Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Me 84 vota në favor, 19 kundër dhe 68 abstenime, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që përcakton 11 korrikun, ditë të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8,000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.
Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.
Dokumenti nxiti reagime të furishme në Serbi dhe në rajonin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, ku udhëheqësit thanë se ai do ta etiketojë gjithë popullin serb si “mbështetës” të vrasjeve masive.
Duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ambasadorja e Gjermanisë, Antje Leendertse, tha se “rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt – as kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate”.
“Rezoluta shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha Leendertse.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.
Rezoluta për Srebrenicën nuk e përmend as Serbinë, as Republikën Sërpska.
Ndër të tjera, ajo bën thirrje për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
“E vërteta fitoi”, shkroi në Facebook kryesuesi i Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq.
Për udhëheqësin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, rezoluta “dështoi”, pasi, siç tha ai, “rreth 110 vende nuk votuan, ishin kundër ose abstenuan”.
“Plani” për t’i ngarkuar serbët me gjenocid, “nuk pati sukses”, sipas tij.
Si votuan vendet e tjera?
Përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia – votuan për.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.
Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Nikaragua ishin në mesin e atyre që votuan kundër.
Në një postim në platformën X, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se “rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar” dhe “nuk ngarkon me përgjegjësi kolektive asnjë grup njerëzish”.
“Siç e bën të qartë rezoluta, ne të gjithë e kemi detyrim t’i pranojmë faktet, ta mësojmë të vërtetën, t’i nderojmë viktimat, t’i mbështesim përpjekjet e vazhdueshme për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët. Këta hapa janë thelbësorë për pajtimin”, shkroi Ambasada amerikane.
Kush e sponosorizoi rezolutën?
Gjermania dhe Ruanda ishin “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.
Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska tha se ofron një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.
“Ne e ofrojmë atë nëse na konsideroni komb gjenocidal – e nuk jemi. Atëherë, nuk kemi përse të jetojmë së bashku”, tha kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq.
Ai nuk dha ndonjë detaj për hapat që do të ndërmerren.
A kishte rol Serbia në gjenocid?
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.
Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një lufte civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ato më së shpeshti “u bëjnë thirrje” shteteve anëtare që të veprojnë./REL