Për të dal i pastër në përzgjedhjen e kandidatëve që PD po bën për deputetë, duket një mision i vështirë.
Pse? Sepse në këtë formular që është një përzierje e formularit të deklarimit të pasurisë, dekriminalizimit dhe modelit konservator britanik ka shumëçka mbi jetën e kandidatit nga të dhënat personale, gjeneralitetet aktuale, ato të mëparshme, të dhënat mbi personat e rrethit shoqëror që ata njohin më mirë, me çfarë jetojnë, sa pasuri kanë vënë, sa fëmijë kanë, (duhet të japin të dhënat edhe për ta pavarësisht se në formular ka kuti vetëm për dy fëmijë, ndërkohe që mund të kenë më shumë), ku kanë punuar, si kanë punuar, kontaktet që ai personalisht apo bashkëshorti/ja; fëmijët apo prindërit, kanë pasur në mënyrë të vazhdueshme me një shtetas të huaj brenda 10 viteve të fundit, me të cilët kanë qenë në një lidhje shoqërore/miqësore, afeksioni, influence, interesi të përbashkët dhe/ose detyrimi;
Të listojnë tre persona më të cilët kanë ndjekur një nga ciklet e universitetit bashkë, në të njëjtin kurs dhe periudhë, e deri tek pyetje delikate për shëndetin psikologjik dhe emocional si psh; A jeni konsultuar ndonjëherë me një psikolog dhe/ose psikiatër në lidhje me gjendjen tuaj emocionale ose mendore? A keni qenë ndonjëherë i shtruar në institucionet shëndetësore për këtë arsye? Apo edhe pyetje për përdorimin e substancave të paligjshme narkotike deri edhe të tipit; A keni përdorur ndonjëherë drogë? A e keni përdorur kur keni qenë në marrëdhënie pune? A mendoni se mund ta përdorni në të ardhmen?
Pyetje të njëjta edhe për përdorimin e alkoolit deri diku edhe pa sens si psh; A mendoni se mund të përdorni alkool në të ardhmen?
Kandidatët duhet të përshkruajnë hollësisht edhe llojin, sipërfaqen, adresën e shtëpisë ku ndodhen, vitin e krijimit të banesës, vlerën në lekë apo në valutë, çmimin e blerjes, burimet e krijimit të çdo lloj pasurie të regjistruar ose jo në regjistrat publikë si dhe të gjitha pasuritë e akumuluara ndër vite.
Duhet të përgjigjen pastaj edhe nëse kanë një biznes privat me të dhënat të hollësishme apo edhe pyetje të tipit; A i keni fshehur ndonjëherë të ardhurat me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore? Apo edhe pyetje të natyrës; A keni pranuar ndonjëherë dhurata me vlerë mbi 10,000 lekë apo trajtime preferenciale të ofruara për shkak të ushtrimit të një funksioni publik?
Ajo që dihet është se në rast se në formularin e verifikimit të integritetit nuk jepen të dhënat e plota apo nuk plotësohen të gjithë pjesët e kërkuara, automatikisht ai kandidat do të skualifikohet
Komisioni i Vlerësimit ka të drejtë të organizojë edhe intervista me kandidatët gjatë procesit të verifikimit, në ato raste kur ata gjykojnë se do të ketë nevojë për shpjegime plotësuese./h.e