Forcat Ajrore kanë transportuar me sukses sot me dy helikopterët AB 206 dhe EC 135 4 alpinistët serb të cilët gjatë kalimit nga Valbona në Theth janë lënduar.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili thekson se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërhyrja e Forcës Ajrore, me dy helikopterët ka qenë e menjëhershme duke nxjerrë jashtë rrezikut turistët serb.
“Efektivët e Forcës Ajrore, me dy helikopterët AB 206 dhe EC 135 kanë transportuar me sukses 4 alpinistët serb të cilët gjatë kalimit nga Valbona në Theth kanë rrëshkitur, duke marrë lëndime në trup. Një prej të plagosurve është transportuar drejt QSUT dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa 3 të tjerët fatmirësisht pa lëndime”, shkruan Peleshi.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ekipin mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë, i vijnë në ndihmë një turisti serb që ishte rrëzuar në malin e Jezercës dhe e kishte të pamundur lëvizjen, për shkak se kishte dëmtuar gjymtyrët.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan 50 forca policore nga Komisariati i Policisë Tropojë, Njësia Alpine e Reneas, forcat ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një ekip mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë.