Gara e parë SLAPP për Ballkanin Perëndimor fillon me një fushatë në rrjetet sociale dhe do të përfundojë me një ceremoni solemne më 28 nëntor 2024 në Beograd, duke bashkuar organizatat e shoqërisë civile, aktivistët dhe gazetarët në luftën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Kjo nismë synon të theksojë efektet frikësuese që SLAPP ka mbi lirinë e shprehjes, aktivizmin qytetar dhe demokracinë në rajon, dhe të turpërojë ata që ndërmarrin këto padi kundër atyre që punojnë për interesin publik.
Gara organizohet nga Fondi Evropian për Ballkanin, në partneritet me Iniciativat Qytetare, nga Serbia me bazuar në modelin e Garës Evropiane SLAPP që mbahet çdo vit nga Koalicioni Evropian Kundër SLAPP në Evropë. Një juri ekspertësh rajonalë dhe ndërkombëtarë do të përzgjedhë fituesit në dy kategori, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të zgjedhë fituesin e një kategorie të veçantë përmes votimit online.
SLAPP (padia strategjike kundër pjesëmarrjes publike) përfshin paditë e ngritura kundër individëve apo organizatave me qëllim frikësimin, heshtjen dhe pengimin e pjesëmarrjes në debatin publik. Këto padi përbëjnë një kërcënim serioz për gazetarët dhe aktivistët, shpesh duke çuar në autocensurë dhe në heshtjen e temave të rëndësishme që prekin interesin publik.
Duke theksuar këto çështje, gara SLAPP për Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të inkurajojë kulturën e përgjegjësisë duke ekspozuar ata që keqpërdorin ligjin për të shtypur interesin publik. Ngjarja do të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e njohurive mes pjesëmarrësve dhe ekspertëve për strategji efektive në luftën kundër SLAPP dhe për promovimin e lirisë së shprehjes.
Gara SLAPP për Ballkanin Perëndimor do të ndajë çmime në tre kategori:
- Shkatërruesi i Mjedisit – Kategori që thekson ata që kanë penguar aktivizmin ekologjik ose raportimin përmes SLAPP-it.
- Penguesi i Transparencës – Kategori që thekson ata që kanë tentuar të heshtin përpjekjet për transparencë dhe debat publik.
- Çmimi i Publikut – Kategori që u jep mundësinë qytetarëve të votojnë për kandidatin ose kandidaten e tyre të preferuar, duke mbështetur punën e aktivistëve dhe aktivisteve, si dhe gazetarëve dhe gazetareve.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme për qytetarët, të cilët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj padive SLAPP nga qendra të ndryshme pushteti, duke përfshirë edhe mediat si një objektiv të zakonshëm, ne shpresojmë që do të na mbështesni në këtë fushatë, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe luftën për interesin publik në rajon.
/Argumentum.al