Në Shqipëri ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet vendore, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin.
Procesi i votimit për 61 bashkitë e Shqipërisë është hapur zyrtarisht në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00, ndërsa qytetarët kanë mundësi të votojnë në gjithsej 5.213 qendra votimi në të gjithë territorin e vendit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.650.550 shtetas shqiptarë, ndërkohë 122.545 zgjedhës do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë.
Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), për zgjedhjet vendore janë regjistruar si subjekte zgjedhore 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, 6 parti të grupuara në dy koalicione dhe 12 kandidatë të pavarur.
Në mesin e partive që konkurrojnë me kandidatët për kryetarë të bashkive dhe për anëtarët për këshillat bashkiakë janë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe parti të tjera.
Sipas KQZ-së, në total janë 23.763 kandidatë për këshilla bashkiakë dhe 144 janë kandidatë për kryetar të bashkive.
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.
Një risi e këtij procesi zgjedhor është se zgjedhësit në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të votojnë nëpërmjet Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN).
Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor kanë marrë masa shtesë, ku 5.511 punonjës policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga misioni i OSBE/ODIHR-it, ambasada të ndryshme, si dhe disa organizata ndërkombëtare dhe kombëtare.