Liri, Pavarësi, Demokraci. Freedom, Independence, Democracy. Liberté, Indépendance, Démocratie.
Me këto fjalë në shqip, anglisht dhe frengjsht Presidentja e Republikës së Kosovës, i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian për herë të parë si shtet i pavarur. Ky adresim i Osmanit është i pari që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Presidentja Vjosa Osmani, iu drejtua sot me një fjalim, Parlamentit Evropian. Fjalimin e mbajti me ftesë të presidentes së këtij parlamenti, Roberta Metsola.
Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”.
Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.
“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar Presidentja Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.
Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.
Kosova është Evropë, dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Republika jonë e re lindi nënritmin dhe tingujte Evropës. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, në mungesë të himnit shtetëor, himni evropian jehoi në institucionet, sheshet dhe rrugët e vendit tim.
Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtrat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit. Të vendosur për t’iu bashkuar familjes evropiane të kombeve dhe të frymëzuar nga Bashkimi Evropian, gjetëm prehë dhe unitet në gjuhën universale të muzikës.
Ky akt shkoi përtej simbolizmit; ishte deklarata jonë për botën se Bashkimi Evropian ishte destinacioni ynë i drejtë dhe një thirrje për institucionet evropiane që të përqafojnë aspiratat tona të palëkundura.
“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Osmani.
Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.
Presidentja Osmani tha se Kosova ka histori të trishtë dhe sfiduese, por edhe vendosmëri për një të ardhme më të mirë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.
“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Gjatë prezantimit të delegacionit, Presidentja Osmani, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit.
“Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.
Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.
“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani.
Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti.
“Ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”, shtoi presidentja Osmani.
Veprimet e saj, sipas Presidentes Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.
Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë.
Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë mishërimi i qëndrueshmërisë.
Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi.
“Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.
Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.
“Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani.
Pjesë nga fjalimi i Presidentes Osmani në PE
E nderuara Presidente Metsola,
Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,
Të dashur miq të Kosovës,
Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Saharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së çmimit në vitin 1991, ai tha: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqedashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.
Sot, zonja Presidente, të nderuar deputetë, dua t’ju falënderoj që më keni dhënë nderin e madh të jem zëri i popullit të Kosovës para këtij institucioni të çmuar.
Shpresoj që kjo seancë plenare të ketë shërbyer si një takim mendjesh, një ribashkim miqsh dhe një testament për atë që ne përpiqemi të bëhemi. Ndërsa synojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë, nuk duhet të harrojmë kurrë se nga kemi ardhur. Duhet të kujtojmëgjithmonë se si arritëm këtu dhe kush na qëndroi pranë në kohë gëzimi dhe pikëllimi.
Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë.
Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore.
Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane.
Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Dy ngjyra që tregojnë një histori.
Qielli blu dhe dielli i verdhë.
Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri.
Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti.
E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë.
Faleminderit.
Pas fjalimit historik në Parlamentin Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është nderuar nga të gjithë eurodeputetët, të cilët duke e duartrokitur të gjithë u ngritën në këmbë.
/Argumentum.al