë koalicionin qeveritar, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë shënuar një ftohje raportesh, teksa ish-kryeministri Zoran Zaev është shprehur se “do të ishte mirë për vetë BDI-në dhe shtetin që kjo parti të kalojë në opozitë”. Kjo, pasi partia shqiptare ka dalur me një propozim për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ide kjo që ka hasur në kundërshtinë e politikanëve maqedonas dhe në skepticizmin e partive të tjera shqiptare, të cilat e quajnë këtë një paraqitje populiste të partisë së zotit Ali Ahmeti.
BDI-ja e bëri të ditur sot nga Prespa emrin e kandidatit të saj për kryeministër dhe ky është Naser Ziberi, ish-deputet e ish-ministër i Partisë për Prosperitet Demokratik dhe pjesëmarrës në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit para 19 vjetësh. BDI-ja në mandatin e fundit pati dhjetë deputetë në parlamentin prej 120 vendesh.
Dy partitë e tjera shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kësaj radhe dalin në koalicion dhe kjo sipas analistëve mund t’i sjellë përkrahjen edhe të një pjese të pakënaqur të elektoratit të partive të tjera shqiptare, eventualisht dhe të votuesve të pavendosur shqiptarë.
Lëvizja Besa shkon në koalicion me Lidhjen Social Demokrate, ndërsa Bilall Kasami do të jetë kryesues i listës zgjedhore në njërën prej gjashtë zonave zgjedhore. Partia Demokratike Shqiptare do të shkojë e vetme në zgjedhjet e 15 korrikut.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate shpreson të fitojë edhe vota të elektoratit shqiptar. Krahas koalicionit me Lëvizjen Besa ajo ka futur edhe disa kandidatë shqiptarë në listat e saj.
Partia konservatore VMRO-DPMNE, sipas disa sondazheve qëndron shumë afër Lidhjes Social Demokrate; VMRO-ja nuk e pranoi me dëshirë që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin në rrethana të pandemisë, por mundësia e zhytjes së vendit në një krizë më të thellë institucionale dhe politike për shkak se parlamenti është i shpërndarë dhe jofunksional, teksa qeveria teknike nuk ka të gjitha kompetencat, bëri që opozita maqedonase të hyjë në garë më 15 korrik.
Kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski theksoi pritshmëritë për zgjedhje të drejta dhe të ndershme:
“Zgjedhjet janë zgjidhje për daljen e suksesshme nga kriza shëndetësore dhe ekonomike duke zbatuar procesin zgjedhor me mbrojtjen maksimale të pjesëmarrësve në të”, tha zoti Spasovski.
Zyrtarë të misionit të ODIHR-it tashmë kanë arritur në Shkup dhe vëzhgues të tjerë pritet të arrijnë më pas.
Fushata pritet të zhvillohet më shumë nëpër mjetet e informimit dhe në rrjetet sociale dhe në këto të fundit nuk përjashtohet shtimi i gjuhës së urrjetjes.