Zyrtarët botërorë të financave deklaruan se konfliktet tregtare dhe kushtet e tkurrura financiare janë kthyer në kërcënimet kryesore ndaj ekonomisë.
Rimëkëmbja ekonomike botërore, që ndodhet tashmë në periudhën më të dobët në 3 vite, ka gjasa të përmirësohet vitin e ardhshëm. Megjithatë, bankat qendrore dhe autoritetet fiskale kanë mjete të limituara të politikave për të nxitur këtë rimëkëmbje. Në takimin e këtij viti të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, humori i liderëve të financave bëri kontrast me takimin e vitit të kaluar, ku kishte optimizëm mbi rritjen e fortë ekonomike. Mbledhja e këtij viti nisi me uljen e projeksioneve për rritjen ekonomike botërore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të tretën herë në 6 muaj.
Ekonomia botërore do të rritet me 3.3% këtë vit, që është norma më e ngadaltë që prej vitit 2016. Bankat Qendrore në ekonomitë e zhvilluara, përfshirë Rezervën Federale, kanë reaguar ndaj këtij ngadalësimi duke ndaluar tkurrjen monetare. Kjo ka ulur pak presionet për tregjet financiarë ndërkombëtarë. Fondi theksoi se rritja ekonomike pritet të rikthehet në pozitë të fortë në vitin 2020, por disa zyrtarë janë të shqetësuar se kjo rimëkëmbje do të kërcënohet nëse përkeqësimi i Shteteve të Bashkuara, Europës dhe Japonisë vazhdon.
Ministri i Financave i Japonisë, Taro Aso, tha se pavarësisht projeksioneve për një rimëkëmbje të ekonomisë, nëse situata vazhdon e dobët në vendet e zhvilluara, perspektiva mund të përkeqësohet. Në Europë, ka pak optimizëm. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se shumë faktorë botërorë që po pengojnë rritjen ekonomike në kontinent po zbehen, duke shtuar pritshmëritë për një rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit.
Por sipas tij, ekzistojnë faktorë të tjerë negativ si rreziku i daljes së Britanisë pa marrëveshje dhe lufta botërore financiare.