REALPOLITIK FLASH NR. 71
16 – 30 QERSHOR 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh JORGJI KOTE
1.Filloi teatri veror rajonal! Po, më 15 – 16 Qershor në Strugë u mbajt Forumi i parë për këtë sezon i Ballkanit Perendimor me praninë e kryetarëve të shtetit/ qeverive të 6 vendeve, ekspertëve të rajonit dhe të ftuarve të tjerë. Ky ishte dhe sipari i teatrit veror ballkanik. Themi kështu sepse gjatë gjithë verës, si çdo vit, secili vend pa përjashtim, organizon forume të tilla; ato nisën 20 vite më parë, mirëpo dora dorës kanë ardhur duke e humbur rëndësinë e vet. Sepse tani të gjithë vendet e rajonit janë anëtare ose kandidate të NATO-s dhe BE-së, KiE-së, OSBE-së dhe në Procesin e Berlinit. ARGUMENTUM ka dhënë kronika të zgjeruara nga ai Samit, ndaj nuk ia vlen të përsëritim gjërat. Ca më tepër se tanimë, asgjë e re nuk vjen nga këto samite, vetëm fjalë të bukura, foto familjare, delikatesa ushqimore, atraksione turistike rajonale dhe një relaks aktiv për lidershipet e rajonit në këtë stinë vape. Ndaj ato mund t’i quash pa droje, teatër veror, asgjë më shumë.
2. Megasfida kineze dhe indiane për SHBA–të dhe Perëndimin sot është më e vëshirë se kurrë. Sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, mbështetjes që India dhe Kina i japin Rusisë dhe mosbashkimi me sanksionet nda j saj. Por dhe pranisë së tyre në grupimin madhor gjeopolitik BRICS; deri tani me 5 vende ( Brazil, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) por me 40 për qind të popullsisë dhe 31,5 për qind të GDP-së botërore nga 30 për qind të G 7 ! Më e keqja, mbas një muaji në Samitin e tij pritet t’i bashkohen dhe 21 shtete të tjera të mëdha si Indonezia, Argjentina, Algjeria, Venezuela, Arabia Saudite, Bangaldeshi e ndoshta dhe Serbia, siç la të kuptohet më 18 Qershor vetë Presidenti Vuçiç. Kësisoj, BRICS pritet të kthehet në një sfidë dhe sfinks të vërtetë gjigand për Perëndimin. Ndaj SHBA-të dhe BE-ja kanë filluar të veprojnë më me kujdes me Kinën dhe Indinë, sipas parimit “ mishit të piqet dhe helli të mos digjet” Për t’i mbajtur këto dy megavende nën kontroll, duke ulur tensionet dhe për të vijuar bashkëpunimin në të gjitha fushat e sidomos në atë ekonomik ; por, në këtë të fundit, duke reduktuar varësinë e madhe ekonomike dhe duke minimizuar rreziqet që vijnë prej saj, siç ka ndodhur deri tani me Rusinë. Nga ana tjetër, SHBA-të dhe Perendimi po tregohen më të kujdesshme lidhur me shprehjen e rezervave dhe kritikave të tyre ndaj këtyre vendeve lidhur me demokracinë liberale, të drejtat e njeriut, ujgurët, etj. Këtë radhë, ato nuk u bënë më në publik.
Kjo u pa qartë dhe gjatë vizitës së Sekretait amerikan të Shtetit Anthony Blinken në Pekin më 18/19 Qershor, Kryeministrit indian Mody në Uashington më 21 – 23 Qershor dhe Kryeministrit kinez Li Qiang në Berlin, me rastin e zhvillimit të Konsultimeve qeveritare dhe pranisë në Samitin e Paktit Global për Jugun në Paris më 18 – 23 Qershor. Mesazhi që dhanë në këto vizita SHBA-të, Franca, Gjermania dhe BE-ja ishte “ urtë e butë dhe plot tiganin”. Ca më tepër që vendet perendimore duhet të vendosin njëherë rregullin në shtëpinë e tyre përpara se t’u kërkojnë llogari të tjerëve dhe në fushën e demokracisë. Nuk po zgjatemi në këtë pikë, sepse ARGUMENTUM këto ditë i ka pasqyruar këto vizita, takime dhe veprimtari gjerësisht me shumë info dhe analiza nga gazetarja e njohur Marjana Doda.
