Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hapur periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës nga 13 janari deri më 21 janar në orën 6 të mbrëmjes sipas kohës lokale te Kosovës.
Siç bëhet e ditur nga KQZ, gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.
Të drejtë aplikimi për t’u bërë pjesë e votimit sipas KQZ-së kanë edhe ata/ato që nuk kanë shtetësi të Kosovës por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi.
“Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka inkurajuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.