3. SOS nga Brukseli! Më 26 – 27 Qershor Kryeministri Rama ishte në Bruksel ku takoi « të mëdhenjtë » e BE-së e të NATO-s. Ra në sy se më shumë u fol për tensionet në veri të Kosovës. Pa asnjë mesazh të ri, se një ditë më parë ishin ministrat e jashtëm në Luksemburg me thirje dhe paralajmërime serioze. Në fakt, këto janë rikonfirmim i pozitës mjerane të diplomacisë europiane, pasojë e qasjes së saj të gabuar që Beogradin e « trajtojnë si të nënës, ndërsa Prishtinën si të njerkës » Me politikën e dështuar qetësuese, me synimin naiv për ta mbajtur Beogradin larg Rusisë dhe duke i kërcitur kërbaçin Kosovës. Në fakt, prononcimet e tyre ishin një SOS, thirje për ndihmë nga Shqipëria dhe Rama. Ndonëse ky i fundit nuk ka ndonjë rol dhe ndikim të qenësishëm, e ca më pak besueshmëri politike në këtë mes, si pasojë e qëndrimeve të gabuara ndaj Prishtinës, avokatisë së pajustifikuar për Beogradin e deri te dërgimi i draftit për Asociacionin pa asnjë lloj komunikimi, le më pastaj konsultimi me homologun e tij, Kurti. E njëjjta gjë mund të thuhet dhe për propozimin e tij për mbajtjen e një Konference ndërkombëtare e cila nuk do të sille asgjë. Sepse siç kemi nënvizuar më parë, atje mungon komponenti kryesor, fryma dhe predispozicioni që dhe BE-ja ka dështuar t’i krijojë.
Gjithsesi, thirrja SOS e Brukselit dhe ” futja në fushën e lojës” e Ramës” janë me shumë dobi politike për këtë të fundit, për ta kthyer atë artificialisht në protagonist të zgjidhjes së ngërçit në dialogun Serbi – Kosovë. Përfitime të tjera për të do të jenë shkëputja e vëmendjes publike të brendshme dhe të jashtme nga telashet e mëdha brenda vendit; shkeljet dhe parregullsitë e zgjedhjeve të 14 Majit, çështja Bejleri me Greqinë, muxhahedinët që na kanë mbetur keq në derë, projekt ligjet që bien ndesh me BE-në, skandalet dhe arrestimet e bujshme që tani ia nxorrën bojën dhe tezës mbi « përgjegjësinë personale” etj. Natyrisht ato janë përmendur në intimitetin europian, por të kishin thënë dhe një fjalë të vetme për publikun e jo çdo gjë « business as usual » Sa për Brukselin, ai kësisoj ” rrethon Prishtinën me vendin vëlla” dhe fiton kohë sipas parimit ” shtyje ta shtyjmë” derisa të mbarojnë zgjedhjet e reja në Amerikë dhe Europë më 2024 dhe gjithçka midis Beogradit dhe Prishtinës të rifillojë nga Zero ose nga minusi.
4. Sanksione, mbështetje dhe deklarata!
Këto ishin tri mesazhet kryesore të Samitit të BE-së në Bruksel më 29 – 30 Qershor. Vazhdimësi e mbështetjes për Ukrainën, rikonfirmimi i dënimit të agresionit rus dhe përpunimi i masave të tjera ligjore kundër tij, dalja me një qëndrim të përbashkët ndaj Kinës, forcimi i ekonomisë dhe mbrojtjes europiane dhe të tjera. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, asgjë më shumë nuk pritej nga ky Samit, veç përsëritjes së 4 kërkesave të tij të parashtruara në Deklaratën e datës 3 Qershor 2023.
© 2023 Argumentum